Kulturë

“Shadows” zbërthen gjendjet shpirtërore nëpërmjet bashkëkohores

“Shadows” është një tjetër emër i jetës kulturore në kryeqytet. Koncepti i veçantë i Festivalit vjen me fokus në artin bashkëkohor. Të shtunën, kur ka shënuar koncertin e dytë, krahas me veprat audiovizuale bashkëkohore, arti i këtij lloji ka kulmuar. Me muzikë ka shëtitur publikun që nga koha e ekspresionizmit e deri më sot, derisa me piktura e instalacione audiovizuale e ka futur atë në një botë të panjohur që zbërthen konceptin e hijeve. Pikërisht prej veprave artistike “Shadows” të cilat përcjellin gjendjen shpirtërore të njeriut është emërtuar Festivali.

Galeria e Fakultetit të Arteve ka qenë nikoqir i mysafirëve të festivalit të artit bashkëkohor “Shadows”. Sikurse edhe natën e parë hapëse, kur u mbajt koncerti me interpretimin e pianistes Adea Badivuku dhe violinistes Meriem Badivuku, më 22 qershor, Galeria është hapësira besnike e krejt aktivitete për një javë rresht.

Të shtunën, në mbrëmjen e tretë e kanë mbërthyer veprat botërore bashkëkohore. E para që ka interpretuar, flautistja Zana Abazi me veprën “Syrinx” të francezit Claude Debussy, e cila ka transmetuar tek publiku interpretimin e lehtë dhe kontrastin me dinamikën. Më tej ka luajtur edhe Jeta Gërqari po ashtu në flaut, pjesën “Danse de la chevre” të kompozitorit francez Arthur Honegger. Pjesët kulmuese që kanë ngritur momente dinamike kanë qenë që në fillim e deri në fundin e pjesës.

Flautistja Zana Abazi është rikthyer në skenë në shoqërinë e Andi Duraku në piano në interpretim të “La nerle noir” të francezit Olivier Messiaen. Siç vjen edhe prej titullit, ka qenë si një rrëfim më i errët për dallim prej të tjerave pjesë të interpretuara. Me disa tinguj të vrazhdë pianoje ka nisur interpretimi, jehona e të cilëve përshkon edhe ata të flautit. Në të njëjtën qasje vjen edhe një nga sekuencat e kësaj të fundit. Interpretimin me jo fort zhvillime e përfundon pianoja me një tingull më dominues, që ndiqet nga flauti dhe sjell një tjetër version të përsëritur të tingullit që shpesh kanë qenë edhe si vërshëllima frike.

Abazi ka interpretuar edhe “Sequenza” të italianit Luciano Berio, që është përcjellë me ndërprerjet dhe dinamizmin spontan mes tingujsh. Bashkë me Jeta Gërqarin kanë interpretuar “Bra vs Bg” dhe Duplum” të italianit Pieralberto Cattaneo. E para ka nisur me tinguj paralelë të dy flauteve. Gjatë zhvillimit të veprës edhe ka filluar të shthuret ky kombinim i tyre duke dalë prej asaj rrjedhe. Në pjesën tjetër, dy flautistet kanë luajtur tingujt e veçantë që i kanë nxjerrë me një frymë të lehtë, e zakonshme kryesisht në veprat bashkëkohore.

Gërqari ka thënë se krejt veprat që i kanë luajtur kanë qenë kontemporane dhe se është mënyrë e mirë që ky stil i muzikës të përhapet sa më shumë te muzikantët. Për interpretimin me dy flaute ka thënë se është paksa e vështirë për shkak të kombinimit me tjetrin instrumentist. “Në momentin që ushtrojmë bashkë në prova, atëherë është edhe kënaqësi pasi që është një nivel tjetër i interpretimit. Kur dy instrumentistë interpretojnë bashkë, qëllimi është të tingëllojnë si një. Në muzikën kontemporane është më vështirë sepse nuk është gjithçka brenda kornizave, siç jemi mësuar në stilet e tjera. Mirëpo është kënaqësi e veçantë dhe zgjon një shpirt kreativiteti”, ka thënë flautistja Jeta Gërqari.

Sopranoja Arta Jashari, e përcjellë me tinguj pianoje nga Andi Duraku, ka luajtur katër pjesët e veprës “Zodiac” të gjermanit Karlheinz Stockhausen. Pjesa tekstuale në gjuhën gjermane e interpretuar nga Jashari ka qenë kulmuese derisa e lehtë përcjellja me piano. Katër pjesët kanë ardhur si kronologji e dinamikës së veprës.

Krejt në fund, dyshja Abazi dhe Gërqari kanë luajtur “Quadrofoglio” të austriakut Rainer Bischof. Tingujt e luajtur paraprakisht nga Jeta Abazi i ka sjellë në tjetër dimension Jeta Gërqari, në formën e një hije të tingullit a jehone. Ka qenë në një formë kombinim mes modernes dhe klasikes.

