Në shikim të parë do t’i dukej sikur shkatërrimi i shtëpive gjatë luftës në Kosovë ishte dëm kolateral. Por kur iu rrek ta zbërthejë atë që kishte ngjarë në terren, studiuesi britanik, Chandler Williams, gjeti se shtëpitë e shqiptarëve qenë shënjestër lufte. “Shkatërrimi ishte i targetuar në formë demografike. Sa më i lartë të jetë numri i shqiptarëve etnikë, aq më e madhe mundësia e shkatërrimit të shtëpive”, ka thënë Williams të enjten në ligjëratën e mbajtur në kuadër të Seminarit të Antropologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës
Kur përmendet lufta në Kosovë, dëmet në njerëz vijnë të parat në shprehje. Por hulumtimi i studiuesit britanik, Chandler Williams, sjell logjikën që qëndron pas këtyre shkatërrimeve. Studimi i tij me titull “Destroyed Differently: Heterogeneous Patterns of Wartime Destruction” shqyrton mënyrën se si dhe pse janë shkatërruar shtëpitë e civilëve gjatë luftës në Kosovë.
Hulumtimi i Williams sjell një qasje ndryshe. Gjetjet e tij e çojnë në tjetër logjikë shkatërrimin masiv të arkitekturës së vendit. Shënjestrimi në objekte të trashëgimisë kulturore dihet – humbja e identitetit të vendit. Por, goditja në shtëpi të civilëve, sipas studiuesit nga “Peace Research Institute” në Oslo, kishte ngritur një pyetje kryesore: Se pse shtëpitë e civilëve shkatërrohen gjatë luftës dhe se niveli i shkatërrimit ndryshon nga rajoni në rajon?
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSupozimi i tij, fillimisht ishte që kjo ndodhte si rezultat i drejtpërdrejtë i luftimeve. Por kur kishte krahasuar të dhënat për shkatërrimet me informacionet mbi numrin e luftëtarëve të vrarë në zona të caktuara – nga forcat serbe, ashtu edhe nga ato të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – vuri re një model interesant: sa më i madh ishte numri i të vrarëve në një lokalitet, aq më të mëdha ishin edhe shkatërrimet e shtëpive.
“Mendimi i parë ishte: thjesht si rrjedhojë e rrethanave të luftës. Por kur mora të dhënat dhe informacionet se sa forca të UÇK-së dhe ato serbe janë vrarë në këto lokalitete, gjeta atë që është e papritur. Që sa më i madh të jetë numri i të vrarëve aty, aq më të mëdha janë dëmtimet”, ka thënë studiuesi Williams.
Në të dhënat e projektuara nga hulumtimi i zbërthyer në një ligjëratë në kuadër të Seminarit të Antropologjisë, në bazë të deklaratave të të intervistuarve shihet se si të mbijetuarit e luftës tregojnë se në fshatra ushtarët ishin gjithandej, ndërsa ish-ushtarë serbë rrëfejnë se u ishin dhënë detyra për të shkatërruar gjithçka, sepse u ishte thënë se ushtarët e UÇK-së ishin aty.
E, këtë Williams e ka ilustruar me të dhënat e “IMG Report” të 1999-s. Sipas Williams, “menjëherë pas përfundimit të luftës janë mbledhur të dhëna në çdo fshat e qytet një nga një për shkatërrimet si pasojë e luftës”.
Kjo tregon se shkatërrimi në luftë nuk ishte thjesht brenda natyrës e rrethanave të luftës. Në shumë raste ai ka qenë pjesë e një logjike të caktuar të luftës.
“Shkatërrimi ishte i targetuar në formë demografike. Sa më i lartë të jetë numri i shqiptarëve etnikë, aq më e madhe mundësia e shkatërrimit të shtëpive”, ka thënë Williams, hulumtimet e të cilit përqendrohen në viktimat civile, shkatërrimet gjatë luftës dhe sulmet ndaj trashëgimisë kulturore. Ai planifikon që edhe më shumë të hulumtojë rreth Kosovës.
Përpara doktoratës ka mbajtur pozitën e asistentit kërkimor në projektet “Views” dhe “Anticipate”. Trajnimin akademik e ka marrë në Universitetin e Oslos, ku ka diplomuar në nivelin master në drejtimin Filozofi në Studimet e Paqes dhe Konfliktit. Në mbarim të këtyre studimeve shkroi tezën e tij, me temën “Ndërhyrjet ushtarake vetëm me sulme ajrore dhe pasojat e tyre civile”. Ai e flet edhe gjuhën shqipe pasi prej tre vjetësh jeton në Kosovë, por ligjërata e tij është zhvilluar në gjuhën angleze.
Ka thënë se gjatë qëndrimit në Kosovë ka dëgjuar shumë histori lufte, të cilat e kanë bërë kureshtarë për ta studiuar atë.
“Kam dëgjuar për luftën nga perspektiva e tyre, por doja të hulumtoja dhe të mësoja më shumë. Sa më shumë që lexoj, i kuptoj historitë e tyre, humbjet e tyre, civilë që kanë vuajtur dhe kanë humbur të dashurit e tyre. Janë histori që duhet të kujtohen. Mendova se kjo është pika ku duhet të gjurmoj më shumë. Kam marrë arkiva nga gazetat e ‘The New York Times’ dhe kam lexuar artikull pas artikulli. Mendova se atje duhet të ketë dokumentime për shkatërrimet e luftës. Por ka qenë shumë e vështirë të gjenden”, ka thënë studiuesi britanik.
