Prishtinë, 29 gusht – Muzika e lehtë shqiptare ka humbur një prej artistëve që i dha zë për disa dekada. Sherif Merdani vlerësohet si një prej këngëtarëve më të zotë të këtij zhanri. Me vdekjen e tij të dielën arti shqiptar është zbehur fort. Ai ishte 81 vjeç.
Karriera e tij do të niste me goxha vrull në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Por, pas Festivalit të 11-të të këngës në televizionin publik shqiptar ai ishte midis atyre që filtri i Partisë së Punës nuk i kaloi dot.
Bashkë me shumë pjesëmarrës dhe organizatorë u dënua gjoja për “influencë perëndimore në art”. U dënua me 16 vjet burg. Pikërisht në atë edicion ai kishte marrë pjesë me këngën “Vajza e qelqtë”. Në festival do të kthehej në vitin 1995, kur Shqipëria kishte katër vjet që doli nga izolimi komunist. Në edicionin e 34-t mori pjesë me këngën “Simfonia e nënës” e më 1997 me “Bisedoj me dashurinë”. Gjatë karrierës, ka kënduar edhe këngët si: “Kartolina”, “A do vish sivjet në plazh”, “Duart e tua”, “Simfonia e nënës”, “Shokë të pandarë”, “Takim pas vitesh”, “Sot ora shtatë”.
Dirigjenti Zhani Ciko ka thënë për mediat shqiptare se me vdekjen e Merdanit i artit shqiptar i iku simboli i lirisë dhe i historisë së muzikës tonë.
“Ishte një lajm i papritur dhe shumë i hidhur, pasi ai nuk ishte vetëm një shok apo muzikant, por ishte simboli i lirisë dhe krijimtarisë. Ishte simbol për lirinë e interpretimit që për rrethanat e kohës ai u dënua rëndë, ishte një ndëshkim i paragjykuar. Moment i lumtur ishte kur pas viteve 1990 shoh një njeri që më ngjasonin e të por ai kishte ndryshuar, ishte thinjës dhe ndryshuar në fytyrë. Sapo dëgjova zërin e njoha që ishte ai, donte të rindërtonte sërish jetën e tij muzikore. U bë simbol i historisë së këngës”, citohet të ketë thënë Ciko.
Edhe
Lamtumirë Shemit, artistit të kohës kur muzika s’ishte vetëm argëtim
Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të artistit Sherif Merdani. Meta ka shkruar në Facebook se Merdani kaloi një kalvar të gjatë vuajtjesh pse guxoi të jepte një dritë shprese, nëpërmjet artit të tij në periudhën më të errët për vendin.
"Këngëtari i lirisë, Sherif Merdani, u nda sot prej nesh duke lënë pas shumë dhembje. I burgosur politik, së bashku me të tjerë artistë të mëdhenj pas Festivalit të 11-të të muzikës së lehtë shqiptare, ai kaloi një kalvar të gjatë vuajtjesh pse guxoi të jepte një dritë shprese, nëpërmjet artit, në periudhën më të errët për vendin. Ngushëllime familjes dhe komunitetit të artistëve për këtë humbje të pazëvendësueshme! I paharruar kujtimi i Sherif Merdanit!”, ka shkruar Meta.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po nëpërmjet Facebookut i ka dhënë lamtumirën artistit. “Lamtumirë Sherif Merdani”, ka shkruar ai.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, po ashtu ka ngushëlluar kolegët e familjen e Merdanit.
Edhe
Shemi – zëri i “Ilirëve” që shënoi një epokë
"Me trishtim mësova lajmin e ndarjes nga jeta të artistit të njohur, Sherif Merdani. Sherifi ishte një nga artistët më të spikatur të brezit të tij. Zëri dhe arti i tij kumboi fort dhe në errësirën e regjimit dhe të burgjeve të komunizmit në të cilat ai kaloi 16 vjet të jetës. U shpreh ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve dhe të gjithë komunitetit të artistëve shqiptarë që sot humbën të afërmin dhe mikun e tyre! Shpirti i tij u prehtë ne paqe", ka shkruar Basha.
Folegj: Karriera e tij do të niste me goxha vrull në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Por, pas Festivalit të 11-të të këngës në televizionin publik shqiptar ai ishte midis atyre që filtri i Partisë së Punës nuk i kaloi dot. Me vdekjen e Sherif Merdanit arti shqiptar është zbehur fort