Prishtinë, 24 prill – “Samsara”, në të cilin nuk flitet asnjë fjalë, por shihen pamje të panumërta që përçojnë mesazhe të fuqishme, ka qenë dokumentari që “Kino Armata” ka përzgjedhur ta shfaqë për ta shënuar Ditën e Tokës. Nëpërmjet kamerës shikuesi bartet në vende të ndryshme të botës. Dokumentari prej 99 minutash ngjan si një udhëtim nëpër kontinente të ndryshme të planetit. Oqeane, lumenj, pyje, tempuj e popuj të vendeve të ndryshme me veshjet e traditat unike, janë imazhet me të cilat bëhet tërheqja në thellësi të dokumentarit. Krejt këto i paraprijnë kalimit në kontraste. Rrugëtimi vazhdon me pamje të metropoleve me rrokaqiej, fabrika industriale e qytete me rrugë plot makina. Dualiteti e kontradikta janë elementet kryesore të këtij dokumentari i cili sfidon perceptimet e njeriut mbi realitetin dhe thyen kufijtë e kuptimit mbi botën.
I titulluar bazuar në një fjalë të gjuhës tibetiane që ka kuptimin e “rrotës së jetës gjithnjë në rrotullim” – kronikon ciklet e jetës, vdekjes, shkatërrimit dhe rilindjes që ndodhin në planetin tonë në mënyra të mëdha dhe të vogla.
Ilir Hasanaj, i cili kujdeset për programin e filmave në “Kino Armata” dhe ka zgjedhur këtë dokumentar të shfaqet për Ditën e Tokës, ka thënë se “Samsara” i përshtatet në shumë mënyra kësaj date dhe lë shumë hapësirë të perceptimit.
(Më shumë, sot në "Kohën Ditore")