Kulturë

“Siparantumi” artëson Kosovën midis koreve botërore në Suedi

Shteti më i ri i Evropës nëpërmjet “Siparantumit” ka lënë shenjë edhe në Suedi. Medalja e artë është trofe i ndritshëm në atë që njihet si qyteti i dritave. E “Siparantum” nuk e ka ndërmend të ndalet. Synon të hedhë dritë mbi emrin e Kosovës edhe në gara të tjera

Norrköping, Suedi, 31 tetor – Brohoritjet janë jehonë që kaplojnë gjithë sallën. Kryesisht të rinj të shteteve të ndryshme presin me entuziazëm që t’iu thirret emri pasi janë me sytë e veshët katër duke pritur vlerësimet e jurisë.

Aty me dhjetëra flamuj në duar janë edhe anëtarët e korit “Siparantum” nga Kosova. Produksionet e angazhuara për të dokumentuar me videoincizime “European Choir Games – Grand Prix of Nations”, nuk kanë hequr fokusin nga koristët kosovarë. Midis 25 vendeve të ndryshme, ata kanë brohoritur duke mbajtur emocionet në pritje të ndarjes së çmimeve. Momenti i thirrjes së emrit “Siparantum Choir” ka qenë festë më vete. Të rinjtë nga qytete të ndryshme të Kosovës kanë marrë vesh se janë laureatë të Medaljes së Artë të garës prestigjioze. Dalja në skenë e dirigjentit Memli Kelmendi për të marrë medaljen e ndarë nga juria profesionale në kategorinë më të lartë të Lojërave, qe moment triumfi.

Përfaqësues nga shtete të ndryshme kanë duartrokitur e uruar Korin nga Kosova. Qyteti suedez i dritave është bërë stacion i radhës ku “Siparantum” ka ndriçuar nëpërmjet muzikës. Ka marrë gjithsej 85.38 pikë, duke dalë i dyti në konkurrencë me dy koret e tjera të të rriturve me të cilët ishte në finale. Ishte përballë dy koreve me shumë traditë: atij norvegjez “Volve Vokal” dhe “Den Akademiska Damkören Linnea” i Suedisë. Kori norvegjez ka dalë i pari me 89.19 pikë.

Hapësira ku janë ndarë çmimet në qytetin në juglindje të Suedisë ka përjetuar një spektakël të vërtetë. Melodi të shteteve të ndryshme, të rinj që këndonin në gjuhët e tyre e tradita e koreve janë kryqëzuar në sallën me shumë ngjyra. Juria në përbërje të profesionistëve si Johannes Dewilde, Cinzia Zanon, Roxor Loops, Jakub Neske, Mariette Morel-Wilson, Michael Barretg dhe Bent Ollen kanë vlerësuar lart Korin nga Peja.

Image

Dalja në skenë e dirigjentit Memeli Kelmendi për të marrë medaljen e ndarë nga juria profesionale në kategorinë më të lartë të Lojërave, qe moment triumfi

(Foto: Arben Llapashtica)

Juria e mahnitur me profesionalizëm e energji

KOHA ka arritur të flasë me kompozitorin e dirigjentin Jakub Neske. Ai ka thënë se interpretimi i korit “Siparantum” ishte madhështor dhe në krahasim me koret e tjera ishte krejtësisht ndryshe.

“Ata kanë dhënë një interpretim që është dukur si koncert e jo si pjesëmarrje në gara. Ishte kënaqësi të dëgjoje krejt programin që ishte shumë konsistent. Ishte si një vepër e gjatë. Shihet qartë procesi i mendimit të repertorit. Ishte me të vërtetë shumë emocionale”, ka thënë ai. Sipas këtij emri të njohur të muzikës klasike, koristët kosovarë kanë dhënë një prej performancave të pakta që ka prekur shumë.

“U preka emocionalisht jo veç nga kualiteti i zërave e aspekteve teknike, por me të vërtetë kisha emocione dhe mendoj që muzika është emocion. Nëse nuk ka emocione nuk ka më sens. Janë shumë energjikë. Këtë e vlerësoj shumë në kore, besimin dhe energjinë që kanë. Mendoj se kanë një të ardhme fort të ndritshme pasi janë në nivel profesional tash”, ka thënë ai me bindje. Anëtari tjetër i jurisë, muzikanti Roxor Loops, ka thënë se “Siparantum” ishte në një nivel tejet të mirë. Ka treguar se i ka ranguar lart në vlerësim.

