Kulturë

Shteti merr përsipër dokumentimin e jetës dhe veprës së Bekim Fehmiut

Nën organizim të shtetit, të martën në “Kino Armata”, është shënuar 85-vjetori i lindjes së aktorit me nam, Bekim Fehmiu. Qeveria ka bërë me dije se po bën hapa konkretë për ta nderuar atë. “E ndiej obligim personal dhe shtetëror nderimin, mbrojtjen dhe dokumentimin e jetës dhe veprës së Bekim Fehmiut”, ka thënë kryeministri Albin Kurti. Në kuadër të ceremonisë është ndarë edhe çmimi kombëtar për vepër jetësore për kinematografi, “Bekim Fehmiu” të cilin e ka marrë drejtori i fotografisë Afrim Spahiu, përderisa Çmimin vjetor për kinematografi e ka marrë regjisorja More Raça

Me fotografinë bardhezi në ekranin e madh, aty ku ai shkëlqeu si rrallëkush, në ceremoni shtetërore është përkujtuar në 85-vjetorin e lindjes, aktori kosovar me nam botëror, Bekim Fehmiu. Fotografia dyngjyrëshe të martën mbrëma, i ka shkuar fort për shtat titullit të autobiografisë së tij “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”.

Shkëlqimi e ka ndjekur si hija trupin kudo që ka shkuar. E në ditëlindjen e tij është njoftuar se do të nisë puna për dokumentimin e veprës së Fehmiut, në mënyrë që copëzat e mozaikut të tij krijues të shkëlqejnë bashkë.

Në kuadër të ceremonisë në kujtim të figurës së Fehmiut i lindur më 1 qershor 1936, është ndarë edhe çmimin kombëtar për vepër jetësore për kinematografi, “Bekim Fehmiu” si dhe Çmimi vjetor për kinematografi. Nga “Kino Armata” në Prishtinë, udhëheqësit institucionalë kanë treguar se shteti do të kthejë kokën nga krijimtaria e aktorit të pashoq në këto anë.

Figurë qendrore e identitetit kulturor

I pranishëm në ceremoninë përkujtimore në kujtim të Bekim Fehmiut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në kujtesën kolektive dhe personale, gdhenden ngjarje dhe personalitete të ndryshme gjatë përjetimeve jetësore. Sipas tij, si fëmijë e të rritur në çdo moshë njerëzit përvetësojmë me e pa vetëdije imazhe nga kultura e vet dhe kultura të tjera.

Image

“Qeveria e Kosovës së bashku me institucionet e kulturës, me kujdes do të kurojë një program vjetor dhe të përhershëm për nder të Bekim Fehmiut”, ka thënë kryeministri Kurti


“Aty gjenden një pafundësi e figurave që formësojnë identitetet tona të ndryshme në sensin kulturor, shijet e ndryshme, perceptimin estetik dhe ndërveprimin tonë me artin dhe kulturën. Një nga figurat qendrore të këtij identiteti kulturore padyshim që është Bekim Fehmiu”, ka thënë ai. Për shkak të profesionit që kishte, Kurti për Fehmiun ka thënë se është sa i popullit të tij aq edhe i të tjerëve.

“Sa shqiptar, aq edhe universal”, ka thënë Kurti derisa ka shtuar se Bekim Fehmiu pati një karrierë të spikatur me mbi 40 filma, me filmin “Mbledhësi i puplave” që mori dy çmime në Cannes dhe nominimin për “Oscar”. Ai ka përmendur se shumë shfaqje teatrore dhe seriale ku ka luajtur Fehmiu, kanë përshkuar Evropën e Hollywoodin.

“Ai me rolet e tij shpaloste talent të rrallë artistik. E ndiej obligim personal dhe shtetëror nderimin, mbrojtjen dhe dokumentimin e jetës dhe veprës së Bekim Fehmiut. Qeveria e Kosovës së bashku me institucionet e kulturës me kujdes do të kurojë një program vjetor dhe të përhershëm për nder të Bekim Fehmiut”, ka thënë ai. Sipas Kurtit, duke e mbrojtur figurën e Fehmiut, Kosova nderon kombin dhe e promovon kulturën e vet në botë.

