Kulturë

Skena e muzikës klasike unike në kërkesat për infrastrukturë

Prej falënderimeve për një “frymë të re në qeverisje”, deri te kërkesat për infrastrukturë, financim, ankesat për institucione e njoftimet për arritjet familjare, janë rrëfimet me të cilat është përballur ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, përballë artistëve të muzikës klasike. Në kuadër të diskutimeve të hapura për kulturën, ministri Çeku ka dëgjuar hallet dhe propozimet e komunitetit të muzikës klasike. Të pranishëm ishin mbi 30 veta.

Në teatrin “Oda” ai të premten mbrëma – sikurse me kinematografët dhe ata që merren me art pamor – fillimisht ka treguar për punën që ka bërë MKRS-ja për sivjet e më pas ka qenë i hapur për t’i dëgjuar të pranishmit.

Si zakonisht nuk ka qenë i prerë për asgjë, por ka përdorur fjalinë e përhershme: “zgjidhjet i bëjmë së bashku”. Veç në një rast ka qenë konkret, kur ka folur për financimin që sivjet ka bërë MKRS-ja për muzikën. Ka thënë se në total janë 400 mijë euro.

“Jemi duke punuar në koncept-dokumentin e kulturës nga i cili do të dalin ligji unik për kulturën dhe një strategji për kulturën. Kemi themeluar Operën dhe janë hartuar aktet nënligjore për këtë institucion”, ka thënë ai. Ka treguar se janë në prag të nënshkrimit të marrëveshjes me Pallatin e Rinisë dhe Sporteve për të vendosur aty Filharmoninë e Kosovës dhe Operën. Sa u përket projekteve kapitale ka pasur një përgjigje.

“Vitin e ardhshëm do të hapet konkursi për projektim të teatrit të operës dhe baletit”, ka thënë. Pa treguar se ku do të jetë lokacioni apo cilat janë opsionet për lokacion. Përtej kësaj – sa i përket shpenzimit të mbi një milion eurove për gurin themeltar të 2009-s – ka thënë se është kërkuar auditim. Projekti i asaj kohe nuk u realizuar kurrë dhe MKRS-ja këtë vit hoqi dorë nga lokacioni që ishte afër Fakultetit Teknik. Çeku ka thënë se janë duke punuar që të aplikojnë në fondet e BE-së për sallë koncertale. Bëhet fjalë për një synim të Komunës së Prishtinës. Konkursi për shndërrimin e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia” në sallë koncertale është mbyllur dhe fituesi është shpallur.

Pikërisht infrastruktura është ngritur edhe si shqetësim nga komuniteti. Besa Luzha e ka përmendur qysh në start këtë problem.

Ministri Çeku ka thënë se tash në Komunën e Prishtinës ka një qeverisje të re dhe një program të ri.

“Jemi dakorduar për një takim të parë. Qëllimet janë të përbashkëta, por mund të dallojnë qasjet. Salla koncertale veç ka nisur dhe besoj që nuk duhet të kthehet prapa. Për teatër të operës kemi kërkuar auditim”, ka thënë ai. Ka treguar se sa i përket sallës koncertale në atë që dikur ishte “Gërmia” duhet pëlqim për projektin nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Violinistja Sihana Badivuku i ka treguar ministrit Çeku se së bashku me familjen e ngushtë kanë hapur një shkollë të muzikës. Për këtë ministri Çeku e ka uruar atë. Badivuku po ashtu ka thënë se edhe “Modelariumo” i Fakultetit të Arkitekturës do të mund të shërbente si sallë alternative për koncerte.

Sa i përket skenës alternative ose jashtë-institucionale, ministri Çeku ka thënë se nuk është i kënaqur me mënyrën se si financohet kjo skenë. “Nuk jam i kënaqur me performancën tonë në këtë drejtim pasi po trajtojmë kriza. Ligji për Kulturë e strategjia duhet të japin zgjidhje të tjera. Ne kemi program, por duhet diskutim dhe vendime që i marrim bashkë”, ka thënë ai.

