Aty ku dikur rituali i tij i kafesë dhe i takimit me miqtë shndërrohej në ngjarje në Prishtinë – në Kinemanë ABC – dokumentari për Bekim Fehmiun ka rikthyer magjinë e pranisë së tij jo vetëm nëpërmjet rrëfimit të jetës e të karrierës së tij, por edhe të kujtimeve për aktorin e madh. Ka sjellë në kryeqytet edhe bashkëshorten e tij, aktoren Branka Petriq. “U befasova nga shiu i madh mbrëmë në Prishtinë, por sot dielli doli dhe zbukuroi këtë ditë njëjtë si Bekimi”, ka thënë Petriq
Në të gjallë, sa herë që vinte në Prishtinë, për vjet me radhë ishte shndërruar në një lloj rituali që kafenë e mëngjesit ta pinte në të njëjtin vend, gati në të njëjtën kohë. Aty takonte miqtë e kolegët e tij. Adresa: Kinemaja ABC, në qendër të kryeqytetit. Rreth orës 9 të mëngjesit, në tavolinën në fund të hollit të vogël, e prisnin gati kafeja, cigaret e një gotë ujë.
Një ritual si ky qe ruajtur si shenjë përkujtimi edhe disa vjet pas vdekjes së tij – rëndom në ditëlindjen e në ditëvdekjen e tij – si shenjë kujtimi për aktorin e madh.
“Njerëzit prisnin në radhë për me u ul në këndin ku ulej Bekim Fehmiu”, ka kujtuar menaxheri i Kinemasë ABC, Avni Dobraj, rolin simbolik që ka marrë tashmë këndi ku ulej aktori legjendar.

Ndryshe prej dikur, holli i Kino ABC-së të enjten ka pritur familjarë, miq, dashamirë e adhurues të Bekim Fehmiut, si shenjë respekti për veprimtarinë kolosale të tij.
“Ky film dokumentar nuk është vetëm një biografi e ekranizuar, por edhe një kërkim i sinqertë për njeriun prapa këtyre roleve ndërkombëtare, dokumentari nuk u shmanget as ulje-ngritjeve të jetës së Bekim Fehmiut”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në fjalën hyrëse para se të ndizej projektori për dokumentarin “Bekim Fehmiu”, me skenar të gazetarit veteran Fahri Musliu, nën regji të Valmir Tertinit. Ka ardhur premierë në kryeqytet pas premierës absolute në Prizren, më 23 tetor.
Ajo se çfarë sipas Ramës e bën këtë dokumentar të veçantë, është edhe fakti se veprimtaria e Fehmiut shërben si një dëshmi e fuqisë së artit për të kapërcyer hendeqet e mendësisë së Ballkanit.
Shfaqja e dokumentarit ka sjellë në kryeqytet edhe aktoren Branka Petriq, bashkëshortja e Fehmiut, të cilën kryetari Rama e ka nderuar me “Mirënjohjen e Kryeqytetit”.
“Mirëdita, unë jam gruaja e Bekimit”, ka përshëndetur në shqip Petriq, si një homazh për origjinën e bashkudhëtarit të jetës se saj. Salla ka shpërthyer në të qeshura. Fjalimet e saj për Fehmiun janë përherë emocionuese, si në qershorin e 2010-s, kur po në ABC do të mbante një fjalim prekës në komemoracionin për aktorin e madh.
“U befasova nga shiu i madh mbrëmë në Prishtinë, por sot dielli doli dhe zbukuroi këtë ditë njëjtë si Bekimi”, ka thënë Petriq. Ka treguar se pati mundësinë edhe të shëtiste në Prishtinë dhe të takohej me njerëzit e vendit të Bekimit.
Për KOHËN u shpreh e kënaqur që pa filmin. Ishte një udhëtim emocional retrospektiv edhe për të.
“Kalimi nëpër periudha të ndryshme të jetës së Bekimit për mua ishte si një eksperiencë krejt e jashtëzakonshme”, ka thënë ajo.