Ne ceremoni është bërë me dije se ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka marrë vendim për emërimin e grupit punues për hartimin e planit shtetëror për nderimin, mbrojtjen dokumentimin dhe promovimin e veprimtarisë së aktorit kosovar me famë botërore. Fadil Hysaj, Milazim Salihu, Fahri Musliu, Melihate Qena, Agon Fehmiu, Vlora Nikqi, Jehona Shyti, Bislim Bislimi, Ilir Gjocaj, Lum Çitaku dhe Burim Susuri, janë anëtarët e grupit punues.

Bekimi i miqve

Në emër të familjes Fehmiu, komunitetit artistik të pranishëm në ceremoni u është drejtuar nipi i Bekim Fehmiut, Agoni. Ai ka thënë se Kosova e ka nderuar deri me tash Bekim Fehmiun duke themeluar çmimin kombëtar për veprimtarisë jetësore në kinematografi, “Bekim Fehmiu” dhe me lansimin e pullës postare “Bekim Fehmiu” me iniciativën e mikut të aktorit, Milazim Salihut.

Agon Fehmiu të pranishmeve ua ka përcjellë përshëndetjet e Arsim Fehmiut, vëllait të aktorit. Po ashtu ka lexuar edhe një porosi të bashkëshortes së aktorit, Branka Petriq.

“Më vjen keq që nuk mund të jem në mesin tuaj për të përshëndetur nismën e të gjithë atyre që kanë punuar dhe po punojnë për ta kujtuar figurën e Bekim Fehmiut”, ka cituar ai letrën e aktores Petriq e cila jeton në Beograd. Petriq po ashtu ka shkruar se Fehmiu ka ikur nga kjo botë ashtu siç ka pasur dëshirë – në heshtje. Sipas saj, atij nuk do t’i pëlqente të bëheshin ceremoni për të. Por sipas Petriq, nderimi i Fehmiut është nderim i kulturës.

Miku i Bekim Fehmiut i cili e ka shoqëruar atë sa herë që aktori ishte në Prishtinë, Milazim Salihu ka thënë se shteti më në fund po bën diçka për figurën Bekim Fehmiut. Ai ka thënë se gjithmonë e kanë kujtuar atë në “Kinemanë ABC”. Ka thënë se artistët e kanë për privilegj të shpërblehen me Çmimin që mban emrin e Bekim Fehmiut.

“E kanë për nder ta kenë në shtëpi çmimin ‘Bekim Fehmiun’”, ka thënë ai.

Si mik i Fehmiut ka folur edhe aktori Enver Petrovci. Ai ka kujtuar se në Ditën e Flamurit shqiptar, Fehmiu vishej sikur të shkonte në takim me ndonjë mbret. Me këtë ka dashur të tregojë se si Fehmiu e respektonte Ditën e Flamurit.

“Vinte në banesën time me një tufë lule dhe ma uronte Ditën e Flamurit”, ka kujtuar ai derisa nuk i ka mbajtur lotët. “Faleminderit që po e respektoni artistin tonë. Po i thonë se është me prejardhje shqiptare. Përndryshe, ai ka pasur nënë e babë e gjysh shqiptar. Kur e kanë festuar ata Ditën e Flamurit disa kuazipatriotë as nuk e kanë ditur çka është flamuri”, ka thënë ai.

Afrim Spahiu, laureat i çmimit kombëtar për vepër jetësore në kinematografi, “Bekim Fehmiu”

Image

“Bekimi sa herë që na shihte edhe nga largësia na jepte një sinjal që donte të na shihte. Ajo zemërgjerësi ishte karakteristikë e tij”, ka thënë drejtori i fotografisë, Afrim Spahiu, pasi ka marrë çmimin kombëtar për vepër jetësore, “Bekim Fehmiu”


Ashtu siç e përcakton Rregullorja, gjë që nuk është respektuar vjet, të martën, në ditën e lindjes së Fehmiut janë ndarë edhe çmimet në kinematografi. Afrim Spahiu është vlerësuar me çmimin kombëtar për vepër jetësore në kinematografi, “Bekim Fehmiu”. Kurse regjisorja More Raça me Çmimin vjetor për kinematografi.

