Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Sislej Xhafa në “Art Basel” eksploron kufijtë dhe vlerat njerëzore

Prishtinë, 17 qershor – Raúl Postillo Zamá për herë të parë ka marrë vizë në moshën 77-vjeçare. Ai ka kaluar një proces të njëjtë me afër dy milionë shtetas të Republikës së Kosovës kur ia mësyjnë të dalin jashtë vendit. Zama për herë të parë ka marrë edhe pasaportën kur i është dashur që nga Kuba të udhëtojë për në Zvicër.

Ky udhëtim është esenca e veprës “Ovoid Solitude” (Vetmi ovale) e artistit të njohur kosovar, Sislej Xhafa. Ekspozita ka qëndruar e hapur për 6 ditë në Zvicër në kuadër të ekspozitës “Unlimited” në “Art Basel”. Xhafa kishte takuar personazhin kryesor të veprës së tij, të realizuar posaçërisht për këtë ekspozitë, në tetor të vitit të kaluar. Atëherë artisti kishte vizituar Kubën me rastin e hapjes së ekspozitës së tij “Rosa Azul” në “Museo Nacional de Bellas Artes”. Xhafa përderisa shuante kureshtjen e tij për qytetin, kishte takuar Zamën në dyqanin e tij të vogël në të cilin ai shet vezë. Replika e dyqanit të Raúl Postillo Zamá është dërguar në “Art Basel”. Një dyqan i bërë nga alumini, i errët brenda, e që ka vetëm një derë të vogël para së cilës qëndron shitësi i vezëve.

Sivjet në “Art Basel” janë ekspozuar veprat e 290 galerive nga 34 vende të ndryshme, 19 prej të cilave janë paraqitur për herë të parë. “Art Basel” njihet për çmimin e lartë të shitjes së veprave duke përfshirë edhe ato që janë prezantuar në këtë edicion të 50-të. Ky edicion ka pasur parapremierën më 11 dhe 12 qershor, ndërsa publiku ka mundur që t’i shohë veprat prej 13 - 16 qershor.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")