Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Shqipëria përtej imazheve demonizuese

Silueta e Gjirokastrës nis të ravijëzohet në largësi. Ky qytet është në jugun malor të vendit, i dëgjuar për kalanë e motshme, me shtëpi të gurta osmane të shekullit 17-të e 18-të që zdirgjen përposhtë rrëzave si një mirazh mesjetar.

Ne u shkëputëm prej autostradës në një rrugë që mbizotërohej prej një ngrehine të betontë tetëkatëshe me tarraca roze, poshtë të cilës vendasit rrinin në kopshtin blerosh të kafenesë nën diell.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kjo është Gjirokastra”, njoftoi me një shkallë triumfi Idari, miku im shqiptar nga Anglia. “Po, është, por ti e di që erdha për të gjetur Ergirin!”, ia prita unë me shaka.

Ergiri ishte emri osman për Gjirokastrën kur perandoria myslimane sundonte mbi këtë pjesë të Shqipërisë prej vitit 1417 deri më 1913. Ishte mesi i kësaj periudhe kur shoqëruesi im letrar, udhëtari osman i shekullit të 17-të Evlija Çelebiu, erdhi në Ergir.

“Imazh i ndërtuar mbi shëmbëllesa negative”

Imazhi popullor i Shqipërisë sot është i ndërtuar mbi shëmbëllesat negative të udhëtarëve perëndimorë në fillim të shekullit, të tillë si Edith Durham, që i quante shqiptarët “të paligje”, dhe Rose Wilder Laneit, që thoshte se shqiptarët po “e jetonin fëmijërinë e racës ariane” – që nënkuptonte se ata kishin ngelur pas në procesin evolucionar. Këta stereotipa janë përforcuar nga kultura popullore e ditëve tona. Në trilogjinë hollywoodiane “Taken”, Shqipëria është cunguar në një shtrojerë të trafikantëve të pashpirt e të dhunshëm dhe e vetmja referencë për fenë e tyre që më vjen ndërmend është kur ata shihen të përbetohen në Allah për t’u hakmarrë për vdekjen e të birit, duke e vrarë heroin e bardhë amerikan të filmit. Nuk mbaj mend ndonjë përfaqësim tjetër të islamit në Shqipëri në krejt filmin.

“Askush nuk vraponte për t’u falur”

Kam lexuar vepra të numërta mbi Ballkanin, por asnjëra syresh nuk përnjihte kulturën myslimane në rajon ashtu si ajo e Çelebiut. Pa veprat e tij të përkthyera, unë dhe Idari kurrë nuk do ta dinim si ishte dikur Gjirokastra myslimane. Ashiqare ajo nuk ishte më një vend ku njerëzit ishin “të fandaksur pas lutjeve”, siç e kishte përshkruar Evlija.

Më herët ne kishim dëgjuar ezanin nga e vetmja xhami e qytetit, por askush nuk turrevrapej për t’u lutur, dhe as nuk kishte ndonjë mbijetojë të instituteve të numërta të arsimit islam për të cilat Ergiri ishte e dëgjuar dikur.

“Udhëpërshkrime të ndikuara nga qëllime koloniale”

Veprat e përkthyera të Evliut japin një nga perspektivat myslimane të Evropës myslimane – një që përfaqëson kulturën dhe trashëgiminë si të sajën e jo si diçka të huaj, të jashtme apo inferiore.

Të gjitha udhëpërshkrimet e tjera në anglisht për rajonin kanë për autorë ata që janë nga e njëjta demografi e ngushtë: të krishterë të privilegjuar, perëndimorë e, çka është më brengosësja, nga klasat koloniale. Këta ishin njerëz që udhëtonin ose për qëllime të kolonizimit të një vendi ose pjesë e klasës së njerëzve që e bënte këtë. Ata e këqyrnin botën prej një pozicioni sipëran ku e ndienin veten sipëranë se ashtu ishte puna. E, megjithatë, shkrimet e tyre shpesh janë paraqitur si zdërhallje romantike dhe qenë përdorur me të madhe nga udhëpërshkrues të mëvonë për kontekstin socio-historik. Kjo është trashëgimia letrare e udhëpërshkrimit të ditëve tona.

