“Sot një lexues, nesër një udhëheqës”, kishte thënë Margaret Fuller, duke asociuar në fuqinë mendore që individit ia jep leximi. Përtej “lulëzimit” intelektual, janë pikërisht rreshtat e faqet e librave ato të cilat e bëjnë të mundshëm udhëtimin imagjinar dhe zhvillimin e kreativitetit, duke i dhënë njeriut mundësinë e të jetuarit të një realiteti përtej reales.
Pikërisht për të treguar rrugëtimin e tij me librin – larg pjesës së politikëbërjes – në një rrëfim tejet personal dhe në veten e parë, ambasadori britanik, Nicholas Abbott, u bë personi i parë që dha mesazhin e leximit në kuadër të fushatës “Let’s meet our ambassadors through books”, të iniciuar nga libraria “Dukagjini” në mesditën e së hënës.
Abbotti u shfaq si asnjëherë më parë, duke qenë ballë për ballë publikut artdashës dhe me origjinalitet teksa shpaloste pasojat zhvilluese të relacionit me leximin.
Nisma e marrë nga libraria “Dukagjini” filloi rrugëtimin me një fytyrë publike e politike të rëndësishme, duke prerë shiritin e një fillimi të ri, në tentim të thirrjes së shoqërimit me librin.
Përgjatë diskutimit të moderuar nga Elion Kollçaku, ambasadori Abott përmendi se lidhja e tij me librat ka nisur që nga fëmijëria, e që në moshën 13-vjeçare është bërë edhe më e ngushtë kur ka qenë në krye të një librarie.
“Gjëja të cilën e mendoja para se të vija këtu ishte fakti se sa rol të madh kanë librat në jetët tona”, pohoi ai, duke shtuar se ato ndikojnë në rritjen e individit.
Tri librat, të cilat atij i kanë lënë gjurmë në kujtesë, e që u bën rekomandime për publikun ishin “The Hobbit” nga JRR Tolkien, “Novelat e Maigret” nga Georges Simenon dhe “Quaker Faith and Practice”.
“Ne duam të kuptojmë dhe mësojmë”, ka thënë ai për qëllimin e leximit, mirëpo shtoi se ai lexon për shkak të kënaqësisë që ndjen në çdo shfletim faqeje. “Në kohën e izolimit pandemik, ne uleshim me gruan time dhe lexonim vepra të ndryshme. Ky ishte një moment special për mua”, kujtoi Abott. Kur është pyetur se cilët ishin librat, të cilët i kishte lexuar mbi një herë, ai ka thënë se lista është e gjatë. Sipas tij, pjesa më interesante është kur si lexues arrin ta futë veten në situatën e personazhit, duke menduar për mundësi e zgjedhje të problematikave të ndryshme, po njësoj si diplomacia me të cilën merret. Ndërkaq për letërsinë shqipe ka thënë se tenton të lexojë kohë pas kohe, por nuk është se e kupton gjuhën edhe aq mirë. Ndërkaq nga e gjithë letërsia shqiptare, ato të cilat i veçoi ishin poezitë e Ali Podrimjes.
Në një prononcim të dhënë për KOHËN, Abotti theksoi se ky diskutim ishte një përvojë ndryshe për shkak që interesimi i audiencës ishte te një temë ndryshe se ç’ishte mësuar.
“Këtu nuk ishte një ambasador, por isha me të vërtetë unë duke folur për libra dhe lexim, dhe për rolin e madh që kanë luajtur në jetën time”, ka thënë Nicholas Abbott.
Tutje, ai ka thënë se njerëzit janë reflektim i asaj që lexojnë. “Si lexues e përkrah iniciativën e marrë nga libraria ‘Dukagjini’, sepse ne jemi duke folur për veten”, përfundoi ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë.
Elion Kollçaku, organizator, për KOHËN bëri të ditur se iniciativa “Let’s meet our ambassadors through books” do t’i bashkojë ambasadorët dhe lexuesit për çdo muaj.
“Në fakt, kjo iniciativë ishte e ideuar në mënyrë që promovimi i librave dhe leximit të bëhej nga kasta më e lartë e diplomatëve”, ka thënë Kollçaku.
Për emrat, të cilët do të japin mesazhin e tyre për promovimin e leximit, ai nuk dha detaje, teksa tha se do të ketë personalitete të shquara të diplomacisë.
“U vendos që të fillohet pikërisht me atë të Anglisë për shkak të paraqitjes së tij publike, ku ka përmendur në pika të shkurtra interesimin e tij për leximin”, ka thënë Kollçaku nga libraria “Dukagjini”.
Arsyeja e përzgjedhjes së diplomatëve, sipas tij, qëndron në faktin e mungesës së kontaktit të drejtpërdrejtë të tyre me njerëzit e thjeshtë e lexuesit.
“Dy qëllimet kyç se pse po bëhet kjo ngjarje është se leximi dhe librat të promovohen nga ambasadorët në një formë më të relaksuar”, përfundoi ai.
Ambasadorja e vullnetit të mirë për Kosovën në “International Human Rights Commision”, Elvana Shala, ka thënë për KOHËN se kjo iniciativë është e para e këtij lloji në vendin tonë.
“Natyrisht është për t’u mirëpritur, sepse të gjithë kemi pasur nevojë që ambasadorët, sidomos të spektrit ndërkombëtar t’i njohim në një formë ndryshe”, ka thënë Shala, teksa shtoi se do të jetë një mesazh i veçantë për të gjithë.
Sipas saj, duke pasur parasysh që kohëve të fundit ka rënë interesimi i të rinjve për të lexuar, është tejet e rëndësishme që personalitete të tilla japin mesazhin dhe rekomandimet e tyre për të lexuar libra.