Pianistja e profesoresha Alberta Troni ka thënë se duhet të mendohet më shumë për resursin human. Sipas saj, pos sallave koncertale duhet të mendohet edhe për instrumentistë e kategoritë e tjera që luajnë në ato salla. “Ekziston barrierë e madhe midis studentëve dhe institucioneve të kulturës. Duhet kthyer në kalendar të Filharmonisë koncerti me studentë”, ka thënë ajo.

Në këtë rast ministri ka thënë se duhet arritur marrëveshje me Fakultetin e Arteve dhe se Filharmonia duhet ta kthejë koncertin me studentë. Një përgjigje e një prej anëtarëve të Këshillit Drejtues të Filharmonisë se pandemia ka ndikuar, nuk e ka kënaqur ministrin Çeku.

Bile në një rast kur pianisti Agron Shujaku është ankuar se Filharmonia nuk është e hapur për instrumentistët e rinj, ministri Çeku ka dhënë edhe vërejtje.

“Nuk është vetëm çështje burokratike, por edhe qasje programore”, ka thënë ai ndaj përgjigjes se për të luajtur me Filharmoninë duhet bërë një kërkesë dhe mandej menaxhmenti dhe organet drejtuese e trajtojnë atë. Por për dy rastet kur ministrit të Kulturës i janë prezantuar ankesa në drejtim të Filharmisë, jashtë diskutimit, për KOHËN ka pasur përgjigje menaxheri i këtij institucioni, Dardan Selimaj.

Ai ka thënë se Filharmonia e Kosovës ka qenë dhe vazhdon të jetë e hapur për mbështetjen e muzikantëve të rinj, rrjedhimisht edhe të studentëve të Degës së Artit Muzikor të Fakultetit të Arteve të UP-së. Sipas tij, praktika nuk është ndërprerë asnjëherë madje edhe në sezonin 2020/2021.

“’Skena Iuvenis’ vazhdon të jetë pjesë e sezoneve të Filharmonisë, por ka ndryshuar vetëm mënyra e seleksionimit të muzikantëve dhe kjo është bërë në përputhshmëri me repertorin e Filharmonisë, dhe një pjesë e mirë e muzikantëve të rinj që kanë dëshmuar veten në shumë paraqitje koncertale janë ftuar”, ka thënë ai. Ka treguar se vetëm në sezonin e kaluar me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës janë prezantuar violinistët Rron Bakalli, Pleurat Doli, Drenushë Lota dhe kitaristja Tringa Sadiku. Përveç kësaj, Filharmonia, sipas tij, e ka rikthyer praktikën që para koncertit të saj të ofrojë platformën e saj duke ftuar si mysafire Orkestrën e Fakultetit të Arteve, nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani. “Pra, i ka vlerësuar hapin dhe punën serioze të Orkestrës së Fakultetit që nuk është parë prej kohësh brenda këtij institucioni”, ka thënë ai. Sipas Selimajt, Fakulteti duhet të mendojë ta zhvillojë orkestrën brenda strukturave të veta dhe ky do ishte vizion i cili do ta zhvillonte edhe gjeneratën e re. Ka thënë se sa i përket angazhimit të solistëve vendorë, konsideron se është konstatim absolutisht i gabuar që Filharmonia nuk angazhon të tillë. Ka treguar se në këtë pikë mjafton të kalohet nëpër fotografitë dhe posterët dhe kjo është kollaj e dallueshme. “I gjithë komuniteti duhet ta ketë parasysh që Filharmonia duhet të mendojë për promovimin e veprave të kompozitorëve, instrumentistëve, këngëtarëve lirikë dhe promovimin e solistëve të rinj e paralelisht të jetë pjesë e iniciativave ndërkombëtare të projekteve të veçanta përkrah institucioneve model të llojit në botë”, ka thënë ai. Ka shtuar se në rrethanat në të cilat ndodhet konsideroj se Filharmonia shpesh tejkalon mundësitë që ka në dispozicion dhe konstatime si këto janë të pabaza.

Propozimet si ai për një festival të tipit të Festivalit të Ohrit e aso të tipit që institucionet muzikore të jenë brenda një gardhi, ishin po ashtu pjesë e diskutimit, ku falënderimet për ministrin Çeku nuk munguan.