Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Rrëfimet e pajtimeve që bashkojnë dy popuj drejt Afrikës së Jugut

Skenë nga shfaqja “Nën hijen e një peme u ula dhe qava”

Skenë nga shfaqja “Nën hijen e një peme u ula dhe qava”

Aktorë nga Kosova dhe nga Afrika e Jugut bashkohen në skenë në shfaqjen “Nën hijen e një peme u ula dhe qava”. Përballin Anton Çettën dhe Desmond Tutun. Mbi të gjitha në “The Market Theatre” nga 9 deri më 19 prill do të përballen fatet e dy popujve që i bashkon vuajtja dhe emërues i përbashkët i pajtimit është dhimbja si ndjesi që s’venitet kurrë. Lëvizja e pajtimit të gjaqeve në Kosovën e para më shumë se tri dekadave e Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit që u iniciua më 1995 në Afrikën e Jugut vijnë në shfaqje dokumentare

Publiku i një prej teatrove më me nam jo veç në Afrikën e Jugut, por në krejt kontinentin, për 10 mbrëmje rresht do të mësojë shumë për një lëvizje të pajtimit të gjaqeve në Kosovën e para më shumë se tri dekadave. Rrëfimi teatror para publikut në Johannesburg përfshin histori e ndjesi artistike për Komisionin e së Vërtetës dhe Pajtimit që u iniciua më 1995 si një nismë e madhe pas aparteidit. Aktorë nga Kosova dhe nga Afrika e Jugut bashkohen në skenë në shfaqjen “Nën hijen e një peme u ula dhe qava”. Përballin Anton Çettën dhe Desmond Tutun. Mbi të gjitha, në “The Market Theatre” nga 9 deri më 19 prill do të përballen fatet e dy popujve që i bashkon vuajtja dhe emërues i përbashkët i pajtimit është dhimbja si ndjesi që s’venitet kurrë. 

Bashkëprodhimi i Qendrës “Multimedia” në Kosovë dhe “The Market Theatre” nga Johannesburgu është prej atyre projekteve teatrore ku është gërmuar shumë në histori, e sidomos në ndjesinë njerëzore të dy popujve të cilët i ndajnë 8 mijë kilometra vijë ajrore. Vjet shfaqja qe dhënë në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut. Tash shkon drejt Johannesburgut për shënimin e 30-vjetorit të Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit që u iniciua më 1995. Bashkëprodhimi teatror nën regji të Blerta Nezirajt dhe tekst të Nezirajt, shkon përtej diplomacisë kulturore, një shfaqjeje teatri a një projekti artistik: zhvesh shpirtin e familjarëve të viktimave në skenë. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Prezantimi i shfaqjes në Afrikë të Jugut është një ndërmarrje e madhe dhe e rëndësishme. Jemi jashtëzakonisht të lumtur që kjo vizitë po ndodh, për më tepër shfaqja po jepet në një kontekst tepër të rëndësishëm. Teatri ikonik me të cilin e kemi bashkëprodhuar shfaqjen, ‘The Market Theatre’, sivjet shënon 50 vjetorin e themelimit, dhe shfaqja jonë është futur në programin jubilar, e për më tepër, prezantimi atje është vënë në kontekstin e 30-vjetorit të themelimit të Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit”, ka thënë dramaturgu Nerziraj, njëherësh udhëheqës i Qendrës “Multimedia”. Sipas tij, moment më të rëndësishëm për ta prezantuar këtë shfaqje atje nuk mund të kishte pasur kur merret parasysh koha kur do të jepet. 

“Mezi po presim ta takojmë publikun në Johannesburg. Shfaqja është po ajo që vjeshtën e vitit të shkuar është dhënë edhe në Kosovë, veçse, tani, në ekip kemi edhe aktoren Amernis Nokshiqi. Një ndihmesë që kjo vizitë e jona në Afrikë të Jugut të ndodhë, e ka dhënë edhe konsulli i nderit i Afrikës së Jugut në Shqipëri, zoti Zenel Hoxha, të cilin e falënderojmë publikisht”, ka thënë Neziraj. 

Shfaqja bashkoi aktorë eminentë shqiptarë si: Ema Andrea, Ilire Vinca, Arben Bajraktaraj me ata të Afrikës së Jugut, Kensiwe Tshabalala, Les Madem dhe Gontse Ntshegang. 

