Kulturë

Rrëfim për kobin, frikën dhe trajtat e habisë

Vepra dramatike, me titull “Vetëharrimi”, shënon të katërtën vepër të gjinisë dramatike në opusin krijues dramaturgjik të dramaturgut, studiuesit e kritikut prof. asoc. dr. Besim Rexhaj. Pas dramës “Vorbulla” dhe monodramave “Loja e pafund” dhe “Portreti i pakryer”, me veprën e tij më të re, Rexhaj, me shumë përkushtim, invencion dhe kreativitet, vazhdon të kultivojë edhe më tej gjininë dramatike, në llojin më të vështirë të saj, monodramën.

Shtegu krijues dramaturgjik, në të cilin vazhdon të shkelë dhe të udhëtojë Rexhaj, është ai shteg që hap horizonte të ideimit, konceptimit dhe realizimit të veprave dramaturgjike, që shkruhen, tashmë jo vetëm për t’u lexuar si letërsi, por edhe për të rrugëtuar e për t’u jetësuar plotësisht dhe pashmangshëm në destinacionin e tyre të fundit, atje ku edhe e kanë vendin, në skenën e teatrit. Pra, Rexhaj si emër i përveçëm i botës teatrore shqiptare, prej vitesh, jo vetëm që e studion, analizon dhe e krahason dramën dhe teatrin, por tashmë ai edhe e krijon atë. Prandaj, tani dhe këtu bëjmë fjalë për dramaturgun Rexhaj.

“Vetëharrimi”, siç edhe e shënjon vetë autori në krye të veprës, është monodramë me një bazë të fortë dokumentare. Kështu, baza e fortë dokumentare e ngjarjeve, situatave dhe ndodhive të shumta, që janë përjetuar gjatë kohës së luftës në Kosovë, si dhe pasojave psiko-emotive të kësaj lufte, gjatë dy dhjetëvjetëshave të kaluar, i ka shërbyer dramaturgut Rexhaj për ta ndërtuar strukturën motivuese, në veprën e tij dramatike. Prandaj, kjo strukturë motivuese, këtu, është e rrjetëzuar bukur fort me frakturë dokumentare, që më pastaj ndërtohet dhe funksionon si projeksion dhe si realitet artistik. Në këtë mënyrë, ideja e monodramës buron mirëfilli nga e ndodhshmja, e besueshmja dhe e mundshmja. Buron nga pasojat e tmerrshme të luftës, nga situatat e dhunës e dhunimit, situata këto që plotësojnë tablonë e rrëfimit në këtë vepër dramatike.

Fatmirja si fatum i keq

Personazhi dramatik (dramatis persona) në monodramën e Rexhajt është Fatmirja. Një emër ky, kuptimplotë, që në gjuhën shqipe simbolizon fatin e mirë, por në këtë monodramë edhe paradokset e fatit e të jetës. Megjithatë, rrjedhat e ngjarjeve në jetën e saj kanë bërë që Fatmirja ta ketë fatin e keq, të kundërt me kuptimin e bukur dhe të vërtetë, të emrit të saj. Fatum-i i Fatmires është i kobshëm, i mynxyrshëm, me plot dhunë e dhunime fizike e psikologjike në kohë lufte.

Si e mbijetuar e torturës e dhunës dhe dhunimit fizik, psikologjik e emocional, Fatmirja pas një heshtjeje të gjatë, gati njëzetvjeçare, edhe pse ishte betuar për ta dëshmuar dhunën mbi shpirtin dhe trupin e saj, ajo edhe në prag të përvjetorit të njëzet, ende vazhdon të përpëlitet të flasë mbi të vërtetën e saj. E diagnostikuar me një sëmundje të rëndë, ajo provon, sado që me shumë mundime, të mbledhë forcat që ta incizojë dëshminë e saj. Kjo dëshmi do të dërgohej në “Shtëpinë-Qendrën e Rrëfimit”, me qëllim që historia e një gruaje shqiptare në Kosovë ta marrë dhenë dhe bota ta kuptojë më shumë dhe më mirë të vërtetën e pasojave të luftës.

Po cila është historia fatkeqe e Fatmires, e rrëfyer në këtë vepër dramatike të Besim Rexhajt?

Fati i keq i Fatmires është se gjatë luftës ajo humb njërën vajzë, ndërsa vetë bie pre e dhunës dhe dhunimit fizik, por edhe psikologjik, sepse është dëshmitare e dhunimeve të shumta nga forcat paraushtarake, ushtarake dhe policore serbe, të ushtruara ndaj vajzave dhe grave shqiptare. Fatmirja është viktimë e shumëfishtë. Viktimë e dhunës fizike (shenjat e prerjeve me thikë dhe dhunimit seksual), viktimë e dhunës psikologjike, sepse ka parë tmerrin me sy, si dhe viktimë e dhunës shpirtërore, sepse vuan pambarimisht me ndjenjën e dhembjes për humbjen e vajzës së saj. Megjithatë, fatum-i i keq dhe i kobshëm i Fatmires përmban edhe një pikë të bardhë në mynxyrën e zezë. Ajo ka mbetur gjallë, ka shpëtuar dhe përpëlitet gjithanshëm që të gjejë forcë për të folur zëshëm për historinë e saj. Pra, ajo ka shpëtuar dhe jeton për të rrëfyer, për të treguar, gjithçka që ka ndodhur në të kaluarën e saj, siç thotë ajo: madje edhe për krimet dhe shëmtitë e të gjitha llojeve brenda nesh e mes nesh…

