Me letra, bashkë me 18 monumentet e radhës, shteti mbron përkohësisht një mijë e 672 monumente të trashëgimisë kulturore, përderisa nën mbrojtje të përhershme janë 93 monumente. Në çdo tetor prej vitit 2012, kur u bë për herë të parë Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, ministrat e Kulturës nënshkruajnë Listën që ripërtërihet pasi afati ligjor është njëvjeçar. E, një qasje si kjo nuk ndryshon prej atëherë. Funksionalizimi i monumenteve mbetet sfida kryesore
Për një çerekshekull Fadil Muqolli nga Pokleku i Drenasit ka ruajtur gjësende të ndryshme të fëmijëve e gruas së tij. Edhe ato të personave të tjerë që më 17 prill të vitit 1999 u vranë e më pas u dogjën. Gjurmët e gjakut janë po ashtu aty dhe nëpërmjet një intervenimi të Ministrisë së Kulturës prej këtij viti shtëpia ka marrë pamjen e muzeut. Por, prej këtij muaji vlerat që ajo paraqet për historinë e vendit kanë bërë që kjo ndërtesë të jetë monument.
Shtëpia Muze e Masakrës së Poklekut mban emrin njëri prej monumenteve të reja të Kosovës. Hapësira rrëfen se si aty janë vrarë 53 civilë shqiptarë nga forcat serbe. Bashkë me këtë ndërtesë shteti prej këtij muaji në Listën e trashëgimisë kulturore ka shtuar gjithsej 18 asete. Por, për ata që merren në përditshmëri me trashëgiminë kulturore, politikat e shtetit duhet të shkojnë përtej numrave e mbrojtjes me letra.
Në çdo tetor prej vitit 2012, kur u bë për herë të parë Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme, ministrat e Kulturës nënshkruajnë Listën që ripërtërihet pasi afati ligjor është njëvjeçar. Sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, mbrojtja e përkohshme zgjat një vit dhe më pas shteti vendos nëse ai aset duhet të ketë mbrojtje të përhershme apo nuk duhet të jetë monument. Por, kjo mbetet veç në ligj, pasi në praktikë situata është ndryshe. Çdo vit ripërtërihet Lista e përkohshme dhe shumica prej monumenteve janë aty tash e 12 vjet.
Sivjet Ministria e Kulturës ka vendosur që midis 18 monumenteve të reja tri të jenë asete arkeologjike e 15 arkitekturore. Pos Shtëpisë Muze të Masakrës së Poklekut, aty, midis të tjerash, zënë vend edhe Kulla e familjes Cikaj në Prizren, Shtëpia e familjes Topallhoxha po në këtë qytet, pallati i kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, Kulla e Zenel Hoxhës në Junik e disa asete të tjera.
Shteti tash nëpërmjet Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme mbron 86 lokalitete arkeologjike, 348 rezervate arkeologjike, 986 asete të trashëgimisë arkitekturore, 6 asete që njihen si fusha të konservimit arkitekturor, ku bëjnë pjesë fshatra të tëra a lagje qytetesh, 246 asete të luajtshme, 16 peizazhe kulturore e 31 asete të trashëgimisë shpirtërore.
Lista e nënshkruar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, është një prej mekanizmave ligjorë për mbrojtje të trashëgimisë kulturore. Shteti posedon edhe një tjetër listë – atë të mbrojtjes së përhershme.
Në të janë gjithsej 93 monumente, që e çon në 1.765 në total numrin e monumenteve në Kosovë. Telashet për të pasur Listë të përkohshme kanë qenë të mëdha. Por funksionalizimi i monumenteve mbetet sfida kryesore.
Shtëpia Muze e Masakrës së Poklekut prej prillit të sivjetmë është kompletuar si hapësirë muzeore që shpërfaq vrasjen e civilëve. Shteti ka investuar në të. Por, siç ndodh rëndom, këto asete në shumicën e kohës janë të mbyllura pasi s’ka kush të merret me vizitorët potencialë. E kjo bën që shteti t’i lërë në “rrugë” investimet që vetë i bën.