“Në gjurmët e Çelebiut”

Unë erdha në Gjirokastër në vazhdën e udhëtimeve të mia për të gjetur praninë e gjallë indigjene myslimane në Evropë dhe për të përvijuar gjurmët e Evlijas. Po shpresoja të shihja këtë pjesë të kontinentit siç bëri ai, kur vërtet kishte Evropë myslimane – nën sundimin osman në lartësinë e fuqive perandorake.

Udhëtimi do të bëhej premisa e librit tim të ri. Kam udhëtuar tok me familjen nga Londra drejt Sarajevës, kryeqytet i Bosnjë-Hercegovinës. Deri më tani, ne kemi vizituar komunitete myslimanësh në Serbi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, duke u mrekulluar me historinë e tyre dhe begatinë e trashëgimisë së tyre. Pas Shqipërisë, ne do të mësynim në Mal të Zi para se të ktheheshim sërish në Sarajevë.

Sot, derisa gruaja ime dhe dy vajzat po pushonin në një plazh në Vlorë, vendlindja e Idarit, ai po më ndihmonte të ndiqja gjurmët e Evlijaut.

“Një qytet i bukur”

Në dhjetëvëllimshin “Libri i udhëtimeve”, apo Seyâhatnâme, Evlija përshkroi Gjirokastrën si një qytet i bukur e i hapur, i përshtrirë përgjatë tetë kodrave dhe luginave sipër të cilave vështronte kalaja, një vend ku shtëpitë e gurta e me pullaze rrasash kishin vreshta e kopshte të qarkuara me mure të bardha graniti.

Derisa vetura jonë e bardhë e marrë me qira “Megane” përçapej nëpër rrugët e rrëpirta me kalldrëm në “qytetin e gurtë”, Idari po vështronte nga dritarja gojëhapur e me admirim shtëpitë osmane të hapërdara ndër kodra. Gjirokastra ende ka qartazi sharmin e Ergirit të Evlijaut.

Ne po shkonim në hapësirën e pazarit të vjetër të qytetit, i rindërtuar në shekullin e 19-të. Kjo ishte një nga lagjet më të hijshme, që mbizotërohej prej së vetmes xhami të mbijetuar, Xhamia e Memi beut apo Xhamia e Pazarit.

Në kohën e Evlijaut, qyteti ishte një vend fort fetar. Shtëpi e të paktën 15 xhamive, Ergiri ishte aty ku dijetarët e ardhshëm islamë të Hadithit vinin të shkolloheshin në një nga tri medresetë që të specializonin në këtë fushë. Kishte edhe teqe për tri urdhra të ndryshëm sufi dhe katër tempuj për shenjtorë myslimanë. Për fat të keq, e gjithë kjo u shkatërrua kur Enver Hoxha, diktatori komunist i lindur në këtë qytet, u vu në krye të Shqipërisë. Xhamia e Memi beut i shpëtoi këtij fati, për shkak se ishte përfshirë si monument kulture.

Rrotat e veturës nisën të rrëshqisnin dhe unë isha me fat kur ne u ndalëm te një qosh dhe nga aty u duk minarja e një xhamie që lartohej para nesh. Pasi ne u parkuam nën hijen e saj, unë po shihja ballkonin e saj qarkor që përthyen formën e saj posi të një lapsi. Dy shkallë simetrike të çonin drejt hajatit kryesor.

Në të majtë është një nga rrugët e vjetra të pazarit. Dikur zemër e tregut të potershëm mesjetar, sot është e vijëzuar me dyqane që shesin magnete frigoriferësh, fanella me mbishkrimin “Gjirokastër” dhe modele miniaturë të kalasë së qytetit. Një grusht turistësh po lëviznin brenda, siluetat e të cilëve ishin të kornizuara nga lule-sarandat që pronarët i kanë vënë në majë të shtëpive të tyre dyqane.

