“To the west, in Zapata” ndjek sfidat ekstreme me të cilat përballet një familje kubaneze në kohën e pandemisë. Rrëfimi prekës vjen në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. Bëhet fjalë për sakrificën ekstreme për të siguruar jetesë modeste për familjen
Beteja e përditshme për mbijetesë nuk është veç koncept për luftën. Por edhe për jetesën në rrethana të jashtëzakonshme për miliona njerëz në botë si rrjedhojë e kushteve të vështira. Kjo luftë për ekzistencë vjen edhe me filmin debutues të kubanit David Bim. “To the west, in Zapata” ndjek sfidat ekstreme me të cilat përballet një familje në vendin e tij në kohën e pandemisë. Rrëfimi prekës vjen në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. Bëhet fjalë për sakrificën ekstreme për të siguruar jetesë modeste për familjen.
Radioja të cilën e dëgjon çdo ditë protagonisti Landi e përcakton datën si 10 korrik 2021. Në një periudhë të përafërt kanë nisur xhirimet dhe kanë vazhduar më tej. Duke jetuar në izolim, protagonisti në fillim duket se është në harmoni të plotë me mjedisin që e rrethon – një pyll ekzotik.
I moshuar, krejtësisht i vetëm, ha e pi nga ato që i ofron natyra. Pi në ujin që rrjedh nga këneta e në të edhe lahet, fle në shtratin e improvizuar. Aty nuk ka shtëpi, por streha e tij është një mbulesë prej plastike. Në radio vijojnë informacionet për viktimat e Covid-19 në vendin e tij dhe zhvillimet politike. Krejt çfarë posedon është barka me të cilën del në peshkim.
Pamjet bardhezi janë ilustrim për një jetesë më të moçme si dukuri. Ose për botën pa ngjyra për protagonistin i cili krejt çfarë ka në mendje është gjahu prej të cilit siguron jetesën e nënës, bashkëshortes dhe të birit autik.
Regjisori David Bim ka thënë se duke mos vendosur ngjyra, ka synuar që rrëfimi të jetë më i thellë.
“Nëse do të vendosja ngjyra do të duhej të ndaloja ngjyrat në disa të tjera. Në arkitekturë, ngjyrat janë përmbushje, por në film ka të bëjë me thellësinë e pamjes dhe gjithashtu për përkatësinë e karaktereve dhe lidhjen e tyre me jetën, identitetin dhe territorin. Dhe nuk mund ta falsifikosh. Ose përket, ose jo”, ka thënë ai.
Regjisori Bim ka thënë se ky format e ka bërë ta ndiejë filmin më shumë.
“Filmi dhe jeta ime janë të njëjta. Unë duhej të ndieja. Bardhezi më ka ndihmuar të krijoj fjalët e mia që nuk ishin në mendje, sepse mendoj se kinematografia e shpreh realitetin dhe nuk e kopjon atë. Kuptoja autonominë e ndjenjës dhe largësinë e realitetin në të cilin jetoja duke e bërë atë bardhezi”, është shprehur më tej.
Ka treguar se filmi i ka marrë kohë tetë vjet. Jetesa e familjes duke qenë përherë të ndarë është një prej pikave kryesore.
“Për mua është e rëndësishme esenca e filmit për këtë familje të ndarë. Për ta kapur esencën duhet të kapen lëvizjet. Për mua këto karaktere janë sikur ato të Dostojevskit, sepse janë gjithmonë të ndarë dhe në lëvizje, kjo për mua është esenca. Është më shumë film për kohën e cila nuk është e barabartë për të gjithë ne. Në Kubë koha është gjithçka, është si alarm. Për këtë familje është e vështirë, aty ka gjithmonë uri”, ka thënë regjisori.
Këneta është gëzimi e dëshpërimi i tij. Në varkën e tij si arkivol të rrethuar nga uji e zambakët sjell një sekuencë magjepsëse të filmit me plot elemente artistike.