“Me një kontribut mbi 40-vjeçar në lëmin e fotografisë dhe kinematografisë dokumentoi ngjarje të shumta të vendit tonë dhe ishte prapa kamerës në filmat e shumë regjisorëve kosovarë”, ka thënë në emër të jurisë, regjisorja Blerta Zeqiri derisa ka lexuar motivacionin për ndarjen e çmimit “Bekim Fehmiu”

E laureati, Afrim Spahiu, ka thënë se në të gjitha takimet që i bënin në festivalet e Beogradit, Zagrebit e vende të tjera, aty ishte edhe Bekim Fehmiu.

“Bekimi sa herë që na shihte edhe nga largësia na jepte një sinjal që donte të na shihte. Ajo zemërgjerësi ishte karakteristikë e tij. Ajo butësi dhe fjalët e bukura na dhanë zemër që të kemi vullnet të mbërrijmë në shkallët që ai i kishte mbërritur në kuluaret botërore”, ka thënë Spahiu, ish-drejtor i fotografisë në “KosovaFilm”. Ka thënë se i ka ngelur merak që nuk ka bërë një film me Bekim Fehmiun.

“Bekimi ishte profesionist i shkallës së parë. Nuk donte të dëgjonte për ndonjë marrëveshje kompromisi”, ka thënë laureati i Çmimit që për vlerë monetare ka shumën prej 5 mijë eurove.

Image

“Sot jam jashtëzakonisht e nderuar dhe e privilegjuar në pranimin e këtij Çmimi. Në të njëjtën kohë, është një motiv i jashtëzakonshëm që të vazhdoj punën për avancimin e kinematografisë kosovare”, ka thënë regjisorja More Raça, laureate e Çmimit vjetor për kinematografi


E regjisorja More Raça, pas pranimit të Çmimit vjetor për kinematografi nga kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Kosova ka një kinematografi të re dhe në zhvillim. Sipas saj, ka shumë kineastë të mrekullueshëm të cilat përkundër sfidave dhe problemeve me të cilat ballafaqohen, punojnë me shumë dashuri dhe insistim për krijimin e veprave të suksesshme kinematografike.

“Sot jam jashtëzakonisht e nderuar dhe e privilegjuar në pranimin e këtij Çmimi. Në të njëjtën kohë është një motiv i jashtëzakonshëm që të vazhdoj punën për avancimin e kinematografisë kosovare”, ka thënë ajo.

Pas ceremonisë është shfaqur filmi “Mbledhësi i puplave” nën regji të Aleksandar Petroviqit, fitues i çmimit “Grand Prix” në Festivalin Cannes, 1967. Me Bekim Fehmiun si protagonistin kryesor (Beli Bora), filmi ka shpalosur tensionet e një komuniteti rom, ku një shitës lokal i puplave dashurohet me një vajzë shumë më të re në moshë.

Bekim Fehmiu u lind në Sarajevë, në vitin 1936, nga një familje e njohur gjakovare, ndërkohë që fëmijërinë e kaloi në Prizren. Ai u bë i famshëm në vitin 1966 pikërisht me filmin “Mbledhësit e puplave” dhe më pas pasuroi karrierën me filmat si: “Aventurieri”, “Të kuq dhe të zinjtë”, “Odiseu” dhe “Përgjithmonë Julia”, duke interpretuar në disa gjuhë dhe përkrah artistëve më të mëdhenj të kohës. Në vitin 1987 Fehmiu braktisi në mënyrë demonstrative shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, duke ia dhënë lamtumirën aktivitetit artistik në Jugosllavi.

Në vitin 2010, ai kishte kryer vetëvrasje në banesën e tij në Beograd, derisa bashkëshortja Branka Petriq, bashkë me dy djemtë, Uliksin dhe Hedonin, dhe familjarë të tjerë, patën çuar në vend amanetin e aktorit të ndjerë me hedhjen e hirit të tij në Lumbardhin e Prizrenit.