Kulturë

“Siparantum” e “Zanat” prej rockut deri te muzika burimore shqipe

Suita gjashtëminutëshe e cila përbëhet prej disa seksioneve pa refren, me një intro, segmente të baladës dhe pasazhe operistike, e pjesë të hard rockut, tash e 43 vjet mbetet si një prej këngëve më të popullarizuara të bendit “Queen”.

E po ashtu konsiderohet si një prej këngëve më të mira rock të të gjitha kohëve, shkruan sot Koha Ditore. Si e tillë ajo është interpretuar e aranzhuar në versione të ndryshme. Mark Brymer është një prej atyre që e ka bërë aranzhmamin për kor. Si këngë korale erdhi në Prishtinë.

Kori nga Peja, “Siparantum” e solli “Bohemian Rhapsody”, me Matej Karaqin si solist dhe Agron Shujakun në piano. Kjo ishte vetëm një prej veprave që u interpretua të enjten mbrëma në kuadër të edicionit të parë të festivalit “Prishtina International Vocal Festival”. “Siparantum” solli gjithsej shtatë këngë të stilit modern, me çka edhe karakterizohet ky kor. Me lëvizje në skenë, ata sjellin një qasje më bashkëkohore edhe në interpretim. Por pak më ndryshe erdhi ansambli “Zanat”, me një thurje midis tradicionales dhe modernes, me pak ritme jazz.

Sopranot Adelina Thaçi e Elida Kryeziu, bashkë me mexosopranot Arstina Kadiu e Diellza Sylejmani dhe alton Albana Piperku, të veshura me veshje kombëtare sollën gjashtë këngë, në mesin e tyre “Mirëmrama” të Lorenc Antonit, këngën popullore “Kurrë më s’do marrësh udhët e kurbeteve”, “Trëndelinë” të Thomas Simakut, “Kaj moj çiko” dhe “Po vijn’ krushqit” të Kushtrim Gashit dhe “Sa bukur” të Memeli Kelmendit. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)