“Luna Park” nën regji të Florenc Papas është kandidati i Shqipërisë për nominim për çmimin e madh, një rrëfim për kaosin e trazirat e vitit 1997. Kosova ka një hise jo të vogël në këtë film. Adriana Matoshi është në rol kryesor, atë të Mirës. Kurse si koproduksion minor është shtëpia filmike “Buka Production” e aktorit, në këtë rast producentit, Fatmir Spahiu. Filmi po ashtu është mbështetur edhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës si bashkëprodhim minor
Rrëfimet për skemat piramidale, që çuan deri në prag të shpërbërjes praktike të shtetit shqiptar, janë të shumta. Goxha kanë qarkulluar edhe në mediat botërore më 1997 e edhe efektet e atyre trazirave për shumë vjet më vonë.
Tash, një rrëfim kinematografik që ka për subjekt një ndodhi të asaj kohe, ia ka mësyrë çmimit më prestigjioz në botën e filmit, “Oscar”. “Luna Park” me regji të Florenc Papas është kandidati i Shqipërisë për nominim për çmimin e madh.
Kosova ka një hise jo të vogël në këtë film. Adriana Matoshi është në rol kryesor, atë të Mirës. Kurse si koproduksion minor është shtëpia filmike “Buka Production” e aktorit, në këtë rast producentit, Fatmir Spahiu. Filmi po ashtu është mbështetur edhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës si koproducent minor.
Lajmin për përzgjedhjen e “Luna Park” që të jetë kandidati i Shqipërisë për kategorinë e filmit ndërkombëtar të “Oscars” e ka bërë të ditur Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
“’Luna Park’ nga Florenc Papas është kandidatura e paraqitur nga shtëpia kinematografike ‘On Film Production’ dhe përzgjidhet nga Komisioni Përzgjedhës si përfaqësuese e Shqipërisë në edicionin e 98-të të çmimeve ‘Oscar’”, shkruhet në njoftimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Producent i filmit është Dritan Huqi. Pikërisht të mërkurën filmi ka nisur të jepet nëpër kinematë e Shqipërisë. Në nëntor do të jepet edhe në Kosovë. Konkurrent për dritën jeshile drejt “Oscar” e kishte filmi “Emili” nën regji të Ajola Dajës.
VIDEO:
Në shtetin që ende s’kishte mbushur një dekadë në demokraci, pas gjysmëshekulli komunizëm të egër, ishte zbuluar një metodë për të fituar para me një hap të vetëm: depozitimi i parave që ke në një prej firmave piramidale. Ato gjoja shumëfishoheshin dhe depozituesi bëhej goxha i pasur. Sinergjia e nevojtarëve për t’u pasuruar qe e tmerrshme dhe jo të paktë ishin ata që çuan në firma piramidale qindarkën e fundit e edhe shitën prona për të hyrë në një budallallëk kolektiv. Shembuj me eksperimente të tilla në vende të shkreta, që më parë s’kanë njohur lojërat financiare ka me shumicë. Shqipëria është veç një prej tyre. E pasojat qenë të tmerrshme. “Luna Park” sjell një histori nga ajo kohë.
“I vendosur në mes të trazirave civile të Shqipërisë në vitin 1997, ‘Luna Park’ përqendrohet te Mira (Adriana Matoshi) dhe djali i saj Toni (Orion Jolldashi). Mira, një nënë e vetme në Elbasan, investon në projekte të rrezikshme dhe ka një lidhje të shkurtër me Bertin (Nik Xhelilaj), një figurë e pasur që drejton një skemë investimi”, është përshkrimi që i bëhet filmit nga “Cineuropa”. Sqarohet se derisa vendi zhytet në anarki për shkak të kolapsit të skemave piramidale, Mira dhe Toni ikin, duke u përballur me rrezik në kufi.
“Pasi ndahen në Greqi, Toni kërkon babanë e tij dhe gjen ngushëllim pranë ‘Luna Park’ të mbyllur, që simbolizon shpresën e përkohshme në një kohë pasigurie”, shkruhet në sqarimin që e shoqëron edhe “trailerin” e filmit të publikuar vitin e kaluar në prag të premierës botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Selanik. Në “trailer” merret vesh se Mira ka ëndërr që të hapë një restorant dhe bindet se “mundësia e artë” është te skemat piramidale, ku pasi dorëzon paratë “brenda tre apo gjashtë muajsh merr trefishin”. Sipas “trailerit”, ajo ia mësyn që edhe ta shesë shtëpinë për të rritur fitimin. E më pas s’i ngelet vend të jetojë në Shqipëri.
