Kulturë

Shteti e jep me qira dhe ia ndërron veprimtarinë ish-“Kino Rinisë”

Ata që nuk e kanë ditur se dikur ishte kinema e kanë të vështirë ta identifikojnë përmes pamjes se për çfarë ka shërbyer ndërtesa. Tash ngjan me një gërmadhë që e ka bjerrë koha e njerëzit. Veç dyshemeja e pjerrët është shenjë e një kinemaje të dikurshme. Se çfarë mund të shërbejë ajo që ishte “Kino Rinia” në Prishtinë, nuk dihet ende. Varet se kujt ia ka dhënë me qira për një vit Agjencia Kosovare e Privatizimit

Salla e përdheses, që dikur kishte 850 karrige për ata që donin të shikonin filma, është e tjetërsuar. Ka kohë që aty janë zhvilluar aktivitete të tjera. Ishte diskotekë e edhe hapësirë e lojërave të fatit. Tash ngjan me një gërmadhë që e ka bjerrë koha e njerëzit. Veç dyshemeja e pjerrët është shenjë e një kinemaje të dikurshme. Se çfarë mund të shërbejë ajo që ishte “Kino Rinia”, në Prishtinë nuk dihet ende. Varet se kujt ia ka dhënë me qira për një vit Agjencia Kosovare e Privatizimit. Në konkursin e mbyllur muajin e kaluar për atë që titullohet “Hapësira afariste e tenderuar me sipërfaqe të përgjithshme prej 1722m2 është e ndarë në katër hapësira” janë dhënë dy oferta. Bëhet fjalë për ndërmarrjen shoqërore “Genci”, që menaxhon me atë që dikur ishte “Kino Rinia” në rrugën “Migjeni” dhe me Kinemanë ABC në rrugën “Rexhep Luci”, që ishte “Kino Vllaznimi”. Me vetë “Gencin” si kompani për distribuimin dhe shfaqjen e filmave menaxhon AKP-ja. Asetet e “Gencit” janë në likuidim qysh prej vitit 2014. Por nuk janë privatizuar ende.

Ligji për kinematografi përcakton se pa lejen e Qendrës Kinematografike të Kosovës nuk mund t’iu ndryshohet destinimi kinemave. Madje edhe nëse ato shiten.

“Kinemave në pronësi shoqërore ose publike, të privatizuara apo të dhëna me qira personave fizikë ose juridikë, vendës ose të huaj, nuk mund t’iu ndryshohet qëllimi i veprimtarisë pa pëlqimin e QKK-së”, shkruhet në nenin 8 të këtij ligji, që është në fuqi qysh prej vitit 2004. Po në atë vit ishte themeluar edhe Agjencia Kosovare e Mirëbesimit që më vonë është shndërruar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Sipas Zyrës për informim të AKP-së për asetin në fjalë janë pranuar 2 oferta për qiramarrje njëvjeçare. “Oferta me vlerën më të madhe është përzgjedhur oferta në shumën prej 8888 eurosh në muaj”, shkruhet në përgjigjet e AK-së për gazetën. Ky institucion ka sqaruar se ky aset është lëshuar me qira qysh në kohën kur është menaxhuar nga punëtorët e ndërmarrjes dhe ka vazhduar edhe nga momenti kur kjo ndërmarrje është futur në proces të likuidimit. “Pra, ka pasur qiramarrës para tenderimit të fundit për qiradhënie për asetin në fjalë”, shkruhet në përgjigje. Së fundmi është tentuar të bëhet një rinovim i hapësirave. Gazeta ka marrë vesh se bëhet fjalë për një ndërmarrës që posedon një rrjet marketesh. Por puna i ishte ndalur.

Sipas AKP-së, një pjesë e hapësirës së objektit ishte në proces renovimi për nevojat e qiramarrësit paraprak, por që këto punime janë ndaluar pas mosmarrëveshjeve në mes të qiramarrësit dhe qiradhënësit, që ka rezultuar me ndërprerjen e kontratës së qirasë. “Kur ky aset është tenderuar herën e fundit, të gjithë investitorët potencialë të cilët kanë shprehur interesimin e tyre në zyrat e AKP-së, janë njoftuar qoftë në takimet e aranzhuara, qoftë përmes vizitave në terren”, shkruhet në përgjigje. Zyrtarët e AKP-së nëpërmjet përgjigjeve kanë sqaruar se pjesa dërrmuese e pajisjeve të vjetra e të amortizuara kinematografike të cilat nuk kanë mundur të përdoren, janë zhvendosur më herët në pjesën tjetër të objektit ku janë zyrat e NSH “Genci”, ndërsa një pjesë e vogël e pajisjeve të cilat kanë mundur të shfrytëzohen janë bartur te Kinemaja ABC.

Sipas AKP-së, ky objekt pas luftës së fundit nuk ka mundur të funksionalizohet si kinema, sepse ka qenë e pamundur dhe hapësirat e brendshme të objektit kanë nevojë për investime të theksuara në veçanti nëse planifikohet të shfrytëzohet si kinema. Agjencia ka sqaruar se një pjesë e oborrit më vonë është shfrytëzuar si parking, ndërsa më nuk shfrytëzohet me kërkesë të Komunës së Prishtinës.

