Kulturë

Sensacion në Evropë: “Qyteti i zogjve” në Bullgari, prodhonte verë para 7 mijë vjetësh

Sensacion në Evropë: “Qyteti i zogjve” në Bullgari, prodhonte verë para 7 mijë vjetësh

Tell Yunatsite është një lokalitet shumështresor arkeologjik, shtresat më të vjetra të të cilit datojnë që nga Epoka e Bakrit, kur ky vendbanim ishte një akropol i fortifikuar. Quhet “Qyteti i zogjve” për shkak të qindra figurinave të zogjve prej dheu të gjetura aty (Foto: Balkan Heritage Foundation)

Në kodrën e banuar, Tell Yunatsite, e njohur edhe si “Qyteti i zogjve” në Bullgari, janë zbuluar ato që tani konsiderohen si prova më e hershme e prodhimit të verës në Kontinentin e Vjetër. Ky zbulim arkeologjik e vendos Ballkanin si një pikë kyçe në praktikat e hershme të vreshtarisë në Botën e Vjetër, krah për krah me Kaukazin dhe Lindjen e Mesme. Gjetjet në Gjeorgji dhe Armeni deri më tani janë konsideruar si prova më e hershme e prodhimit të verës, por Yunatsite tani po hyn në atë rreth elitar

Hulumtimet arkeobotanike në lokalitetin e quajtur Tell Yunatsite në Bullgari kanë zbuluar provat më të vjetra të prodhimit të verës në Evropë, duke hedhur dritë të re mbi mënyrën e sofistikuar të jetesës së komuniteteve parahistorike të Ballkanit më shumë se 7 mijë vjet më parë.

Në kodrën e banuar Tell Yunatsite, e njohur edhe si “Qyteti i zogjve”, kërkimet kanë zbuluar atë që tani konsiderohet prova më e hershme e prodhimit të verës në Kontinentin e Vjetër. Më shumë se 3 mijë fara të karbonizuara rrushi, të gjetura në kontekst me fragmente enësh qeramike nga mijëvjeçari i 5-të para erës sonë, dëshmojnë fuqimisht prodhimin e verës në këtë vendbanim parahistorik që ndodhet pranë Panagjyrishtes së Bullgarinë e sotme.

Tell Yunatsite është një lokalitet shumështresor arkeologjik, shtresat më të vjetra të të cilit datojnë që nga Kalkoliti (Epoka e Bakrit), kur ky vendbanim ishte një akropol i fortifikuar i një komuniteti të madh rrethuar me bedena dhe hendekë. Analizat arkeobotanike nga ky vend zbulojnë detaje rreth të ushqyerit, bujqësisë dhe stilit të jetesës së banorëve të tij.

Artefakte të gjetura në Tell Yunatsite, lokaliteti që gjendet afër Panagjyrishtes, rreth 100 kilometra nga Sofja

Dr. Kamen Bojaxhijev për BNT, profesor i asociuar nga Instituti Kombëtar Arkeologjik në Sofje, ka thënë për portalin bntnews.bg se disa mijëra fara rrushi u gjetën në afërsi të dy enëve qeramike në një shtëpi të shkatërruar nga zjarri. Këto enë, ndoshta të përdorura për fermentim, tregojnë prodhimin e një pijeje me bazë rrushi –  verës.

Sipas një punimi të botuar në revistën “Arkaike”, përveç rrushit, u analizuan mbetjet e grurit, elbit, qiqrave, thjerrëzave, si dhe gjurmë të frutave të egra si mollët, dardhat e thanat, gjë që konfirmon praktikën gjithëpërfshirëse bujqësore të kësaj shoqërie të hershme evropiane.

Banorët e lashtë ishin zejtarë dhe tregtarë të aftë, por edhe ndër evropianët e parë që zotëruan vreshtarinë dhe metalurgjinë. U gjetën mjete për përpunimin e bakrit dhe arit, gjë që e pozicionon këtë komunitet si një nga qendrat më të hershme të kulturës dhe teknologjisë në Ballkan.

Vendbanimi ishte i organizuar dhe urban, me shtëpi me sipërfaqe prej 60 deri në 100 metra katrorë, të cilat kishin mure të suvatuara të lyer me motive rituale, një tregues i simbolizmit shpirtëror dhe shprehjes së zhvilluar artistike.

Tell Yunatsite quhet “Qyteti i zogjve” për shkak të qindra figurinave të zogjve prej dheu të gjetura aty. Besohet se zogjtë kanë pasur rëndësi shpirtërore brenda kulturës së tyre, e cila lulëzoi në këtë rajon rreth 7 mijë vjet më parë.

Midis gjetjeve janë figurina të hyjneshës Mater, si dhe më shumë se 40 kocka delesh të zgjedhura me kujdes që me shumë mundësi janë përdorur në rituale ose lojëra, gjë që ndriçon më tej jetën shpirtërore dhe të përditshme të këtij komuniteti.

Figurinë zogu e gjetur në Tell Yunatsite

Ky komunitet shumë i zhvilluar u zhduk papritur në fund të mijëvjeçarit të 5-të para erës sonë, me shumë mundësi për shkak të migrimit të nomadëve të stepës. Megjithatë, ata lanë pas gjurmë të qeramikës së përparuar, metalurgjisë dhe tani që e dimë – verës.

Ky zbulim arkeologjik në Bullgari e vendos Ballkanin si një pikë kyçe në praktikat e hershme të vreshtarisë në Botën e Vjetër, krah për krah me Kaukazin dhe Lindjen e Mesme. Gjetjet në Gjeorgji dhe Armeni deri më tani janë konsideruar si prova më e hershme e prodhimit të verës, por Yunatsite tani po hyn në atë rreth elitar.

Gjatë gjithë historisë, vera ka qenë shumë më tepër sesa një pije. Është një simbol kulturor, i lidhur me tregtinë, identitetin dhe ritualet. Zbulimi pranë Pazarxhikut mundëson ripërcaktimin e historisë evropiane të verës dhe forcon më tej rëndësinë e Ballkanit si djep i qytetërimit të hershëm.

Marrë nga BNT. Përktheu: KOHA