Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Sislej Xhafa nisi në Pejë ekspozitën personale në Kosovë “Të dua pa e ditur”

Hapësirë magjike e ka cilësuar vendin e tij të lindjes, artisti me famë botërore Sislej Xhafa, teksa ka shfaqur në Pejë, aktivitetin e parë të ekspozitës “Të dua pa e ditur”.

Me këtë rast, ai solli në vendlindjen e tij veprën me të cilën vitin e kaluar e kishte prezantuar Kosovën në edicionin e 57-të të Bienales së Venecias, “E humbur dhe e gjetur”, e cila u dedikohet personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Kabina e mbyllur prej druri u vendos në Shtegun e Shëndetit, transmeton emisioni Express në KTV.

E kuruar nga Jérôme Sans (ZHEROM SA), ekspozita që përmban një sërë veprash të Xhafës është e para e artistit në Kosovë dhe vjen një vit pasi ai përfaqësoi Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia.

Kritiku i artit, Sans, ka thënë se me këtë ekspozitë, Xhafa, tërheq vëmendje për sistemet e padukshme dhe të padrejta që strukturojnë jetën e njerëzve.

Vizitorët në grupacion, kanë përshkruar në këmbë shtegun e shëndetit të Pejës që është i gjatë prej afër dy kilometrave, në mënyrë që ta shohin nga afër veprën e artistit.

Edhe Xhafa: I përkas renesancës së shëmtisë Kulturë Xhafa: I përkas renesancës së shëmtisë

“Bilbili” është vepra tjetër, që sot pasdite do të “zërë” sallën e Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, sonte në Galerinë Kombëtare të Kosovës, nën titullin “Lepuri i bardhë” Xhafa do të prezantojë një përzgjedhje retrospektive veprash të realizuara gjatë karrierës së tij 20-vjeçare, të ekspozuara në muzetë më të njohur botërorë.