“Toka evidencohet në emër të Komunës së Prishtinës. Lidhur me këtë pronë, ju informojmë se ekziston kontest pronësor në mes të Ndërmarrjes Shoqërore (AKP) dhe Komunës së Prishtinës. Po ashtu, ju informojmë se AKP është në konsultim të vazhdueshëm me Ministrinë e Kulturës mbi kërkesën e kësaj ministrie që ky subjekt bashkë me asetet e saj të marrë një status tjetër përmes Ligjit për kinematografinë e Kosovës. Prandaj AKP nuk e ka planifikuar për shitje/privatizim deri në sqarimin përfundimtar qoftë të kontestit civil, qoftë të statusit të subjektit në koordinim me Ministrinë e Kulturës”, shkruhet në përgjigje.

Ministria e Kulturës numëron tetë vjet prej kur ka nisur ta bëjë plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për kinematografi. Më 2016 ky Projektligj ishte tërhequr nga Kuvendi i Kosovës në lexim të dytë. Deri te tërheqja ish-ministri i Kulturës, Kujtim Shala, kishte ardhur pas përplasjeve midis anëtarëve të komunitetit artistik nëse në juritë e QKK-së duhet të ketë anëtarë të huaj apo vetëm vendorë. Sivjet MKRS-ja prapë e ka në plan legjislativ plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për kinematografi.

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, ka thënë se nëpërmjet këtij ligjit të ri kinematë publike do të barten në pronësi të Ministrisë së Kulturës. Sipas tij, nuk është marrë leje nga QKK-ja që kinemasë kësaj radhe t’i ndryshohet destinimi. “Nuk është marrë leje për ndryshimin e destinimit ashtu siç e përcakton ligji”, ka thënë ai. Për çështjen e privatizimit ka edhe një komunikim zyrtar midis QKK-së dhe AKP-së.

Nëpërmjet një shkrese të korrikut të vitit 2018, QKK-ja i kishte kërkuar AKP-së që përkohësisht të pezullojë procesin e privatizimit të kinemave publike me arsyetimin se Ligji për kinematografi është në proces të plotësimit dhe ndryshimit.

“Në koncept-dokumentin i cili është në Qeveri, ndër të tjera, kemi kërkuar që të rregullohet edhe çështja e ‘KosovaFilmit’, Kinemasë ABC dhe të gjitha kinemave të tjera të cilat janë në proces të privatizimit/likuidimit derisa këto ndërmarrje të rregullohen me ligjin e ri”, shkruhet në shkresën që drejtori i QKK-së ia kishte dërguar Ekrem Hajdarit, asokohe drejtor i AKP-së.

Në përgjigjen që i ishte kthyer QKK-së sqarohej se “KosovaFilmi” nuk është në proces të likuidimit.

“Ndërsa, Kinematë ABC tanimë kanë hyrë në proces të likuidimit, mirëpo momentalisht nuk planifikohen shitje të tyre dhe jemi në konsultim me institucionet tona që të bashkërendojmë veprimet e ndërmarra për të gjitha kinematë që janë nën administrim të AKP-së me qëllim të ruajtjes së vlerave të këtyre aseteve, gjë që përfshin edhe pritjen për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për kinematografi”, shkruhet në përgjigjen e gushtit të vitit 2018.

Milazim Salihu për 15 vjet ka udhëhequr ndërmarrjen për distribuimin dhe shfaqjen e filmave “Genci”. Ndërmarrja ishte themeluar në vitin 2000. I ishte vënë emri i djalit të një prej punonjësve që ishte vrarë në luftën e fundit në Kosovë.

Salihu ka sqaruar se kinemaja ishte hapur më 1953. Sipas tij, gjatë viteve ’60 ishte djegur e rregulluar prapë. Ka thënë se Komuna e Prishtinës e kishte shpronësuar atë hapësirë me qëllim që ta bëjë kinemanë.

“Salla e madhe kishte 850 ulëse, e dyta 600, pastaj ajo e kinemasë ‘Vëllaznimi’ kishte 600 ulëse e ‘Kino Armata’ 600. Pra, ishin mbi 3000 ulëse kinemaje në Prishtinë”, ka thënë Salihu. Aktualisht nga ajo që ishte “Kino Rinia” vetëm salla në katin e sipërm ka karrige”. Salihu ka treguar se nuk kishte klientelë që të funksiononte si kinema. Ka kujtuar se më 2004 aty kishin mbajtur festivalin e filmit indian në Kosovë. Sipas Salihut, kinemaja kishte funksionuar edhe gjatë viteve ’90, por e menaxhuar nga serbët.

Pas luftës Kinemaja ABC ishte hapur më 24 maj të vitit 2000 me filmin “Kolonel Bunkeri” të regjisorit shqiptar Kujtim Çashku.

“Kinemaja ‘Rinia’ nuk funksiononte pasi nuk kishte shikues. Prej 2005 ose 2006 ja kemi nisur me e dhanë me qira. Pastaj ka qenë gjykata aty. Më pas diskotekë e së fundi kanë qenë lojërat e fatit”, ka thënë Salihu, i cili tash menaxhon me “Cineplexx” në Kosovë. Sipas Salihut, i cili tash e katër vjet nuk e menaxhon “Gencin”, kinemasë nuk bën t’i ndërrohet destinimi. “Me qira e japin për nga një vit. Nëse shitet, atëherë blerësi duhet ta bëjë prapë kinema. QKK-ja duhet të kujdeset për këto gjëra”, ka thënë Salihu.