Monumenti gati njëshekullor ka edhe një kapitull dy dekadash nismash e dështimesh për ta restauruar, bashkë me zjarrin që e kaploi e me vendime për ta rrafshuar. Ashtu sikurse edhe disa vjet më parë, edhe tash shtëpia e Xhafer Devës – një figurë jo rrallë kundërthënëse e historisë shqiptare – është e braktisur, por institucionet janë të vendosura që asaj t’ia rikthejnë shkëlqimin. Përderisa nja 100 mijë euro janë shpenzuar deri tash dhe rezultati është krejt minor, projekti që do ta konkretizojë restaurimin e konservimin e monumentit është në prag të nisjes. Kostoja: 300 mijë euro. Afati i përfundimit vjeshta e sivjetme
Shishet e zbrazëta të birrave para shkallëve të derës së hyrjes janë tregues se ndërtesa trajtohet si objekt i braktisur. Realisht këtë pamje e ka edhe nga distanca. Por gjatë këtij viti synohet që shtëpia e cila pos bodrumit ka edhe tri kate të “kthehet në jetë”.
Shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë ishte prej objekteve më monumentale në qytet. Fasada i kishte sjellë qytetit frymë perëndimore të arkitekturës më 1930, kur edhe daton se u ndërtua shtëpia e një prej mitrovicasve më të njohur të asaj kohe. Nëpërmjet një projekti të ri synohet që monumentit t’i kthehet shkëlqimi.
Sivjet planifikohet të marrë epilog tentimi njëdekadësh që monumenti të restaurohet e konservohet.
Një kapitull i ri për monumentin njëshekullor
Sikurse jashtë, edhe brenda gjendja është pothuajse e njëjtë
Restaurimi do të bëhet në kuadër të programit “Trashëgimia kulturore si nxitëse për dialogun ndërkomunitar dhe kohezionin social”. Projekti i hartuar nga “CHwB Kosova” bashkëfinancohet nga Zyra e Instrumentit për Stabilitet dhe Paqe të BE-së dhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Implementimi bëhet nga UNDP-ja.
Synimet janë që kati përdhes të shndërrohet në ambient kulturor, ku mund të ketë ekspozita, e dy katet e mësipërme të jenë seli të Qendrës Rajonale për Trashëgiminë Kulturore në Mitrovicë.
Vlerat që ka shtëpia sa i përket historisë së arkitekturës në Mitrovicë janë të mëdha. E ish-pronari i saj, Xhafer Deva – ministër i Brendshëm i Shqipërisë prej vitit 1943 deri më 1944 në kuadër të Këshillit të Regjencës – është figurë polarizuese e historiografisë. I takoi Qeverisë që për disa historianë synonte një Shqipëri të Madhe, e për disa të tjera ishte bashkëpunëtor i pushtuesve nazistë.
Por në shtëpinë katërkatëshe, që e kishte ndërtuar në Mitrovicë, nuk jetoi asnjëherë.
“Synohet që deri në fund të shtatorit ose në tetor të përfundojnë punimet”, ka thënë Rreze Loxha-Vitaku, drejtoreshë e QRTK-së së Mitrovicës. Të enjten ajo ka hapur derën e monumentit. Sikurse jashtë edhe brenda gjendja është pothuajse e njëjtë. Midis kateve më 2018 i janë vënë pllaka betoni të kombinuara me tulla të llojit që në gjuhën e ndërtuesve janë “monta”. Nuk janë aspak të preferuara, por, sipas Loxha-Vitakut, ishin vënë që të forcohej statika e ndërtesës. Më 2015 shtëpia qe përfshirë nga zjarri. E restaurimi duhet të përfshijë të gjitha instalimet në mënyrë që ndërtesa të jetë funksionale.
“Do të ruhen dekorimet që janë karakteristike për fasadën. Ato që janë dëmtuar shumë do të kopjohen me kallëp”, ka thënë Loxha-Vitaku.
Sipas saj, edhe brenda do të ketë kujdes që disa pjesë të mureve që jenë në tulla siç janë edhe sot.
Prej zjarrit e vendimit për rrënim deri te funksionalizimi
Projekti i hartuar nga “CHwB Kosova” bashkëfinancohet nga Zyra e Instrumentit për Stabilitet dhe Paqe të BE-së dhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Implementimi bëhet nga UNDP-ja. Synimet janë që kati përdhes të shndërrohet në ambient kulturor ku mund të ketë ekspozita, e dy katet e mësipërme të jenë seli të Qendrës Rajonale për Trashëgiminë Kulturore në Mitrovicë
Arkitekti Nol Binakaj, nga fondacioni kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Kosova), ka thënë se jashtë do të trajtohet fasada. Janë bërë më shumë se një dekadë kur është zhveshur fasada paraprake dhe ndërtesa ka ngelur në tulla të kuqe.
