Dashuria e pasionet e njëjta krijuese e letrare i bashkuan si çift bashkëshortor me poetin e kritikun Basri Çapriqi, kurse po e njëjta sëmundje i ndau nga jeta kur kishin aq shumë për të dhënë e për të thënë. Të premten, në moshën 57-vjeçare, është ndarë nga jeta studiuesja, mësimdhënësja e përkthyesja Sazana Çapriqi. Ishte anëtare dhe aktiviste e PEN Qendrës së Kosovës që prej themelimit: ajo ishte edhe kryetare e Komitetit të Grave Shkrimtare pranë po këtij asociacioni. Shquhej për angazhimin e saj në avancimin e të drejtave të grave e nëpërmjet studimeve e përkthimeve solli zërin letrar femëror në frymën e feminizmit
Emrin e saj e mbajnë disa libra autorësh shqiptarë që ajo i ndërmjetësoi në gjuhën angleze. E dashur dhe korrekte si profesoreshë e anglishtes në Fakultetin e Filologjisë, Sazana Çapriqi ka bërë emër si studiuese e letërsisë dhe aktiviste për fuqizimin e grave nëpërmjet fuqisë së letërsisë.
Në ballafaqimin e pamundur me një sëmundje të rëndë, Çapriqi është ndarë nga jeta të premten, në moshën 57-vjeçare. Kumtin e pikëllimtë e ka bërë të ditur PEN Qendra e Kosovës, e cila nëpërmjet një telegrami ka shprehur ngushëllime për familjen Çapriqi.
“Vdekja e saj bëhet edhe më rëndë, sidomos për fëmijët e saj, por edhe për kolegët, pasi që e ndjera e përjetoi shumë rëndë vdekjen e bashkëshortit të vet tri vjet më parë, Basri Çapriqi, ish-kryetar i PEN Qendrës”, është thënë në telegramin e ngushëllimit të PEN Qendrës që u është përcjellë mediave pasditen e së premtes.
Studiuesja e përkthyesja Çapriqi ishte anëtare dhe aktiviste e PEN Qendrës se Kosovës që prej themelimit: ajo ishte edhe kryetare e Komitetit të Grave Shkrimtare pranë po këtij asociacioni.
Angazhimi i saj për avancimin e të drejtave të grave është vlerësuar edhe nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, e cila ka shprehur pikëllimin për ndarjen nga jeta të Çapriqit.
“QKSGj me pikëllim të thellë mori lajmin për ndarje nga jeta të studiueses dhe profesores Sazana Çapriqi. Ajo ishte profesore pranë Fakultetit të Filologjisë - Dega Gjuhë Angleze, studiuese, kritike letrare feministe dhe përkthyese e cila ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në lëvizjen feministe në Kosovë përmes angazhimit të saj intelektual”, thuhet në telegram.
Në tetor të vitit të kaluar, Çapriqi ishte diagnostikuar me një kancer të rrallë. E bija e saj, Bulza Çapriqi, kishte hapur një fond për grumbullimin e mjeteve për trajtim jashtë vendit.
Në faqen “gofundme”, ajo kishte treguar sesi mjekët në Gjermani kishin konstatuar që profesoresha Çapriqi vuante nga kanceri i tipit myeloma.
Lajmi për vdekjen e profesoreshës Çapriqi është pasuar edhe me ngushëllime e reagime të shumta në mediat sociale.
“Pushofsh në paqe, kolege e dashur! Iu bashkove Basriut që e deshe shumë! Lajm i dhimbshëm, tronditës, për të gjithë ne, miqtë e tu”, ka shkruar Muhamet Hamiti, profesor i gjuhës angleze në Fakultetin e Filologjisë.
Shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë Agron Gashi e ka cilësuar si humbje të madhe vdekjen e Çapriqit. Në një prononcim për KOHËN, ai ka vlerësuar se humbjen më të madhe e bën edhe fakti që brenda një kohe të shkurtër iku një çift që i bashkoi profesioni dhe pasioni: Basriu krijues dhe Sazana përkthyese e studiuese.
“Sazana Çapriqi i takon asaj plejade përkthyesish dhe studiuesish që në letërsinë tonë kanë sjellë zërin letrar femëror, jo vetëm me status të krijuesve, por tipik në frymën e feminizmit si koncept e kulturë në përgjithësi”, ka thënë Gashi.
Ministrja në detyrë e Kulturës, Vlora Domoshi, në një telegram ngushëllimi e ka kujtuar Sazana Çapriqin si mësimdhënëse, studiuese e përkthyese e zonja, por edhe si një mike të mirë.
“Sazana, e cila ishte e lidhur ngushtë me familjen dhe me kolegët e miqtë, ka qenë një rrezatim dhe frymëzim dhe gjithmonë u ndodhej pranë. Përpos angazhimit dhe kujdesit maksimal për familjen, Sazana ka qenë një pedagoge e shkëlqyer universitare dhe studiuese e përkthyese e mrekullueshme e anglishtes, duke kontribuuar jashtëzakonisht në edukimin e gjeneratave, si dhe në pasurimin e veprave të shumta me përkthime mjeshtërore”, ka shkruar Dumoshi. Ka përmendur edhe angazhimin dhe bashkëpunimin edhe me institucionet, “duke dhënë një kontribut të shumanshëm, si në organizata të shkrimtarëve, e së fundi ka qenë edhe anëtare e Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës”.
Studiuese, përkthyese dhe mësimdhënëse e letërsisë angleze, Sazana Çapriqi lindi më 6 shkurt 1964 në Prishtinë. Po këtu kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. Mbaroi studimet për gjuhë dhe letërsi angleze në Universitetin e Prishtinës, ku kreu dhe studimet pasuniversitare dhe mbrojti tezën e disertacionit të doktoratës (2009). Në jetëshkrimin e saj universitar përfshihen edhe qëndrime specializimi në Edinburg, Washington, Londër e Budapest, ashtu sikundër edhe konferenca në Rumani, Itali, SHBA, Portugali e Slloveni.
Karrierën e mësimdhënëses e nisi më 1986 në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Prishtinë, ndërsa nga viti 1990 punon në Universitetin e Prishtinës. Më 1997 themeloi shoqatën për hulumtime dhe botime të grave “Sfinga Center” dhe po atë vit nisi botimin e revistës kulturore për studimet gjinore “Sfinga”.
Përveç publikimeve në gazeta e revista të huaja, në gjuhën shqipe botoi dy libra studimorë “Letërsia e grave – perspektiva krahasuese” (2006) dhe “Shkrimi femëror” (2011).
Sistematikisht u mor me përkthime nga anglishtja në shqip dhe anasjelltas si “Bari mbi dritare” (The Grass on the Window), poezi të B. Çapriqit (1992), “Zërat e shiut” (Sheamus Heaney, 1995), “Një dhomë për vete – ese nga Virginia Woolf” (1997), “Si të lexohet – ese angloamerikane” (1997) dhe përktheu në gjuhën angleze disa autorë shqiptarë.