Dokumentimi i drejtpërdrejtë i shkatërrimeve në nivel të detajuar ka qenë i kufizuar.
Për këtë arsye, një nga burimet më të rëndësishme të studimit të tij janë të dhënat nga raporti “IMG Report” i vitit 1999, i hartuar menjëherë pas përfundimit të luftës. Ky raport përmban të dhëna të mbledhura në terren, fshat për fshat dhe qytet për qytet, ku janë klasifikuar shkallët e shkatërrimit – nga dëmtimet e lehta, si grafitet dhe vandalizmi, deri te shkatërrimi total i shtëpive. E ato i janë prezantuar edhe publikut me ilustrime grafike. Një e tillë është edhe ajo ku dëshmohet se shkatërrimet janë shumë më të theksuara në pjesën qendrore të Kosovës dhe në atë perëndimore.
Studimi i Williams thekson se shkatërrimet gjatë luftës zakonisht nuk dokumentohen në mënyrë të plotë. Shpesh analizat fokusohen vetëm në një qytet apo rajon të caktuar dhe jo në të gjithë territorin.
Megjithatë, nga analiza e të dhënave ai identifikon dy logjika kryesore të shkatërrimit: shkatërrimi për të eliminuar, kur shtëpitë e civilëve sulmohen për të larguar ose zhdukur grupe të padëshiruara nga një territor dhe shkatërrimi për të mohuar, kur dëmtimi i shtëpive synon të dobësojë aftësinë e civilëve për të mbështetur një forcë ushtarake kundërshtare. Duke u bazuar në këtë, autori i hulumtimit ka thënë se “shtëpitë nuk u shkatërruan për shkak të asaj çfarë bënë civilët, porse për shkak të asaj se kë strehuan”.
Në hulumtim, termi “eliminim i viktimizimit” gjithashtu trajtohet në kontekst të shkatërrimit të shtëpive të civilëve. Kjo, sipas Williams, vjen si ide e shkatërrimit me qëllim të dëbimit të shqiptarëve nga territori i tyre. E term tjetër krahas tij është “viktimizimi i detyrueshëm”.
“Ideja është që civilët shënjestrohen dhe vriten për të okupuar hapësirën, territorin. Kjo i detyron ata të lënë vendin, të migrojnë, ose të vriten duke u siguruar që nuk janë më aty. Viktimizimi i detyrueshëm është më ndryshe, jo vetëm për të larguar njerëz nga vendi, por përdoret për të kombinuar individët, grupet ose shtetet për të ndërmarrë veprime të caktuara ose për t'i penguar ata të fillojnë veprime të padëshirueshme”, ka thënë Williams.
Përfundimi kryesor i studimit të tij është se shtëpitë e civilëve nuk janë shkatërruar vetëm si pasojë e dëmeve kolaterale të luftës.
Seminari u zhvillua në kuadër të temës bosht “Kujtesa e luftës”, një seri ligjëratash që gjatë vitit akademik 2025–2026 trajton dimensione të ndryshme të përvojës së luftës dhe pasojave të saj. Në këtë kontekst, Williams prezantoi studimin e tij.
Më 30 tetor të vitit të kaluar, shkrimtari britanik, Ade Clewlow, ka mbajtur ligjëratë me titull “The importance of dignity in post-conflict Kosovo”, ndërsa më 27 nëntor, Armend Bekaj nga Departamenti i Kërkimeve për Paqen dhe Konfliktin nga Universiteti i Upsalës në Suedi ka mbajtur ligjëratë me titull “’Shpata me dy teha’ e hyrjes në politikë: Çfarë ndodh kur ushtarakët ndërtojnë institucione demokratike?”
Më 18 dhjetor, Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka folur në temën “Kujtesa kolektive dhe dhuna seksuale në kohë lufte: Narrativat, heshtja dhe drejtësia”, Abit Hoxha nga Departamenti i Studimeve Nordike dhe Medias në Universitetin e Agder në Norvegji ka ligjëruar në temën “Dikotomia (dyzimi) e kujtesës: Përvojat e drejtpërdrejta dhe të tërthorta të luftës në Kosovë dhe ndërtimi i narrativës së luftës”, ndërsa profesori i Shkencave Politike në UP, Anton Vukpalaj, më 26 shkurt ka trajtuar temën “Kujtesa, mohimi dhe trashëgimia: Lufta e Kosovës në kontekstin e luftërave të viteve 1990 në ish-Jugosllavi”.
Në kuadër të Seminarit pritet të ligjërojnë edhe Liridon Lika, gjithashtu nga departamenti i Shkencave Politike, me temën “Ushtria Çlirimtare e Kosovës: Dinamika e një lëvizjeje të armatosur dhe trashëgimia e saj”, Atdhe Hetemi nga Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës së Kosovës, me temën “Pse dokumentojmë: Vështrime reflektuese mbi rrugëtimin e Kosovës drejt dokumentimit të krimeve të luftës” dhe Rozafa Berisha nga Departamenti i Antropologjisë, me temën “Rrëfime të përditshme: Kujtesa e humbjes së fëmijëve të zhdukur në Kosovën e pasluftës”.