“Do të trajtohen pjesët dekorative të dëmtuara dhe do të bëhet konsolidimi i mureve pasi ka qëndruar shumë gjatë e zhveshur dhe tullat janë të dëmtuara në disa vende”, ka thënë Binakaj. Sipas tij, brenda do të punohet komplet enterieri. Ka thënë se janë paraparë krejtësisht instalime të reja në mënyrë që të funksionalizohet ndërtesa.
“Do të trajtohet edhe rrethina, do të mbillen drurë e do të ketë ndriçim. Po ashtu do të jenë nja dy parkingje”, ka thënë ai. Tavanet do të kenë rrjetë metalike, kurse suvatimi i mureve do të bëhet deri në një nivel shkaku i instalimeve.
“Pjesa tjetër do të jetë zhveshur, siç janë tullat”, ka thënë Binakaj. Të njëjtat i ka shpjeguar edhe Loxha-Vitaku. Shumica e kornizave të dyerve janë të kalbura dhe do të ndërrohen, ashtu sikurse edhe ato të dritareve. Krejt do të jenë të drurit.
“Do të tregohet se është bërë një intervenim i kësaj kohe dhe disa dyer do të kenë një vulë të kohës sonë”, ka thënë Binakaj. Projekti është miratuar edhe në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
Historia e ndërhyrjeve në këtë monsunet daton qysh prej vitit 2010. Janë nënshkruar disa kontrata, janë bërë ndërhyrje emergjente e restauruese. Më 2015 shtëpia qe përfshirë nga zjarri dhe për shumëkënd bëhej fjalë për zjarrvënie të qëllimshme, por një gjë e tillë ka ngelur në kuadër të aludimeve. Më pas, më 2018, ka nisur procesi tjetër i ndërhyrjeve që ishte ndërprerë pas vendosjes së pllakave.
MKRS-ja zyrtarisht ka shpenzuar 92 mijë e 996 euro deri më tash sa i përket këtij monumenti. Për sivjet ka paraparë 100 mijë euro. Projekti i ri, ku MKRS-ja është investitor së bashku me Zyrën e Instrumentit për Stabilitet dhe Paqe të BE-së, kap shifrën e 300 mijë eurove.
Sikurse zyrtarët e QRTK-së së Mitrovicës, edhe ata të “CHwB Kosova” duken shpresëplotë se vjeshta e këtij viti do t’ia kthejë shkëlqimin monumentit. Por shtëpia është e rrethuar me ndërtime të larta nga të tria anët. Distanca që përcakton ligji prej 50 metrave nuk ka vlejtur në raport me këtë shtëpi. Vetëm ana nga sheshi “Mehë Uka” ka mbetur pa shumëkatëshe afër monumentit.
Bile, në korrik të vitit 2016, Komuna e Mitrovicës, që asokohe udhëhiqej nga kryetari Agim Bahtiri, kishte nxjerrë vendim për rrënimin e Shtëpisë së Xhafer Devës.
Duke e konsideruar si objekt që paraqet rrezik për qytetarët, Komuna e Mitrovicës kishte urdhëruar zyrtarët e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë që të “rrënojnë (sanojnë)” monumentin që mbrohet me ligj si aset i trashëgimisë kulturore të Kosovës. “Urdhërohet QRKT, personi juridik (bashkëpunëtor profesional) Hylki Salihu... që menjëherë të RRËNOJË (sanojë) objektin pasi paraqet rrezik për vetërrënim. Nëse i lartpërmenduri e refuzon ekzekutimin e këtij aktvendimi, ekzekutimi do të bëhet në mënyrë të dhunshme”, shkruhej në aktvendimin e 12 korrikut 2016 të nënshkruar nga inspektori komunal i ndërtimit, Shyqeri Krasniqi. Pas reagimit të QRKT-së dhe Ministrisë së Kulturës, Komuna e Mitrovicës qe zmbrapsur nga ky aktvendim.
Shtëpia e Xhafer Devës (1904-1978) ka karakteristika të veçanta. “Karakteristikë e shtëpisë është se në mesin e fasadës veriore është i paraqitur qoshku (çardaku i mbyllur), ndërsa në fasadën jugore, pamje kjo nga rruga, paraqitet doksati. Në fasadën jugore janë ruajtur elementet dekorative të kohës. Përdhesja funksiononte si hapësirë afariste, ndërsa kati shfrytëzohej si etazh banimi duke e ruajtur kështu funksionin për të cilin edhe është ndërtuar”, është përshkrimi për këtë monument në databazën online të monumenteve. Aktualisht MKRS-ja është duke e “restauruar” edhe databazën pasi ajo nuk është funksionale prej fundit të vitit 2020.
Me projekt është paraparë ndërhyrje e tërësishme në enterier. Janë paraparë krejtësisht instalime të reja, në mënyrë që të funksionalizohet ndërtesa