Poezia - dashuri e përhershme për fjalën, njeriun, mungesën. Një melodi shpirti, që na zgjon në agimet e bukura, si cicërima e zogjve që tregojnë madhështinë e fushave dhe të maleve, ku paqja shtrihet si në tregimet për Edenin. Poezia - kjo forcë magjike e magnetike, me gjuhën fisnike, na bën shtegtarë nëpër kohë e hapësirë, dhe na tregon ç’është e mirë dhe ç’është e keqe, në një botë kontrastesh të mëdha, ku mes ardhjesh dhe pritjesh ka shtegdalje që çojnë drejt lumturisë apo humnerës. Dhe, nëpër këto rrugë të thepisura, pirgje, merr jetë poezia, përmes dridhmave të shpirtit të poetit, që nuk pranë së dashuri, qoftë edhe kur heshtat e dhimbjes e shporojnë zemrën e tij dhe të botës përreth tij, shkruan sot Koha Ditore.
Po, poezia është ilaçi i domosdoshëm për njerizimin, për një shoqëri më humane, dhe për t’i kuptuar betejat e ashpra të jetës. Ajo ka fuqi ta bëjë jetën më të bukur dhe më humane, ashtu siç ka treguar poeti i madh Fatos Arapi, dhe siç tregon poezia kumbuese “Si s’të desha pak më shumë”; fuqinë e të cilit varg e shqipton secila qenie njerëzore, në çaste humbjeje, gëzimi, dëshpërimi e mungese. Në fakt, kjo poezi buçet me forcën e madhështisë së fjalës, në zemrën e secilit lexues dhe e thërret atë të drejtohet nga portat e dashurisë, për të dashuruar pafund.
Ikja e Fatos Arapit na tregon edhe një herë se ç’pasuri e madhe është poezia, dhe sa shumë kemi nevojë për gjuhën fisnike të artit, të artit të bukur, që nuk dorëzohet përballë gjuhës së egër të atyre që helmatisin jetën me dokrra e marrëzi, siç ngjet në poezinë “Në Tiranë ka vetëm tiranë”...(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)