Kulturë

Shqyrtohet mundësia e kërkesës për kthimin e artefakteve të Novobërdës

Kalaja e Novobërdës

“Duhet të vërtetojmë më tej rastin e shkrimit, mostrave të paraqitura, në mënyrë që kur të reagojmë për rastin e edhe mundësinë e kthimit të mostrave të kemi të vërtetuar argumentin”, ka thënë drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, sa i përket rastit të studimit të materialit arkeologjik të Novobërdës nga ekspertë serbë, ku edhe vërtetohet se artefakte të Novobërdës janë marrë në Beograd gjatë konservimit dhe restaurimit të monumentit më 2015 dhe 2016

Institucionet e trashëgimisë kulturore janë duke e shqyrtuar çështjen e publikimit të studimit mbi gjetjet arkeologjike që nuk i ishin dorëzuar shtetit të Kosovës gjatë restaurimit të Kalasë së Novobërdës. Ministria e Kulturës së bashku me Institutin Arkeologjik të Kosovës dhe Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore janë duke e hulumtuar rastin.

Kompania beogradase “KOTO” që ka bërë restaurimin e Kalasë, pretendon se gjetjet arkeologjike i janë dorëzuar Kosovës. Por, studimet e financuara nga shteti serb tregojnë se një pjesë e materialit arkeologjik është marrë.

Më 2015 kompania me themelues dhe pronar Zlatan Tomiq, e përzgjedhur nga UNESCO, kishte nisur punimet për restaurimin e Kalasë së Novobërdës. Projekti qe financuar me një milion euro nga BE-ja, kurse implementimi dhe mbikëqyrja janë bërë nga UNESCO. Puna ka rezultuar me shumë defekte, të cilat ende nuk janë riparuar. Studiuesit serbë kanë nisur publikimin e rezultateve të studimeve të artefakteve të nxjerra në atë periudhë, të cilat janë marrë pa dijeninë e institucioneve vendëse.

Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, i cili kishte konfirmuar se materiali i studiuar nuk i ishte dorëzuar institucionit që ai udhëheq, në fund të muajit të kaluar kishte thënë se institucionet e MKRS-së do të duhej të reagonin dhe t’i drejtoheshin UNESCO-s si palë vendimmarrëse dhe ndërmjetësuese për projektin e Kështjellës së Novobërdës, “që të ndërmjetësojë për kthimin e materialit – mostrave të gjetura në këtë lokalitet, ato që paraqiten në punim”.

Të martën Rexha ka thënë se është duke u punuar në këtë drejtim.

“Çështjen për Kështjellën (Kalanë) në Novobërdë lidhur me mostrat që janë paraqitur në punim jemi duke e shqyrtuar, hulumtuar, për më tej. Institucioni ynë ka bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës për shqyrtimin e çështjes dhe tani çështja për shqyrtim ka kaluar dhe në ITK/MKRS”, ka thënë ai. Ka treguar se duhet punuar më tej për të vërtetuar rastin.

“Duhet të vërtetojmë më tej rastin e shkrimit, mostrave të paraqitura, në mënyrë që kur të reagojmë për rastin e edhe mundësinë e kthimit të mostrave të kemi të vërtetuar argumentin”, ka thënë Rexha.

KOHA ka raportuar se një punim shkencor i botuar në dhjetor të vitit të kaluar në numrin e 40-të të revistës arkeologjike “Journal of Archaeological Science” nxjerr në dritë marrjen ilegale të artefakteve nga Kalaja e Novobërdës. Por “KOTO” për të dytën herë me radhë nuk ka pasur përgjigje në pyetjet direke: me çfarë leje janë dërguar artefaktet në Beograd dhe po ashtu me çfarë leje bëhet studimi i tyre.

Fillimisht në përgjigje me shkrim kanë thënë se të jetë bërë punë profesionale. Kanë sqaruar se nga viti 2015 deri në vitin 2016 kompania ka kryer punimet në këtë projekt, bazuar në kontratën me numër 4500273110 të datës 25 maj 2015, të nënshkruar me UNESCO-n si zbatuese e procedurës së prokurimit të financuar nga Bashkimi Evropian. Pas insistimit të KOHËS, në emër të kësaj kompanie, zyrtari ligjor Darko Gligorijeviq ka thënë se UNESCO ka qenë zbatues i procedurës së prokurimit dhe se në përputhje me rolin e saj ka marrë të gjitha lejet e nevojshme për punime konservuese dhe restauruese.