Sali Shoshi, i cili udhëheq fondacionin kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij “CHwB Kosova”, ka thënë se në raste kur asetet e meritojnë të futen në Listën e përkohshme ajo duhet të bëhet.
“Por, në përgjithësi çështja e menaxhimit është dashur të mendohej në mënyrë më strategjike se çfarë bëhet qysh prej evidentimit të aseteve deri te mbrojtja e përkohshme e mandej ajo e përhershme. Çfarë atributesh po ju japim e çfarë po i hyjnë në punë shoqërisë? Nuk është ideja të kemi vetëm numra, por të ketë një qasje ndryshe. Të mendohen vlerat e interaksioni me ato monumenteve”, ka thënë ai. Sipas Shoshit, Ligji për trashëgimi kulturore e ka dizajnuar një proces që sado që duket teknik e ka një logjikë të etapave dhe monumentet duhet t’i kthehen publikut si vlerë, si identitet e si krenari.
“Kjo do të duhej të analizohej. E shoh që institucionet këtë mundohen ta shoshin si logjikë, por nëse e shohim se sa prej tyre janë të qasshme e sa përfiton publiku prej tyre, e shohim se duhet të ketë qasje më ndryshe për Listën. Duhet shtruar pyetjet se ku jemi e çfarë po bëjmë, ose çfarë roli po kanë këto monumente në shoqërinë tonë? Çfarë përfiton publiku nga këto investime që po bëhen?”, ka thënë ai.
Sipas tij, bëhet fjalë për një diskutim më të gjerë që duhet bërë jo vetëm nga institucionet, por edhe nga shoqëria.
“Të shihet se a duhet të vazhdohet kjo rrugë dhe si mund të kthehen këto monumente në aset edhe për publikun”, ka thënë ai.
Problemi i funksionalizimit të monumenteve është i vjetër. Madje edhe mbrojtja ligjore është problem më vete. Deri vonë shteti ka pasur veç Listë të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.
Deri në tetor të vitit 2016 s’kishte asnjë monumente nën mbrojtje të përhershme. E asokohe 23 asete të trashëgimisë kulturore qenë bërë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përhershme.
Deri në korrik të vitit 2021 – kur Kuvendi zgjodhi shtatë anëtarët e KKTK-së – Ministria e Kulturës nuk kishte as kujt t’i propozonte monumente për mbrojtje të përhershme. Paraprakisht për tre vjet ky këshill ishte jofunksional. Prej themelimit, më 2009, funksionoi vetëm nga viti 2015 deri më 2018, në pjesën tjetër nuk ishte plotësuar kurrë me të gjithë anëtarët.
Përbërjes së deritanishme të KKTK-së i ka skaduar mandati në korrik. Në majin e sivjetmë qe hapur konkursi për anëtarët e përbërjes së re. Në fund të muajit të kaluar nuk ka pasur konsensus për emërimin e shtatë anëtarëve të rinj, pasi që deputetët opozitarë kanë shprehur kritika të shumta mbi mënyrën e përzgjedhjes mes kandidatëve të propozuar: Artan Krasniqi, Fahri Sheqiri, Besarta Reçica, Enis Salla, Zanita Halimi, Arianit Buçinca dhe Slagjana Boshkoviq.
Deputetja e Lidhjes Demokratike (LDK), Vlora Dumoshi, kishte shprehur kritikë se shumica e të propozuarve nuk janë historianë.
“Shumica e kandidatëve janë sociologë, etnologë, por jo edhe historianë, që ka qenë një nga kriteret e konkursit. Po ashtu, janë përzgjedhur militantët partiakë, siç është rasti i Fahri Sheqirit nga qendra e LVV-së në Bardhosh. Prandaj ne mendojmë që procesi duhet të kthehet në pikën zero. Po ashtu, si komision kemi pranuar tri ankesa nga kandidatët dhe asnjë ankesë nuk është shqyrtuar”, kishte theksua Dumoshi.
Kundërshtim për t’i votuar anëtarët e përzgjedhur kishin shprehur edhe deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).