Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Same84” në Tiranë gjen heronjtë e secilit

Kongresi Rinor Kombëtar, në kuadër të titullit “Tirana, Kryeqytet Evropian i Rinisë 2022”, ka sjellë në kryeqytetin shqiptar ekspozitën e parë të artit të rrugës me titull “Ne jemi heronjtë tanë”. Koordinatorja e përgjithshme e titullit “Tirana, Kryeqytet Evropian i Rinisë 2022” pranë Kongresit Rinor Kombëtar, Aspasjana Kongo, ka vlerësuar portofolin artistik të artistit grek “Same84”, teksa ka theksuar rëndësinë e artit duke shprehur vëmendjen që “Tirana EYC 2022” i ka dhënë nëpërmjet programit “Rinia prodhon Kulturë”.

“Shumë faleminderit Muzeut Historik Kombëtar dhe Ambasadës greke për mbështetjen që na jep për realizimin e projekteve për të rinjtë. Për ne është një mbështetje që do të vijojë për të rinjtë dhe do të vazhdojmë angazhimin tonë për të mbështetur një kalendar me shumë aktivitete përgjatë këtij viti”, ka thënë Kongo, raportojnë mediat shqiptare. Ajo ka ftuar të gjithë të rinjtë që ta vizitojnë ekspozitën deri më datë 22 mars në ambientet e Muzeut Kombëtar të Tiranës.

Titulli i ekspozitës “Ne jemi heronjtë tanë”, i referohet pikërisht asaj që përmend titulli “Tirana, Kryeqytet Evropian i Rinisë 2022”. Siç ishte shprehur artisti grek, të gjitha veprat në ekspozitë janë të frymëzuara nga fuqia njerëzore dhe nevoja për të nxjerrë nga vetja heroin që fshihet në shpirt.

“Nisur nga ky arsyetim, jam përpjekur me veprat e mia të ‘ndërlidh’ njerëzit e përditshëm që takojmë në përditshmërinë tonë, me heronjtë ‘modernë’. Dhe në një mënyrë që njëri ‘hijezon’ tjetrin, duke treguar se është detyra jonë ta ‘kapim’ vetë jetën tonë dhe më në fund të bëhemi heronjtë tanë”, ka thënë ai.

Në këtë ekspozitë, artisti grek, i rrugës “Same 84”, prezanton shumë nga punimet e tij të reja në telajo, të cilat janë punuar me teknikë të kombinuar, duke mbajtur kështu të njëjtën teknikë me të cilën punon muret në hapësirën e hapur publike. Ky fakt jep një ndjesi të veçantë të rrugës në kanavacë, ndërkohë që teksturat e çimentos dhe shkrimi me spërkatje e theksojnë këtë ndjenjë. Karakteristikë e veprave të tij janë kontrastet shumë të forta.

Ekspozita “Same84” është pjesë e aktiviteteve të “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” nën kujdesin e Kyriakos Iosifidis (UrbanAct) dhe Helidon Halitit dhe me organizimin e Kongresit Rinor Kombëtar e mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe të Ambasadës greke në Tiranë.