“Ishin disa gjëra që mund të ishin më mirë në anën teknike. Por kur kemi parasysh se kanë qenë në paraqitje për gara, ndoshta kanë qenë pak me emocione e nervozë. Por mendoj se ishin vërtet madhështorë. Kam dëshirë t’i shoh të vazhdojnë ashtu siç janë duke punuar. Kanë shumë potencial dhe duhet të vazhdojnë. Duhet të njihen në krejt botën pasi është një prej top-koreve”, ka thënë ai. Edhe disa prej anëtarëve të tjerë të jurisë kanë shprehur konsideratë të lartë për “Siparantum”. Ashtu edhe e kanë vlerësuar. Pas ndarjes së çmimeve dhe në ahengun përmbyllës të Lojërave ku muzika rock ka pasur hisen më të madhe, ata kanë folur gjatë me dirigjentin Memli Kelmendi. I kanë shprehur admirimin e tyre për paraqitjen ku kanë marrë pjesë mbi 2 mijë koristë nga 63 kore e 25 vende të botës.

Image
Momenti i thirrjes së emrit “Siparantum Choir” ka qenë festë më vete. Të rinjtë nga qytete të ndryshme të Kosovës marrin vesh se janë laureatë të Medaljes së Artë të garës prestigjioze (Foto: Arben Llapashtica)

Shumica kanë komentuar energjinë e emocionet që ka ngjallur Kori. Vepra e parë që kanë interpretuar të hënën mbrëma ishte “PAX” e Memli Kelmendit, e cila e fut publikun e rrëmbyeshëm në lojë. Nuk lejon shpërndarje të vëmendjes në tjetër anë pos në skenë. Hedhja e letrave të bardha është mesazh direkt i kërkimit të paqes. Nuk është e zakonshme që midis veprave të shpërthejnë duartrokitjet, por në rastin e “Siparantum” ky rregull ka rënë poshtë nga vetë publiku.

Në sallën kryesore të koncerteve, në qytetin rreth 200 kilometra në jugperëndim të Stokholmit, “Louis De Geer”, pas veprës së Kelmendit ka qenë ajo e kompozitorit Baki Jashari “Pakëz në ëndërr pakëz në zhgjëndërr” që ka përçuar te publiku ndjesinë e një realiteti të dyfishtë. Është vepër që ngjall kureshtje për deshifrim dhe bart shumë mesazhe. Koreografia e saj është kapitull më vete. Momenti kur i gjithë Kori shtrihet në tokë dhe solisti Shaban Behramaj ngrihet duke interpretuar vargjet është asi momenti kur ëndrra dhe zhgjëndrra thyejnë kufijtë mes vete. Formacioni koral nga Peja në program ka futur edhe dy vepra të huaja. “Te na solbici” të Samo Volk dhe “Atsalumst” të Jekabs Jancevskis. Që të dyja kanë ngjallur mjaft adrenalinë dhe kanë mbushur sallën me energjinë e interpretimit.

Kelmendi: “E ardhmja do të jetë edhe më e bukur”

Me energji jo të vogël ka folur edhe themeluesi e dirigjenti i “Siparantum”, Memli Kelmendi, pas ndarjes së çmimeve. Ka thënë se janë jashtëzakonisht të lumtur pasi janë pjesë e një gare shumë të rëndësishme. “Siparantum”, sipas tij, ka garuar me nivele shumë të larta artistike.

“Koret që kanë qenë bashkë me neve është dashur të kenë kualifikim. Kjo është një dëshmi e fuqishme për punën e përkushtimin e të gjithë anëtarëve të Korit gjatë viteve e veçanërisht muajve të fundit. Sa i përket garës kemi dhënë një energji ndryshe. Edhe nëse do të vinte rasti edhe një herë jam i bindur se me të njëjtin program do të paraqiteshim”, ka thënë ai. Ka përmendur se Kosova është një shtet i ri dhe i panjohur për muzikën korale.