Skenaristi i dokumentarit, gazetari Fahri Musliu, njëherësh autor i monografisë për Bekim Fehmiun, njësoj si pas premierës në Prizren, edhe në Prishtinë ka ripërsëritur se filmi është finalizuar pas katër vjetësh punë e sakrificë dhe pa përkrahjen institucionale në Kosovë. Sipas tij, ky dokumentar paraqitet për gjeneratat e reja si një minierë ari e Kosovës, për të parë dhe për të mësuar se si me punë të madhe dhe sakrificë arrihet suksesi botëror.
“Filmi nuk e prezanton Bekimin si figurë në totalin e plotë të tij, por vetëm në disa pjesë”, ka thënë Musliu duke shtuar se ka plane për prezantim më të gjerë përmes një seriali televiziv me disa episode për shkak të materialit të shumtë që posedojnë.
Historia e Bekim Fehmiut që nisi nga kalldrëmet e Prizrenit e deri te reflektorët e shesh-xhirimeve të Hollywoodit, në këtë dokumentar fillon me epilogun e trishtë të jetës së Fehmiut, pikërisht me vetëvrasjen e tij, skenë e regjistruar mjeshtërisht nga regjisori Tertini. E bashkëshortja Branka Petrit ndan në fillim të filmit gjësende personale të Bekimit, si kapelën që e kishte përdorur në filmin “Mbledhësit e puplave”, një libër shkollor të përdorur në shkollat italiane me figurën e Bekimit si Odiseu në kopertinë, çakmakun e Bekimit, filxhanin e tij me të cilin pinte kafenë, e parzmoren dhe armën që kishte përdorur në filmin “The Deserter” si një tentativë e saj për të rikujtuar figurativisht copëza të artistit.

Bekim Fehmiu u lind në Sarajevë në vitin 1936 nga një familje e njohur gjakovare, ndërkohë që fëmijërinë e kaloi në Prizren. Ai u bë i famshëm në vitin 1966 me filmin “Mbledhësit e puplave” dhe më pas pasuroi karrierën me filma si: “Aventurieri”, “Të kuqtë dhe të zinjtë”, “Odiseu” dhe “Përgjithmonë Julia”. Më 15 qershor të vitit 2010 kreu vetëvrasje në banesën e tij në Beograd, derisa bashkëshortja Branka Petriq, bashkë me dy djemtë, Uliksin dhe Hedonin, dhe familjarë të tjerë patën çuar në vend amanetin e aktorit të ndjerë me hedhjen e hirit të tij në Lumëbardhin e Prizrenit.
Në dokumentar, përveç krijimtarisë së tij të bujshme, paraqitet fëmijëria e tij përmes rrëfimit të vëllait të tij Arsimit, vizita e tij në Shqipëri, në qytetin që dikur dhe kishte jetuar, në Shkodër derisa përfundon me disa paraqitje të tija të vona në televizionin publik.
Për ta vendosur një jetë dhe karrierë aq të frytshme si ajo e Bekim Fehmiut për regjisorin nuk ishte punë e lehtë. Ideja kishte nisur nga një promovim libri në Gjakovë, në takimin me Fahri Musliun.
“Ne deshëm që xhirimet të nisin në fillim të vitit 2019, por mosfinancimi nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Ministria e Kulturës na i shtyu ato, dhe kështu humbëm mundësinë që në film të kishim pjesë dhe nga Musa Ramadani”, ka thënë Tertini, duke shtuar se pas punës pesëvjeçare të realizimit të filmit tani ndihet krenar dhe shumë i lumtur.
Ish-politikania Kaqusha Jashari ka thënë se dokumentari i ka tejkaluar pritshmëritë e saja.
“Kam pritë një film të mirë, por ishte një film i jashtëzakonshëm”, ka thënë ajo duke u ndalur te merita e filmit që të shfaqet edhe jashtë Kosovës.
Piktorja Zake Prelvukaj ka ndarë momentin e takimit me Bekim Fehmiun dikur.
“Ai kishte parë një pikturë timen këtu në Kino ABC, por nuk e kishte ditur se kush e ka bërë. Pastaj jemi takuar dhe kam parë karakterin e tij të fortë dhe fjalorin prerës”, ka thënë ajo duke vlerësuar lart figurën e Bekim Fehmiut, dhe fatin e popullit të Kosovës që ka personazhe të tilla të përjetshme.