Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Shkëlzen Doli rikthehet në Tiranë me koncert në sheshin qendror

Sheshi qendror i Tiranës, i rindërtuar së fundmi, më datën 23 të muajit shtator do të shndërrohet në skenë gjigante nën qiell të hapur.

Më shumë se 70 performuesë virtuozë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia do të performojnë në gala koncertin “Albanian Soul” (Shpirti shqiptar), pjesë e së cilës do të jetë edhe violinisti shqiptar i njohur ndërkombëtarisht, Shkëlzen Doli, i cili është pjesë e Orkestrës Filarmonike të Vjenës, shkruan Tiranatimes, transmeton sot “Koha Ditore”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ky koncert do të jetë i dyti për Dolin në Tiranë për këtë vit, pas atij që kishte mbajtur më datën 2 janar me grupin që përfshinte disa anëtarë të Ansamblit të Filarmonisë së Vjenës. Ndërsa një ditë më pas violinisti shqiptar performoi me këtë orkestër të famshme botërore në violinë e dytë.

“Koncerti muzikor do të nisë në orën 20:00, kur rreth 70 instrumentistë virtuozë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia nën udhëheqjen e maestro Dolit do të ngjiten në skenë. Performanca do të hapet me muzikë shqiptare për të vazhduar me disa vepra të muzikës klasike botërore, dhe do të mbyllet me pjesë të tjera shqiptare”, ka shkruar organizatori i kësaj ngjarjeje, Shkëlzen Doli në faqen e tij zyrtare në Facebook.

“Një eveniment artistik gjigant mbarëshqiptar që pritet të kthehet në traditë të përvitshme në Tiranë, por dhe në qytete brenda dhe jashtë Shqipërisë”, ka shtuar ai.

Doli, rregullisht performon muzikë tradicionale shqiptare në turnetë e tij në mbarë botën, duke u bërë kështu një prej ambasadorëve më të mirë të artit dhe kulturës shqiptare.

Në koncertin e vitit 2015 “New Year Vienna Philharmonic”, Shkëlzen Doli luajti muzikë tradicionale shqiptare në pauzën speciale gjatë transmetimit të koncertit. Me mjeshtri ai performoi melodi të bazuara në muzikën folklorike shqiptare, e cila ishte bërë bashkë gjatë katër minutave në një video të transmetuar gjatë pushimit të programit. Më datën 2 të muajit janar të këtij viti, dhjetëra artistë nga Austria iu bashkuan Ansamblit të Filarmonisë së Vjenës, një bend i themeluar nga Doli në vitin 2013, për të performuar në Tiranë në koncertin që Doli e përshkroi si “sjellje në Shqipëri për herë të parë perla të artit austriak për t’i uruar shqiptarëve vit të lumtur dhe me harmoni”. Teksa kishin performuar valsin e njohur të Straussit “Blue Danube”, artistët nga Austria kishin vendosur plisa në kokë dhe kanë pirë raki vendore në koncertin debutues të tyre në Tiranë bashkë me Dolin.

“Shqiptarët kanë diversitet muzikor. Këngët shqipe janë shumë të bukura, por në rastin tim, është edhe nostalgjia që më shtyn t’i dëgjoj më shpesh, gjë që bën marrëdhënien time me muzikën prej territoreve shqiptare edhe më natyrale”, kishte thënë Doli. I lindur në një familje shqiptare, me babanë nga Gjakova dhe nënën nga Përmeti i Elbasanit, Doli la Shqipërinë në vitet ’80, kur ishte vetëm shtatëvjeçar për të shkuar në Kosovë, ku mori mësimet e para në muzikë para se të diplomonte në universitetin prestigjioz të muzikës në Vjenë “University of Music and Performing Arts” në fillim të viteve ’90.

Ndërkohë, që koncerti i datës 23 të muajit shtator do të jetë një tjetër mundësi për të promovuar Tiranën dhe sheshin e rindërtuar të saj për rajonet e tjera shqiptare, diasporën dhe turistët ndërkombëtarë që janë adhurues të muzikës klasike.

Sheshit “Skanderbeg” – pikë e referimit të Tiranës, hapësira më e rëndësishme publike që lidhet me ngjarje e manifestime të ndryshme historike, prej sundimit të mbretit Zog deri tek Lufta e Dytë Botërore tek pushtimi komunist dhe protestat e hershme të viteve ’90, për ndryshime demokratike - i është ndryshuar pamja në mesin e vitit 2017 nën projektin që ka kushtuar 13 milionë euro. Sheshi i emërtuar sipas heroit kombëtar, është hapësirë me 90 mijë metra katrorë, 28 mijë prej të cilës janë gurë të mbledhura nga territoret shqipfolëse dhe pjesa tjetër është me drunj, shkurre dhe lule dekorative. Sheshi, po ashtu, në pjesën e gurëve ka rreth 100 fontana uji që shërbejnë si oaza në ditët e ngrohta të verës. Një parking nëntokësor me kapacitet për 358 vetura është rregulluar që në njëfarë forme të ndihmojë në komunikacionin e kryeqytetit.

Biletat për koncertin e Shkëlzen Dolit më datën 23 shtator tashmë janë në shitje në Tiranë, në Prishtinë e Gjakovë në Kosovë dhe në Shkup të Maqedonisë. Ato, po ashtu, mund të rezervohen online.