Në tentimin e dytë për funksionalizim të aseteve të trashëgimisë kulturore nëpërmjet organizatave joqeveritare, në listë është edhe parku arkeologjik “Ulpiana”. Aty zë vend edhe Kalaja e Prizrenit, për të cilën vjet MKRS-ja kishte dështuar ta bënte funksionalizimin me OJQ. Njëjtë pas dështimit të vitit të kaluar, tash në listë janë edhe “Burgu i Idealit” në Prishtinë e Hidroelektrana - Muzeu i Elektroekonomisë në Prizren. Si asete të reja për këtë nismë figurojnë Kulla e Ministerit në Pejë e galeria e arteve “Agim Çavdarbasha” në Çagllavicë, Prishtinë
Ministria e Kulturës është vënë sërish në kërkim të organizatave joqeveritare për t’i funksionalizuar disa prej aseteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të vendit. Kësaj radhë në listë është edhe parku arkeologjik “Ulpiana”. Aty zë vend edhe Kalaja e Prizrenit për të cilën vjet MKRS-ja kishte dështuar ta bëjë funksionalizimin me OJQ. Njëjtë pas dështimit të vitit të kaluar tash në listë janë edhe “Burgu i Idealit” në Prishtinë e Hidroelektrana - Muzeu i Elektroekonomisë në Prizren. Si asete të reja për këtë nismë figurojnë Kulla e Ministerit në Pejë e galeria e arteve “Agim Çavdarbasha” në Çagllavicë, Prishtinë.
Nëpërmjet thirrjes publike, qëllimi është që periudha e zbatimit të programit të jetë tre vjet. Për Kalanë e Prizrenit dhe “Ulpianën” mbështetja financiare do të jetë prej 50 mijë në 100 mijë euro në vit. Kurse për monumentet e tjera prej 20 mijë deri në 60 mijë euro në vit.
Te Kalaja e Prizrenit dhe “Ulpiana” ideja është që të zbatohen planet e menaxhimit.
Në dhjetor të vitit 2020 ishte miratuar Plani i Menaxhimit të Kalasë së Prizrenit. Sipas Planit, ky aset i trashëgimisë kulturore duhet të ketë 16 punonjës. Prej korrikut të 2022-s, Ministria e Kulturës ka emëruar edhe njësinë menaxhuese për Kalanë. Çdo vit aseti ku janë investuar mbi një milion euro përballet me probleme thelbësore. Ngelet pa punonjës e muzeu brenda kompleksit i mbyllur. Njëjtë edhe në pranverën e sivjetme. Në pranverën e sivjetme nuk ka ekzistuar mirëmbajtja. Në cilindo drejtim që nisen vizitorët nuk marrin vesh gjë. Tabelat informuese i ka bjerrë koha. Shërbejnë veç si pamje të shëmtuara e relikte që dëshmojnë moskujdesin e shtetit. Shtigjet e drunjta kanë degraduar deri në masën sa rrezikojnë vizitorët. Janë arnuar me dërrasa, por si opsion që i ka shëmtuar, e ka rritur pak sigurinë. Degradimi i shtigjeve është i nivelit aq sa para më shumë se një viti, një vizitor e kishte lëshuar pjesa e shtegut ku po ecte. Ishte lënduar dhe kishte shkuar në Polici për ta paraqitur rastin me akuzën se ka pësuar në monumentin e menaxhuar nga shteti. Juridikisht shteti është përgjegjës për atë pjesë, por në praktikë nuk merr kush pikë përgjegjësie.
Kurse sa i përket parkut arkeologjik “Ulpiana” në tetor të vitit të kaluar – shtatë vjet pasi u shpall park arkeologjik – është bërë me plan menaxhimi. Njëjtë si Kalaja, edhe ky aset ngelet shpesh pa punëtorët që angazhohen me kontrata të përkohshme. Plani i menaxhimit as që ka nisur të zbatohet, përjashto shpronësimin.
Dokumenti prej 47 faqesh është një lloj manuali i menaxhimit të Parkut Arkeologjik deri më 2027. Aty përfshihen prej deklaratës së rëndësisë, vizionit, brendimit, historikut, fushat e veprimit e deri te plani i veprimit.
Në skemën e organizimit dhe funksionimit të Parkut do të jetë Bordi drejtues me pesë anëtarë: menaxheri ose përgjegjësi i Parkut dhe stafi profesional e ai administrativ. Te stafi profesional do të ketë një arkeolog, një konservator, dy ciceronë dhe një kurator. Kurse te stafi teknik: katër mirëmbajtës, katër persona për sigurim fizik dhe planifikohet një kafene e dyqan suveniresh. Shërbimet shtesë ishin paraparë qysh në projektin e Parkut, por nuk ishin realizuar asnjëherë.