Bashkëproducenti Fatmir Spahiu e ka përshkruar si lajm të jashtëzakonshëm njoftimin se “Luna Park” është kandidat i Shqipërisë.
“Është ndër storiet e rralla ku një ngjarje komplet e Shqipërisë është me aktore në rol kryesor nga Kosova. Filmi trajton trazirat e vitit 1997”, ka thënë Spahiu për KOHËN. Bashkëprodhimet minore nënkuptojnë kontribut të vogël financiar në një prodhim kinematografik. Por synohet prani e madhe në atë projekt. Dhe në rastin e “Luna Park” prania është e madhe. Producentët që synojnë bashkëprodhim minor kanë një kartë të fortë: cilësinë që e ofrojnë. Në rastin konkret, Adriana Matoshi është prej aktorëve me nam që kanë Kosova dhe Shqipëria. Filmi që për skenaristë ka Florenc Papas dhe Glykeria Patramanin, është mbështetur edhe nga institucionet filmike të Greqisë e Kroacisë. Pas premierës botërore në Greqi, filmi ishte në konkurrencë në festivalin e kategorisë “A” në Indi, “Goa” e po ashtu edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Sofje të Bullgarisë.
Vitin e kaluar kandidati i Shqipërisë ishte “Pikë uji”. Bashkëprodhuese e këtij filmi është edhe Kosova. Gresa Pallaska është në rolin kryesor, përderisa bashkëskenariste e filmit, nën regji të Robert Budinës, tok me regjisorin dhe Ajola Dajën, është edhe dramaturgia Doruntina Basha. Ekipi i Kosovës, ndër të tjerë, përbëhej edhe nga aktori Arben Bajraktaraj.
“Pikë uji” ka qenë i vetmi film që kishte konkurruar për t’u bërë kandidati i Shqipërisë për edicionin e 97-të të “Academy Awards”. Bashkëproducent është edhe Luan Kryeziu nga Kosova. Filmi ishte përkrahur si bashkëprodhim minor edhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Madje vjet QKK-ja bashkë me Kryeziun kishin mbajtur edhe konferencë për media për kandidatin e Shqipërisë për çmimin prestigjioz, duke u munduar të zbehnin faktin se Qendra Kinematografik e Kosovës ishte në kaos. Më 2023 ishte vendosur që Kosova të mos ketë kandidat, me arsyetimin e cilësisë. Kurse më 2024, QKK-ja as që ishte marrë me këtë temë. Fillimisht kishte heshtur në raport me moshapjen e thirrjes. Më pas drejtoresha e këtij institucioni, Blerta Zeqiri kishte treguar se kishin disa probleme.
“Ne kishim një problem me e-mail, po them është problem shumë teknik, i cili na ndodhi ashtu siç ndodhi dhe nuk e kemi pranuar me kohë e-mailin për propozime që vjen nga ‘Oscari’. Momentin kur neve na u kujtua që, ‘pse nuk erdhi ai e-mail?’, dhe kur kemi shikuar pse nuk ka ardhur, veçse ishte shumë vonë. Kemi kërkuar, kemi telefonuar dhe kemi bërë çmos për të na lejuar ta krijojmë komisionin, mirëpo fatkeqësisht nuk ia arritëm”, kishte thënë Zeqiri në fund të dhjetorit në një intervistë për emisionin “Nëpër film” në Kohavision.
Sivjet QKK-ja e ka hapur thirrjen në korrik duke i ftuar të gjithë të interesuarit të dërgojnë propozime “për konsiderim për çmimet e akademisë “OSCAR”, për kategorinë për film ndërkombëtar-gjuhë të huaj, i cili mund ta përfaqësojë Kosovën në edicionin e 98-të të “Academy Awards”.
“Në këtë kategori përfshihen filmat e metrazhit të gjatë artistik, dokumentarë dhe të animuar më të gjatë se 40 minuta, që janë shfaqur- do të shfaqen në kinema apo platformë VOD, për më së paku 7 ditë radhazi, jo më herët se 1 tetor 2024 dhe jo më vonë se 30 shtator 2025”, shkruhet në thirrje. Aty sqarohet se gjatë periudhës kualifikuese dhe gjatë shfaqjes në kinema, filmi duhet të reklamohet dhe shfrytëzohet në atë mënyrë që konsiderohet normale dhe e zakonshme me praktikat e shpërndarjes së filmave të dedikuar për shfaqje të parë në kinema. Por rezultatet e thirrjes nuk janë bërë ende publike.