Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Sislej Xhafa në Bienalen e Venecias, ngrit zërin për të pagjeturit

Një kabinë e mbyllur prej druri me një telefon që nuk cingëron kurrë e vendosur në një hapësirë boshe, ka zënë vend në Pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venecias.

Është kjo vepra e artistit Sislej Xhafa “E humbur dhe e gjetur” e cila përfaqëson Kosovën sivjet në këtë ngjarje të artit bashkëkohor.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Me shpresë se do të kërkohet drejtësi për të pagjeturit, Xhafa ka zgjedhur të trajtojë këtë çështje e cila vazhdon të jetë e pazgjidhur edhe sot 18 vjet pas luftës.

E tëra kishte nisur nga një takim me kryetarin e komisionit qeveritar për personat e pagjetur, Prenk Gjeta, i cili kishte treguar rrëfimin prekës të një prindi që kishte humbur tre djemtë e tij në luftë. Një natë kishte rënë zilja e telefonit dhe në momentin që ai e ka kapur, ka rënë linja. Për katër vjet derisa ka vdekur babai ka pritur të bjerë zilja.

“Kjo është më e fortë se arti. Edhe këtij telefoni kur nuk do t’i ndihet zilja” është shprehur Xhafa i emocionuar, raporton Express i KTV-së.

Duke e përshkruar si një punë delikate, Xhafa ka thënë se nuk mund të qëndronte indiferent ndaj çështjes së personave të zhdukur.

Hapja zyrtare e pavijonit të Kosovës do të bëhet më 11 maj. Kosova kësaj radhe në bienale ka një hapësirë prej 84 metrash katror në, “Arsenale”, një prej hapësirave kryesore të ekspozitës së përgjithshme.

Ekspozita e 57 ndërkombëtare e artit, e titulluar Viva Arte Viva do të hapet për publik me 13 maj, me kuratore Christine Mace ndërkaq e organizuar nga presidenti i Bienales së Venecias, Paolo Barrata.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, presidenti Barrata bienalen e definoi si një vend të hulumtimit, një vend për dialog në mes të artisteve dhe artistëve, dhe artistëve dhe publikut.

“Sivjet, Bienalja i dedikohet festimit dhe falënderimit për ekzistencën e artit dhe artistëve, bota e të cilëve zgjeron perspektivën tonë dhe hapësirën e ekzistencës sonë” u shpreh Barrata.

Ndërsa kuratorja e ekspozitës, Christine Mace tha se fokusi kryesor i edicionit të sivjetmë do të jetë tek artistët e rinj, të cilët duhet të mbështeten për t’u marrë me problemet shoqërore.

“Sot, në një botë të mbushur me konflikte, arti përçon mesazhet më të rëndësishme të humanizmit. është mundësia e fundit për të reflektim, shprehje të individualitetit, lirisë dhe për ngritje të çështjeve fondamentale” u shpreh Mace.

Bienalja e Venecias do të hapet zyrtarisht më 13 maj, kur dhe do të bëhet i ditur fituesi i edicionit të sivjetmë të Bienales së Venecias.

Kjo është hera e tretë që Kosova po përfaqësohet në këtë ngjarje të artit bashkëkohor. Para tij, Kosovën e kishin përfaqësuar Petrit Halilaj në vitin 2013 ndërsa Flaka Haliti në vitin 2015.

Shteti i Armenisë ishte fitues i edicionit të kaluar të Bienales. Ndërsa shtetet që marrin pjesë për herë të parë sivjet janë Antigua dhe Barbuda, Kiribati dhe Nigeria.