Dramaturgu i shfaqjes, Greg Homann është njëherësh drejtor i “Market Theatre” të Johanesburgut. Në këtë bashkëprodhim kanë hise edhe disa teatro si “São Luiz Teatro” i Lisbonës, “Teatro Della Pergola” në Firence, Teatri i Dortmundit, “Black Box Teater” i Oslos, festivali italian “Mittelfest”, “Théâtre de la Ville” nga Parisi, Teatri i Gjilanit, “Ruimtetijd” nga Amsterdami, “La MaMa” nga Neë Yorku dhe festivali “Sens Interdits Festival” në Lion.

Historia thotë se gjatë pajtimit të gjaqeve në Kosovë nën udhëheqjen e Anton Çettës u zgjidhën 1 mijë e 275 gjakmarrje dhe konflikte, kurse në Afrikën e Jugut viktimat dhe kryerësit e krimeve vendoseshin përballë njëri-tjetrit, në një “gjyq” ku të vërteta të tmerrshme nga periudhat e dhunës, shtypjes dhe persekutimit bëheshin publike. Atje udhëheqës qe kleriku Desmond Tutu i cili fitoi dhe “Nobel” për paqe. Shfaqja për nikoqir dhe bashkëproducent ka një institucion që ka histori të gjatë në luftën për të drejtat e njeriut. Historia e teatri “The Market Theatre” në Afrikën e Jugut është mesele më vete. Në fillet e veta në vitet ’70 të shekullit të kaluar ky institucion vinte në skenë shfaqje që konsideroheshin aq subversive kundërshtuese, saqë u bë një objektiv i rregullt i censorëve të zellshëm të qeverisë së aparteidit. I bashkonte krejt ngjyrat edhe pse asokohe Johannesburgu qe qytet ku ligji ndante zonat dhe njerëzit sipas racës. Teatri, i themeluar në një treg të vjetër frutash dhe perimesh në qendër të Johanesburgut, lindi në një kohë vendimtare vetëm disa ditë pasi kryengritja e Sowetos në vitin 1976 ndryshoi vendin përgjithmonë. Të rinjtë dolën në rrugë për të protestuar kundër mësimit në shkolla në gjuhën afrikane  dhe reagimi i ashpër i qeverisë çoi në vrasjen e qindra njerëzve.

“Pra, ne hapëm dyert tona tri ditë pas atij eventi”, rrëfen drejtori aktual artistik i teatrit, Greg Homann për platformën “npr”. 

Në këtë gjysmë shekulli, ky institucion ka prodhuar shfaqje me famë ndërkombëtare, përfshirë “Woza Albert”, “Sophiatoën” dhe “Sizwe Banzi is Dead”.

“Teatri shpesh bastisej. Aktorët ndonjëherë ishin në rrezik”, tregon Homann.

Dhe shpesh, censuruesit e qeverisë së aparteidit shfaqeshin papritur.

“Ata ngjiteshin në skenë dhe fillonin të bënin censurën e tyre përpara publikut”, vazhdon ai. “Dhe kjo pothuajse u kthye si një akt i dytë i shfaqjes, ku censura bëhej pjesë aktive e veprës”, rrëfen ai. Por ajo kohë ka kaluar. tash në shfaqjen e punuar në Kosovë publiku i atjeshëm do të shohë  se si krejt shfaqja është procesi i provave për përgatitjen e saj. Me të përfunduar rrëfimet e para, aktorëve u bëhet thirrje për t’i ngrënë picat e ngrohta dhe diskutimet marrin ngjyrim të zakonshëm. Sërish fillojnë rrëfimet e personazheve, tani në një ambient tjetër. Inskenohen bisedat reale të kohës së para tri dekadave. Janë prej atyre që ndërmjetësuesit u flasin familjeve të të vrarëve. U kërkohet ta falin gjakun e të bijve. Përballjet në skenë janë tejet të vështira. Ata që bënë krime kërkojnë të falen në emër të së ardhmes, e familjaret e viktimave thonë: “po”. Por ndjesia e tyre është diçka që s’ka fund e as s’u largohet kurrë. Në shfaqje duket sikur me atë anë s’merret askush.