Drama vjen kur ai ecën nëpër ujë duke u përpjekur të zërë në grackë ndonjë krokodil. Të futë në ankth për rrezikun që protagonistit mund t’i kanoset. Por ai duket i paprekshëm ndaj rreziqeve që e rrethojnë, i shtyrë nga nevoja për të siguruar të mirat për çfarë gjendet aty.
Në pjesën e dytë të titulluar “Mercedes”, pamja është paralele me hapjen e pjesës së parë ku Landi kishte të ngarkuar në shpinë një krokodil që e kishte kapur. E Mercedes tash mban barrën e djalit të saj autik, Deinis. Ajo mezi pret kthimin e Landit nga udhëtimi i tij në kënetën Zapata. Pas dy ditësh vonesë kthimi, ajo shpreh shqetësimin e saj dhe aty bëhet i dukshëm rrezikimi i jetës së Landit për të mbajtur familjen e tyre. E ajo deklaron se ata kanë më shumë gjasa të vdesin nga uria sesa nga Covid-19.
Me kthimin e tij me torbat me lëkurë krokodili, vazhdon cikli i tyre i mbijetesës, mungesës dhe heshtjes.
Ky është filmi i parë i regjisorit kuban. Ai ka ndarë përvojën me familjen të cilën e ka objekt të projektit.
“Unë u thashë se do të jemi së bashku, por në qetësi. Atje nuk kishte internet, as telefona mobilë. Ndonjëherë ishte shumë e mërzitshme dhe ndonjëherë ‘wow’. Dëgjoja shumë, shpenzova shumë kohë duke kuptuar vendin, territorin. Merrja shumë tinguj që i incizoja”, ka treguar regjisori Bim.
Daniela Horna, ekonomiste e agrokulturës nga Peru, e ka vlerësuar filmin si perfekt.
“Ishte perfekt. Më çoi në një tjetër realitet. Pati shumë gjëra të mira, por mua personalisht më pëlqeu shumë fotografia. Pati plane të ndryshme dhe lidhje intime midis karaktereve. Mund të shihej se regjisori ishte i afërt me familjen e madje ishte bërë pjesë e saj. Sikur kamera nuk ishte aty, kjo më mahniti. Dëgjova që është filmi i parë i tij, mendoj se ka të ardhme të ndritshme”, është shprehur ajo.
E arkitektja Eltiana Shkreli ka konsideruar se ka qenë shumë artistik dhe me temë të qëlluar.
“Në fakt, në fillim kisha mëdyshje ta ndiqja pasi po lexoja një koment në internet dhe thoshte se është një jetë në mbijetesë e një familjeje dhe nganjëherë kjo të bën të ndihesh keq. Janë shumë sfida të mbijetosh nga një moçal, por nga ana tjetër të bën të mendosh se edhe komunitetet tona në male kanë arritur të krijojnë këto lloje mbijetesash që i kupton njeriu më mirë”, ka thënë ajo duke thënë se tema e filmit përshtatet me atë të festivalit.
“Krijon kontrastin e realitetit sot, që është konsumues, është lakmi e tejskajshme, që është edhe tema e ‘DokuFestit’, por është edhe një boshllëk shpirtëror dhe në anën tjetër kemi edhe antipodin e një realiteti sfidues në mbijetesë, por që të bën të ndihesh mirë. Ka momente dashurie në familje dhe gjithë këto diversitete e bëjnë më artistike dhe shumë kuptimplote për shikuesit”, ka thënë Shkreli për filmin e shfaqur në “DokuKino” të martën.
Për një familje në margjinat e shoqërisë kubaneze, gjuetia e krokodilëve është, fjalë për fjalë, çështje jetë a vdekje. Dhe kjo vjen qartë nëpërmjet filmit të gjatë dokumentar të kategorisë ndërkombëtare në “DokuFest”, “To the west, in Zapata”.