Kulturë

“Siparantum” nga Kosova, i artë në Kroaci

Kori nga Peja, që për herë të parë bëri që një kor nga Kosova të marrë pjesë në garën “Zlatna lipa” në Kroaci, mori “Pllakatin e Artë”. Në program pati veprën “Me nji lule” të kompozitorit Memli Kelmendi, “Amor io fallo” të kompozitorit belg Jan Van Der Roost, “Dies Irae” të amerikanit Ryan Main dhe “Nyon, Nyon” të Jake Runestad, po ashtu kompozitor amerikan. “Të konkurrosh në mesin e 14 koreve dhe të zgjidhesh më i mirë për ne është shumë e rëndësishme dhe na bën të besojmë në suksese të tjera që mund t’i kemi në festivalet e ardhshme ndërkombëtare”, ka thënë dirigjenti i “Siparantumit”, Memli Kelmendi

Fiks 98.33, ishin pikët e korit “Siparantum” në garën ndërkombëtare të koreve “Zlatna lipa” (Bliri i artë) që mbahet në Tuhel të Kroacisë. Kaq i mjaftuan për të dalë i pari në mesin e 14 koreve garuese nga Kroacia, Sllovenia e Bosnjë-Hercegovina. Kështu, Kori nga Peja, që për herë të parë bëri që një formacion i tillë nga Kosova të marrë pjesë në këtë garë, solli prej atje “Pllakatin e Artë”.

Edicioni i 12-të i “Zlatna lipa” u mbajt në formatin hibrid. Gara u ndoq për së afërmi nga publiku konform rregullave të Kroacisë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, si dhe u transmetua live në rrjetet sociale. Gjatë 11 vjetëve, 95 kore dhe ansamble korale nga vende të ndryshme të botës janë bërë pjesë e kësaj gare. Këtë vit morën pjesë 14 kore.

“Kjo ngjarje ka një energji të veçantë dhe do të doja që energjia pozitive që ndihej, të bartet edhe te pjesa tjerë e shoqërisë. Kur këndon nuk mendon për të keqen, prandaj këtu ka kaq shumë energji pozitive sa mund të vijnë vetëm mendime pozitive, dhe kur ka mendime pozitive, ka rezultate pozitive”, ka thënë prefekti Zhelko Kolar në hapje të garës që për juri pati Goran Jerkoviqin, Robert Homenin dhe Milenka Grgjanin. Pikërisht kjo treshe ia dha pikët maksimale “Siparantumit”.

Përveç korit kosovar, pjesë e garës njëditore ishin edhe “Bugojno” nga Bosnjë-Hercegovina, “Gimnazije Kranj” nga Sllovenia, si dhe koret kroate “Bedekovcina”, “Emil Cossetto”, ai i Fakultetit Elektroteknik dhe Komjuterikës, “Ivan pl. Zajc”, “Josio Kaplan”, “Lisinski – Canticum”, “Lisinski – Renesansni ansambl”, “Pucpuljike”, “Slavulj”, “Stubica” dhe “Nasa Lipa”.

“Siparantum” garoi edhe për çmimin “Gand Prix” që ndahet nga Festivali, por atë e mori Kori i Gjimnazit të Kranjit nga Sllovenia.

Image
Dirigjenti Memli Kelmedi me “Pllakatin e Artë”

Kori nga Peja në program pati veprën “Me nji lule” të kompozitorit Memli Kelmendi, “Amor io fallo” të kompozitorit belg, Jan Van Der Roost, “Dies Irae” të amerikanit Ryan Main dhe “Nyon, Nyon” të Jake Runestad, po ashtu kompozitor amerikan.

Vetë kompozitori Memli Kelmendi, njëherësh dhe themelues e dirigjent i korit, ka thënë se vlerësimi është shumë i rëndësishëm për “Siparantumin” pasi që është një çmim në nivelin ndërkombëtar.

“Komentet kanë qenë befasuese nga të gjithë e veçanërisht nga juria profesionale, të cilët kanë thënë se janë befasuar për të mirë sa i përket nivelit të muzikës korale që ne e zhvillojmë si shoqëri në Kosovë dhe entuziazmin, energjinë pozitive që kemi dhënë përbrenda një festivali. Të konkurrosh në mesin e 14 koreve dhe të zgjidhesh më i mirë për ne është shumë e rëndësishme dhe na bën të besojmë në suksese të tjera që mund t’i kemi në festivalet e ardhshme ndërkombëtare”, ka thënë ai.

“Siparantum”, që debutoi në skenë në prillin e vitit 2017, është themeluar katër vjet më parë në bazë të një trashëgimie artistike të këndimit koral në Pejë. Siç shkruhet në përshkrimin e këtij formacioni, kori u krijua nga vullneti i lirë i qytetarëve nga zona dhe kategori të ndryshme, pavarësisht nga mosha, gjinia, raca, feja dhe statusi shoqëror, me ëndrrën dhe angazhimin e njëjtë – për të dhënë dashuri, besim dhe shpresë, duke u kënduar të gjithë atyre që besojnë në një të ardhme më të mirë të botës. Ky kor ka një tjetër qëllim të rëndësishëm – ta promovojë Kosovën në rajonin e Ballkanit dhe në mbarë botën përmes muzikës artistike dhe ndërkombëtare, të përbërë nga kompozitorë të mirënjohur të shekujve të kaluar e deri te këta të ditëve të sotme.

Image
Fiks 98.33 ishin pikët që mori “Siparantumi” nga juria

Pjesëmarrja në vitin 2019 në “Nancy Voix Du Monde” të Francës është një prej sukseseve të “Siparantumit”. Po ashtu, edhe marrja e mirënjohjes speciale vitin e kaluar nga juria e festivalit në edicionin e 15-të të “International Choir Contest Flanders” në Genk të Belgjikës. Për shkak të pandemisë, kori e pati të pamundur pjesëmarrjen në “World Choir Games” (Garat botërore të koreve), që do duhej të mbaheshin vitin e kaluar prej 5 deri më 15 korrik, në Antwerp dhe Ghent të Belgjikës. “Siparantum” do ta përfaqësonte Kosovën në garat ku do të merrnin pjesë hiç më pak se 542 kore e mbi 25 mijë artistë.