Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Sarabande” me rrëfimin për Petrit Çekun merr çmim në Skoci

Prishtinë, 3 maj - “Sarabande” – që pasqyron një moment të rëndësishëm të karrierës së kitaristit kosovar me nam ndërkombëtar, Petrit Çeku, ka marrë çmimin e parë. I realizuar nga Kaltrina Krasniqi, dokumentari që më 26 shkurt e pati premierën në “ZagrebDox”, është vlerësuar nga një festival që selinë e ka në qytetin më të madh skocez Glasgow.

“The Monthly Film Festival” – një platformë online që për çdo muaj promovon e shpërblen vepra filmike – e ka shpallur dokumentarin e regjisores kosovare më të mirin e muajit që lamë pas. Ky çmim e vë “Sarabanden” në konkurrencë për çmimin vjetor të festivalit.

“Sarabande” kishte zënë fill kur Çeku kishte vendosur t’i incizonte në kitarë suitat e Bachut për violonçel dhe Kaltrina Krasniqi e kishte shoqëruar atë në Spanjë. Incizimi i Çekut “Bach: The Cello Suites” qe nominuar për çmim nga “International Classical Music Awards (ICMA)”, në kategorinë “Baroque Music, Instrumental” (Muzikë instrumentale e barokut). Lajmin për këtë nominim e kishte bërë publik studioja muzikore “Eudora Records”, ku është bërë incizimi i Çekut me veprat e Bachut të aranzhuara nga violonçelisti Valter Deshpali. Incizimet qenë publikuar në vjeshtën e vitit 2015.

E krejt rrëfimi i dokumentuar në “Sarabande” u nxor në publik tek sivjet, me premierën në festivalin kroat (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).