Festivali në edicionin e parë të tij përfshin ekspozitën “Shadows” të artistit turk Gunes Çaglarcan dhe instalacionin me të njëjtin emër të Deniz Caglarcan, të cilët gjithashtu kanë qenë pjesë e një paneli diskutues, si dhe do të mbajnë punëtori me artistë të rinj. Të hënën, në ditën e fundit të Festivalit, do të pasojë një tjetër koncert muzikor.

Drejtoresha ekzekutive e “Shadows”, Adea Badivuku, ka thënë se Festivali është i veçantë sa i përket formatit të tij. “I gjithë koncepti dhe mënyra se si është kuruar programi i Festivalit përfshin vepra të repertorit kontemporan. Ky festival ka qenë gërshetim i disa disiplinave të artit. Të artit pamor, kemi instalimin audiovizual dhe koncertet instrumentale. Kam pasur dëshirë të realizoj dhe të vij nga Amerika me një projekt më inovativ ku gërshetohen disa disiplina arti”, ka thënë Badivuku.

Në hapësirën ku është mbajtur koncerti kanë qenë edhe tri piktura të vendosura në njërën pjesë të Galerisë së Fakultetit të Arteve. Në thelb janë të njëjta. Janë paraqitur figura njerëzish që përfshijnë një horizont të gjerë nga hapësira. Trupat janë të projektuar prej shumë ngjyrave, tek të cilët bien në sy edhe hijet e errëta. Dallon prapavija në të cilën projektohen, si dhe vendosja e njerëzve.

Autori i veprave, Gunes Çaglarcan, ka treguar se pikturat janë shkëputje prej ciklit “Shadows” të veprave. Sipas tij, veprat përcjellin ndjenjat e thella të njerëzve të cilat karakterizohen prej hijeve të errëta.

“Kur shikoni sipërfaqësisht pikturat, vëreni shumë ngjyra tek njerëzit dhe hijet e tyre. Arsyeja pse kam krijuar një koleksion të tillë ishte të prezantoja jetën e njerëzve dhe lidhjet e tyre në shoqëri duke përfshirë sjelljet dhe ndjenjat e tyre. Kur shikoni këto figura njerëzish, në rend të parë jam mundur të tregoj histori unike në secilën pikturë. Në fillim e gjithë pamja ishte menduar të përçonte një jetë shumëngjyrëshe të përfaqësuar nga këto figura të vogla e me plot ngjyra njerëzish”, ka thënë artisti turk Çaglarcan.

Gunes Çaglarcan është piktor dhe pianist nga Stambolli. Pikturat i punon kryesisht me ngjyra vaji. Eksploron marrëdhëniet mes perceptimit dhe marrëdhënieve njerëzore, fushat kryesore të interesit të tij janë mendja dhe marrëdhëniet njerëzore e reflektimi i brendshëm. Në karrierën e tij ka shënuar ngritje pikërisht me koleksionin e veprave “Shadoës”.

Versioni audiovizual i pikturave vjen nga vëllai i tij, Deniz Çaglarcan, që është edhe drejtor artistik i festivalit “Shadows”. Pamje e zëra zogjsh, valë deti e pamje njerëzish në formatin bardhezi vijnë bashkë me hijet e tyre. Dhe jo vetëm. Shpërthen në ngjyra me pamjet e perëndimit të diellit, llavën e zjarrtë të vullkanit që i japin ngrohtësi. Më pas vjen edhe si labirint i pafund me figura abstrakte që krijojnë lloj-lloj efektesh e iluzionesh.

Deniz Çaglarcan ka thënë se gjithmonë e kishte gjetur njëfarë lidhje me pikturat e të vëllait të tij derisa ai i punonte. “Disa nga elementet ndiej se janë nga i njëjti univers, kështu që vendosëm t’i bëjmë veprat bashkë. Si kompozitor, kam filluar të komponoj efekte muzikore e vizuale në tentativë për t’i dhënë rrëfimit gjuhën formale. Kur shihni pikturat nga afër në detaje, shihni njerëzit që ngërthejnë historitë e vogla ndërmjet tyre. Kjo ishte ideja sesi gjithçka filloi”, ka thënë ai. Ekspozita do të jetë e hapur deri në mbyllje të Festivalit, më 28 qershor.

Deniz Çaglarcan është kompozitor, violinist, dirigjent dhe artist multidisiplinor nga Turqia dhe jeton në Los Angjelos. Veprat e tij përfshijnë pjesë solo instrumentale, muzikë dhome për ansamble të mëdha, vepra elektronike live, kompozime audiovizuale.

Festivali i artit bashkëkohor në Prishtinë “Shadows” ka për qëllim të sjellë inovacion kulturoro-artistik në skenën vendore dhe eksperiencë gjithëpërfshirëse të rrethuar prej veprave bashkëkohore.