Themelimi e funksionimi i laboratorit e hartimi i planit të konservimit janë paraparë të përfundohen deri më 2026. Kërkimet arkeologjike do të zhvillohen në vazhdimësi.
“Themelimi i njësisë menaxhuese; Integrimi i shtigjeve të ecjes dhe aseteve të tjera si Manastiri i Graçanicës, Veletini, Kishnica, rrjetit të gjurmëve dhe galerive të minierave antike në arealin e Shashkocit dhe Janjevës e të tjera, në kuadër të ofertës turistike”, janë synimet me prioritet të mesëm e që llogaritet të përfundohen deri më 2028. Për këto pika përgjegjës kryesorë janë Ministria e Kulturës dhe Instituti Arkeologjik. Te themelimi i njësisë menaxhuese ka dy afate. Në një tjetër rast shkruhet se afati i fundit është viti 2026.
Vendosja dhe shtrirja e rrjetit të instalimeve elektrike, makinave, ujësjellësit dhe kanalizimit, nyjave sanitare, janë plane që duhet të përfundojnë deri më 2025. Kurse vendosja e infrastrukturës së nevojshme për akomodimin e stafit dhe veprimtarisë kërkimore shkencore në terren ka kohë deri më 2028.
Sipas planit të menaxhimit, Parku do të shfrytëzohet si hapësirë multikulturore për organizim të aktiviteteve të ndryshme, si shfaqje dhe performanca historike, dizajn kostumesh tradicionale, festivale kulturore të integruara, punëtori dhe trajnime, ekskursione shkollore e deri tek ofrimi i biletave me pako të kombinuara.
Për Kalanë e Prizrenit dhe “Ulpianën” sipas thirrjes publike kërkohet nga ojq-të bashkëpunimi i plotë me Njësinë Menaxhuese, Institutin Arkeologjik të Kosovës, Departamentin e Trashëgimisë Kulturore brenda Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe institucioneve vartëse të saj dhe institucionet tjera.
“Hartimi i konceptit të integruar të vlerave të trashëgimisë kulturore për shfrytëzim të qëndrueshëm të Kalasë për përfitim social, ekonomik dhe kulturor; Hartimi i metodologjisë dhe planit dinamik të punës për zbatimin e aktiviteteve të Planit të Veprimit të Planit të Menaxhimit të Kalasë së Prizrenit, në koordinim të ngushtë me Njësinë Menaxhuese, MKRS dhe institucionet vartëse të saj”, janë po ashtu detyra. Kërkohet angazhimi në kuadër të OJQ-së i stafit me përvojë për realizimin e aktiviteteve të Planit të Veprimit e po ashtu hartimi dhe zbatimi i mekanizmave financiarë dhe ekonomikë për gjenerim të burimeve, të cilët do të përdoren për ngritjen e fondeve për implementimin e Planit të Menaxhimit.
“Hartimi i planit vjetor financiar, në koordinim dhe bashkëpunim me Njësinë Menaxhuese, për zbatim të aktiviteteve të Planit të Veprimit”, shkruhet në thirrjen publike.
Vjet kur MKRS-ja për herë të parë kishte tentuar që ta realizonte këtë nismë KOHA e kishte pyetur këtë institucion se përse nuk angazhohet staf profesional që këto monumente të jenë institucione më vete, që menaxhohen sikurse institucionet e tjera shtetërore. MKRS-ja e konsideronte ndryshe.
“Këto pesë monumente janë institucione më vete, në kuadër të MKRS-së, të cilat po i fuqizojmë përmes programeve të ndryshme, duke filluar nga ndërhyrjet fizike restauruese, planet e menaxhimit, angazhimi i stafit, dhe tani edhe përmes ftesës për angazhim të organizatave joqeveritare, që kanë ekspertizë dhe njohuri në fushën e promovimit dhe zhvillimit të kulturës”, shkruhej në përgjigje. Por, për shumicën e këtyre monumenteve nuk ka akte të themelimit si institucione.
Sipas përgjigjeve të MKRS-së, shoqëria civile është partner strategjik në zhvillimin dhe zbatimin e politikave dhe programeve të MKRS-së. Në përgjigje shkruhet se kjo iniciativë, përmes kësaj thirrjeje është një nga format konkrete të fuqizimit të këtij partneriteti.
“Përmes kësaj thirrjeje synojmë të zhvillojmë modelin e partneritetit publiko-civil si metodologji e avancuar dhe model evropian, duke rritur kapacitetet promovuese të monumenteve të lartcekura dhe mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm”, shkruhej në përgjigje. Sipas institucionit më të lartë kulturor në vend, organizatat fituese të kësaj thirrjeje do të bashkëpunojnë ngushtë me profesionistët e institucioneve vartëse të MKRS-së, dhe njësitë menaxhuese në kuadër të MKRS, për të zhvilluar aktivitetet e parapara në kuadër të projekteve të funksionalizimit.