Prishtinë, 5 prill - “Çuditem unë me të, tepër, tepër u kon Lokja, as burrë s’ka pasë, as bir mileti as...”, e nis tregimin e saj Salë Zyba për gjyshen e saj, që i referohet si Lokja.
Ky narracion i gruas për gruan është pjesa kryesore e ekspozitës “Sikur Hana” nga Zgjim Zyba e Die Morina, e hapur të mërkurën mbrëma në lapidariumin e Muzeut të Kosovës. “Sikur Hana” është një ekspozitë dedikuar gruas shqiptare përmes historisë së Lokes Hanë (Hanë Zybës). Ekspozita shpërfaq guximin e jashtëzakonshëm të asaj që ishte shtylla kryesore e shtëpisë. Artisti Zyba ka theksuar se përmes kësaj ekspozite të përbashkët me Morinën, dëshirojnë të vënë në pah të padukshmen dhe historitë e patreguara të grave të mençura e të guximshme shqiptare, si Lokja Hanë.
“Historia ka treguar që gratë shqiptare kanë qenë shtyllë e shtëpisë, edhe pse kjo nuk ka qenë shumë e dukshme”, ka thënë ai (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).