“Të jem i sinqertë e modest, shpeshherë as nuk e dinë ku është vendi dhe nuk e kanë idenë për muzikën tonë korale dhe këtë e shohin nëpërmjet korit ‘Siparantum’. Mund të jetë e bukur ose jo e bukur, mund të ketë paragjykime dhe mund të mos ketë, por kjo është kompetencë e anëtarëve të jurisë profesionale. Ajo që e bën të bukur këtë është se mendoj që paraqitja e Korit ka qenë në nivelin e duhur”, ka thënë ai. Ka përmendur se duartrokitjet midis veprave – gjë që nuk përkon me karakterin e një gare – ishin dëshmia më e bukur kur audienca e veçon dhe e admiron punën e një grupi, gjë që nuk ka ngjarë me koret e tjera.

Image
Tash “Siparantum” ka shtuar edhe një medalje të artë në vitrinën ku mban vlerësimet (Foto: Arben Llapashtica)

“Kori ynë është në top-tre koret më të mira dhe Medalja e Artë për ne është shumë domethënëse pasi mbesim në nivel të lartë artistik. Jemi ballafaquar me shtete që kanë traditë, eksperiencë e çmime. Shtete që kanë traditë janë më të relaksuara në skenë, gjë që neve na duhet kohë. Mirëpo ky është një mësim dhe ne duhet ta mësojmë nga kjo garë, të shohim ku janë gabimet dhe të përmirësohemi në të ardhmen”, ka thënë Kelmendi. Ka shtuar se janë në rrugë të mirë pasi po vlerësohen lart.

“Prezenca jonë këtu do të thotë shumë për ne dhe shtetin tonë dhe mendoj që e ardhmja do të jetë edhe më e bukur”, ka thënë ai. Tash “Siparantum” ka shtuar edhe një medalje të artë në vitrinën ku mban vlerësimet. Në “World Choir Games” në korrikun e sivjetmë mori dy medalje të arta në nivelin më të lartë garues në edicionin e 12-të të kësaj gare. U shpall fitues absolut në të dy kategoritë ku ka garuar; atë të Muzikës Bashkëkohore dhe të Korit të Përzier.

{gallery}

Është vlerësuar me vendin e parë në kategorinë “A1 – Choirs of Mixed Voices – Difficulty Level I” – që është kategoria më e vështirë e festivalit “Lisbon Sings” në Portugali. “Siparantum” ia kishte dalë ta zërë vendin e parë në festivalin ku morën pjesë 22 kore nga 17 shtete të botës. Festivali është aktivitet që bën pjesë në “World’s Best Choirs Rankings of the Top 200 Choirs and Ensembles”. Po ashtu, më 2022 “Siparantum” ishte në garë në dy kategori të Festivalit Evropian të Muzikës për të Rinj në Belgjikë. Korit nga Peja i ishte ndarë Çmimi i parë në kategorinë “F” dhe atë “G”. Kësisoj, në të dyja kategoritë ku ka garuar formacioni ka triumfuar. Në edicionin e 70-të të “Europian Music Festival for Young People” prej 29 prillit deri më 2 maj të 2022-s kanë marrë pjesë 50 kore nga vende të ndryshme të botës. “Siparantum” ka hyrë zyrtarisht në rangimin për koret më të mira në botë, që bën bashkë një mijë kore. Është radhitur në pozitën e 30-të të ansambleve më të mira vokale. Në mars të 2021-s mori pjesë në Festivalin Evropian për të Rinj, me traditë prej shtatë dekadash, që edhe atë vit virtualisht bashkoi 100 kore. Në tetorin e vitit 2021, Kori nga Peja, që për herë të parë bëri që një kor nga Kosova të marrë pjesë në garën “Zlatna lipa” në Kroaci, mori “Pllakatin e Artë”. Kurse në nëntor, në garën më të madhe në botën e muzikës korale që mbajti edicionin e saj të 11-të në Gent dhe Antëerp të Belgjikës, për herë të parë e vendosi emrin e Kosovës në atë që konsiderohet si Olimpiada e muzikës korale. U kthye në shtëpi edhe me çmim. Mori medaljen si Kori më i mirë në kategorinë dedikuar muzikës bashkëkohore.

Shteti më i ri Evropës nëpërmjet “Siparantum” ka lënë shenjë edhe në Suedi. Medalja e artë është trofe i ndritshëm në atë që njihet si qyteti i dritave. E “Siparantum” nuk e ka ndërmend të ndalet. Synon të hedhë dritë mbi emrin e Kosovës edhe në gara të tjera.