Kulturë

Shembjet në Kalanë e Prizrenit – pasojë e problemeve me lagështi

Pavarësisht investimeve të vazhdueshme, një pjesë e murit jugor të monumentit nuk është trajtuar ndër vite. Janë 5 deri në 6 metra katrorë të murit që janë shembur. Problemi del të jetë më i vjetër. Daton qysh prej viteve ’30 të shekullit të kaluar

Muret rrethuese të Kalasë së Prizrenit dalin të jenë një problem më vete. Pesë vjet pas shembjes së një pjese të murit verior, probleme të ngjashme janë paraqitur në një pjesë të anës juglindore. Kur punonjësit e Kalasë dhe të Muzeut që gjendet brenda kompleksit kanë arritur në vendin e punës në mëngjesin e së hënës, kanë konstatuar se ka shembje të murit rrethues në juglindje.

Ndërtesa është pikë reference sa i përket bazës historike të qytetit jugor. Është edhe vendi ku janë investuar mbi gjysmë milioni euro pas luftës së fundit në Kosovë. Vetëm Ambasada e ShBA-së në Kosovë ka dhënë 700 mijë dollarë. Nëpërmjet një projekti pjesa më e madhe e të cilit është konkretizuar në gushtin e vitit 2019 me përurimin e Muzeut brenda Kalasë, hapësira është bërë më lehtë e qasshme dhe më zbërthyese në raport me historinë e asaj pjese.

Por tash del se pavarësisht investimeve edhe të Institutit Arkeologjik të Kosovës, një pjesë e murit jugor të monumentit nuk është trajtuar ndër vite. Janë 5 deri në 6 metra katrorë të murit që janë shembur. Problemi del të jetë më i vjetër. Daton qysh prej viteve ’30 të shekullit të kaluar.

“Është vendosur rezervar uji aty. Ka hyrë lagështia dhe rreth vrimës është shembur”, ka thënë arkeologu Shafi Gashi, i cili ka udhëhequr punët në Kalanë e Prizrenit. Sipas tij, në vitet 2003-2004 kompania e ujësjellësit rajonal “Hidroregjioni Jugor” kishte thyer atë pjesë të murit për të rregulluar disa gypa. Gashi ka thënë se nuk ishte bërë kthimi i gurëve në vendin e tyre.

“Hapësira ishte mbyllur sa për t’u parë që është mbyllur”, ka thënë ai. Në bazë të informacioneve që ka marrë arkeologu, puna për vendosjen e një rezervuari të ujit në Kala kishte nisur më 1936. Por ishte konkretizuar pas Luftës së Dytë botërore, më 1952.

“Është i vetmi pozicion që nuk është trajtuar ende. Si pasojë e rezervuarit nuk është trajtuar. Nuk lejohet as qasja e jonë aty. Ai basen është rrezik i përhershëm. Pandërprerë ka qenë kërkesë e jona që të largohet”, ka thënë Gashi.

Çështjen e rezervuarit të ujit e ka përmendur edhe eprori i Gashit, drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha. Ka thënë se është duke pritur një raport të detajuar me shkrim sa i përket asaj që ka ngjarë të hënën.

“Në atë pikë ku është bërë dëmi ka pasur një ndërhyrje të kompanisë së ujësjellësit. Me vite kemi kërkuar që të largohet rezervuari. Presioni i ujit është i fuqishëm dhe ka ndikuar”, ka thënë ai. Sipas Rexhës, duhet marrë masa të shpejta që rrëshqitjet e gurëve të mos marrin përmasa më të mëdha.

“Nuk kemi mjete njëherë, por duhet t’ia bëjmë disi. Aty është punuar në vazhdimësi nga viti 2009. Gërmime ka pasur edhe më herët. Në rastin e tanishëm uji krijon kanale nëntokësore dhe pasojat dihen”, ka thënë Rexha.

Në mars të vitit 2015, një pjesë e murit verior të Kalasë së Prizrenit, në të cilin vite më parë ishin realizuar intervenime për nivelim, ishte shembur. Zyrtarët e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore kishin thënë se dyshohet që shembja është shkaktuar nga faktori natyrë. Drejtori i kësaj qendre, Samir Hoxha, kishte theksuar se raporti fillestar i është proceduar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

“Shembja ka ndodhur në pjesën e majtë diku 30 metra larg portës hyrëse. Shembja është shkaktuar nga faktori natyror, respektivisht nga lagështia që ka depërtuar në brendi të murit", kishte thënë Hoxha. Ai kishte pohuar se në vitin 2008 në këtë mur janë realizuar punimet për nivelim, me ç ‘rast janë rregulluar fugat.

E më 2014, Ministria e Kulturës, Ambasada e ShBA-së në Kosovë, Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe organizata “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” kishin nënshkruar marrëveshjen për konservimin dhe restaurimin e Kalasë së Prizrenit. Ambasada e ShBA-së në Kosovë, përmes Fondit të ambasadorit për trashëgiminë kulturore, në shtator të vitit 2014 kishte ndarë 700 mijë dollarë, që asokohe kishin vlerën e 549 mijë eurove.

Restaurimi i mureve të Kalasë është vetëm njëra pjesë e projektit, derisa aty është ngritur një muze ku gjenden krejt artefaktet e zbuluara brenda këtij monumenti, përderisa janë përgatitur edhe shtigjet për vizitorë, sinjalizimi e po ashtu edhe tabela shpjeguese. Plani i menaxhimit të Kalasë së Prizrenit është miratuar në dhjetorin e vitit të kaluar. Është hartuar nga organizata “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” qysh në vitin 2016. Ka pritur më shumë se katër vjet për miratim.

Plani e përshkruan gjendjen faktike të Kalasë dhe posedon planin e veprimit. Por Kalaja ka pësuar ndryshime nga ajo kohë. Pjesë e planit të veprimit është krijimi i institucioneve që punojnë në prezantimin e monumentit, kërkohet rritja e numrit të botimeve shkencore, rritja e investimeve të jashtme në fushën e edukimit dhe hulumtimit, përmirësimi i qasjes në monument, të gjenerohen të ardhura nga vetë Kalaja, në mënyrë që objekti të menaxhohet.