“Më i bukuri vend në Shqipëri”

Gjirokastra ishte më i bukuri vend që vizitova në Shqipëri dhe tani e kuptova pse edhe Hoxha e kishte shpallur atë si një nga dy “qytetet muze”. Tjetri është Berati, 100 kilometra më në veri: edhe ai është një ode i arkitekturës klasike osmane dhe i vetmi qytet historik që nuk i është eptuar versionit komunist të modernizimit që i mbylli dhe shembi xhamitë, sinagogat, kishat, lozhat sufiste si dhe manastiret, tok me shumë monumente të tjera. Këto u zëvendësuan me ngrehinat e mprehta e funksionale që u bënë shenja e arkitekturës komuniste. Me një shkatërrim të tillë të identitetit të saj mysliman, Gjirokastra sot shfaq pak shenja të jetës së saj të dikurshme si qendër ballkanike e dijes islame dhe sufizmit, një vend ku studentë të teologjisë dhe shpirtësisë vinin nga e gjithë bota për të studiuar – ani pse për fat të mirë si Gjirokastra, si Berati, janë të mbrojtura tani nga UNESCO.

Ne patëm një ndjenjë më të mirë për historinë e saj kur u ngjitëm në kala. Gjirokastra vërtet është një qytet i pashëm, dhe unë e Idari po anonim kah muret e gurta e për të mbajtur frymën, ne vështruam heshturazi mbi një skenë që ende dukej sikur u takonte faqeve të librave të Evlijaut. Unë mund të shihja kopshte të shumta, vreshtije dhe “shtëpi të mahnitshme qytetëse” që ai i përshkroi, mbase duke qëndruar ende në këtë kënd, të kornizuar nga kodrat bleroshe e lugjet. Të vetmet vende që mungonin janë ngrehinat dhe monumentet myslimane për të cilat flet në Librin e Udhëtimeve: xhamia e Hizir agës me minaren e vet të gurtë; xhamia e Haxhi Muratit, me fontanën me ujë shijeëmbël; lozha halveti, ku Evlijau varrosi një nga djemtë që e shoqëronin; hanet e shumta, fontanat dhe medresetë, të gjitha kanë ikur.

“Nuk e dija që ka një vend si ky në Shqipëri”

“Unë nuk e dija që ka një vend si ky në Shqipëri, Tharik”, më tha Idari pas pak. E shihja që ai ishte mjaft i emocionuar.

Idari ka lindur në Shqipëri gjatë kohës së Hoxhës, një kohë kur besimi në një fe mund të të kushtonte me jetë. Kjo ishte arsyeja që ai kurrë nuk pati interesim për trashëgiminë myslimane të vendit të tij. Duke qëndruar në kalanë që shikonte mbi Ergirin e Evlijaut, ai ashiqare po e ndiente humbjen. E ndieja edhe unë.

Shqipëria nuk ishte vendi ku unë prisja të zbuloja qytete të mahnitshme osmane që dikur ishin qendra të dijes islame. Dhe, si duket, as Idari.

Shqipëria është një nga tri shtetet myslimane, tok me Bosnjën dhe Kosovën, me shumicën e popullatës myslimane, dhe këto vende ishin qendrore gjatë rrugëtimit tim në kërkim të trashëgimisë së gjallë myslimane e indigjene në kontinent – trashëgimia jonë myslimane. Duke e pasur Evlijanë në anën time më ndihmoi të vlerësoja më mirë të kaluarën e pasur islame të Shqipërisë, dhe duke lexuar përshkrimet për njerëzit e saj bëri që të kuptoja diçka tjetër: demonizimi i vazhdueshëm i këtij shteti të bukur dhe banorëve të tij është rezultat i një fenomeni letrar evropian, jo-mysliman, të tillë që Evlijau më ndihmoi ta shmangia përsëritjen e tij.

Tharik Hussain

(Autori është udhëpërshkrues, gazetar dhe autor britanik me origjinë nga Bangladeshi. Titujt dhe mestitujt janë të redaksisë)