“Kompania jonë ka kryer të gjitha detyrimet e saj kontraktuale në përputhje me kontratën, lejet dhe rregulloret ligjore në fuqi”, ka thënë përfaqësuesi i kompanisë që institucioneve shtetërore të Kosovës iu referohet me fusnotë. Sipas tij, në dy raste “kompania ka dorëzuar në Institutin Arkeologjik të Kosovës* disa gjetje të luajtshme të gjetura gjatë punimeve arkeologjike në projektin në fjalë”. Ka thënë se më 6 nëntor 2015 IAK-ut i janë dorëzuar një listë me 36 gjetje arkeologjike. Po atë ditë, sipas Gligorijeviqit, janë dorëzuar edhe lista e topave prej guri me 22 gjetje dhe 29 thasë material qeramike. Sipas tij, më 26 nëntor 2016 janë dorëzuar gjetje metali, kocka, fragmente qelqi e qeramike, si dhe tri fragmente afreskesh.

“E gjithë kjo flet në favor të faktit se të gjitha punimet i kemi kryer në përputhje me lejet dhe rregulloret e vlefshme”, ka thënë Gligorijeviq.

Por “KOTO” prapë nuk ka pasur përgjigje në pyetjet direke: me çfarë leje janë dërguar artefaktet në Beograd dhe po ashtu me çfarë leje bëhet studimi i tyre.

Edhe restaurimi ka rezultuar me shumë defekte, të cilat ende nuk janë riparuar.

Në anën tjetër, Zyra e BE-së ka sqaruar se gjatë punimeve janë zbuluar mbetje të rëndësishme arkeologjike, si dy objekte banimi, një ndërtesë për komandantin e asaj hapësire, një kishë, më pas një hamam i vogël me oxhak e po ashtu edhe sistemi i ngrohjes prej hipokausti.

Në fillim të muajit MKRS-ja është përgjigjur duke thënë se ky institucion e ka të rëndësishme që të konfirmojë me saktësi dokumentare faktin e nxjerrjes jashtë territorit shtetëror të artefakteve që janë gjetur gjatë zbatimit të projektit të restaurimit të Kalasë së Novobërdës.

Punimi shkencor e konfirmon se jo krejt materiali arkeologjik i është dorëzuar IAK-ut.

Grupi i autorëve i përbërë nga Nemanja Markoviq, punonjës i Institutit Arkeologjik në Beograd, bashkë me kolegen Vesna Bikiq, punonjëse e Muzeut Kombëtar në Beograd, Zheljka Temerinski e dy ligjërueset në Universitetin e Novi-Sadit, Snezhana Vuçetiq e Jonjaua Ranogajec, kanë publikuar studimin “Mummified animal skin with tar content from the castle of the late medieval town of Novo Brdo (Central Balkans)” (Lëkura e mumifikuar e kafshëve me përmbajtje katrani nga Kalaja e mesjetës së vonë e Novobërdës (Ballkani Qendror). Punimi është publikuar në revistën “Journal of Archaeological Science”.

Zyra rajonale e UNESCO-s në Sarajevë nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS tash e dhjetë ditë.

Studimi i pesëshes nga Serbia është përkrahur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik dhe nga Ministria e Kulturës dhe Informacionit në Serbi.

“Dëshirojmë të falënderojmë gjurmuesin e Novobërdës, dr. Marko Popoviq, nga Instituti i Arkeologjisë, Beograd, për krijimin e qasjes dhe mbështetjen në analizimin dhe publikimin e materialit”, kanë shkruar autorët. Arkeologu Marko Popoviq, i cili vdiq në vitin 2020, ishte studiues i arkeologjisë mesjetare. Ai ka qenë i ngarkuar si mbikëqyrës në punimet që janë zhvilluar në Kalanë e Novobërdës.