Fatum-i i Fatmires është i përngjashëm, madje shumë herë edhe i njëjtë me dhjetëra, qindra, e mijëra simotra të saj, jeta e të cilave ishte e ndarë në dysh a në tresh: në jetën para luftës, në jetën e luftës dhe jetën pas luftës. Fatmirja ka jetuar të tri jetët, ndërsa disa nga simotrat e saj patën fatum-in (si fat i parathënë) për të jetuar vetëm dy ndarje të jetës: atë të para luftës dhe gjatë luftës. Sepse, duke qenë viktima të represionit e agresionit, ato janë keqtrajtuar, dhunuar edhe vrarë, prandaj si të tilla nuk kanë shpëtuar nga lufta. Ato nuk mbetën gjallë për të rrëfyer. Në kulmin e situatave dramatike, të lëvizjeve dhe tronditjeve të mëdha shpirtërore, Fatmirja natyrshëm qorton dhe gjykon veprimet e saj të para njëzetë vjetëve. Ajo e gjykon veten edhe për momentet kur vdekjen e kishte dashur më shumë se gjithçka tjetër. E gjykon dhe qorton veten për vragat në trup dhe vragat në shpirt, për shenjat e dukshme në trupin e saj dhe për zemrën e copëzuar e shpirtin e lënduar përgjithmonë. Ajo thotë se do të duhej të ishte më e fortë, më e mençur, më e shkathët dhe të mos lejonte që të ndodhte tmerri! Ky vetëgjykim përshkallëzohet thuajse deri në vetëharrim, pra deri në një situatë psikologjike dhe emocionale ku personazhi i ndodhur në udhëkryq duhet të kalojë sërish, përmes procesit të njohjes dhe rinjohjes së vetvetes. Këtu, Fatmirja vetënjohjen e jep përmes kujtesës emocionale dhe rrëfimit verbal që e artikulon në skenë. Emocionet e saj janë të lidhura ngushtë dhe pashmangshëm me kujtesën e përjetimeve të saj të para njëzet vjetëve. Prandaj, përmbajtja emocionale e ngjarjeve, që ajo i ka përjetuar, gjithsesi ka ndikuar dhe ndikon në kujtesën e mëvonshme emocionale të saj. Kështu, secila situatë, nëpër të cilën ka kaluar Fatmirja, është fituar emocionalisht nga ajo, pastaj është mbajtur në mend vazhdueshëm dhe për më shumë është shtresuar thellë në kujtesën e saj emocionale. Prandaj ajo ka nevojë të flasë. Në këtë mënyrë, Fatmirja flet për fatin e saj të zi. Derisa ajo flet, ajo rinjeh veten, e rinjeh duke zbuluar para nesh aspekte të rëndësishme të karakterit të saj, si një profesoreshë e zonja, intelektuale e guximshme. Dhe, pikërisht, përmes kësaj rinjohjeje dhe vetënjohjeje, Fatmirja ndërton dhe zhvillon harkun e saj emocional, që kalon nga vetëgjykimi e vetëqortimi, në një guxim për të folur publikisht, për atë që i ka ndodhur.

Përmes personazhit të Fatmires, autori Rexhaj ka personifikuar mijëra gra, viktima të dhunës e dhunimit, dhe fatin e tyre kobzi. Në këtë mënyrë, Rexhaj, rrëfimin e Fatmires si fatum individual e projekton dhe zhvillon edhe si fatum universal, pra si dhimbje e përbotshme njerëzore, si klithmë dhe thirrje për drejtësi për viktimat e dhunës dhe dhunimit. Drejtësi për të gjitha ato vajza e gra shqiptare të Kosovës, viktima të torturës e dhunës së orkestruar dhe të drejtuar nga kasapi i Ballkanit.

Dramaturgu Rexhaj, në monodramën e tij, strukturën e karakterit të Fatmires e ndërton mbi tri dimensione të karakteristikave kryesore të personalitetit të saj: në dimensionin e karakteristikave fizike, sociale dhe psikoemotive. Në secilën prej këtyre dimensioneve, autori e përplotëson personazhin në vepër, duke modeluar atë, si një personazh dramatik, meditues dhe veprues, njëkohësisht, sipas ligjësive skenike. Ky modelim tredimensional i karakterit të Fatmires e përshfaq atë të plotë dhe si personazh dramatik, të veçantë në dramaturgjinë dhe teatrin shqiptar. Fatmirja, fatum-in e saj të zi, në të kaluarën e pranon si fakt, prandaj ajo i njeh mirë dhimbjet dhe është e vetëdijshme për gjurmët e pashlyeshme të atyre dhimbjeve, por, megjithatë, refuzon të dorëzohet. Nëse ajo veten e gjykon për mosveprim në kohën e duhur, refuzimi nuk është si opsion në të tashmen e saj. Tundimet emocionale dhe hamendësimet e mëdha nuk e zmbrapsin atë, pakthyeshëm nga guximi dhe vendimi për të folur, për të dëshmuar për atë që i ka ndodhur. Në këtë mënyrë Fatmirja, edhe pse përballohet me dramën e saj psikoemocionale si refleksion i së kaluarës, ka tejkaluar situatat dhe momentet e ligështimit, siç janë: tentim vetëvrasja duke pirë tableta me grusht. Në këtë vepër, Fatmirja vendos që të zgjedhë e të bëhet grua dhe nënë e fortë dhe të mos e ngarkojë barrën mbi të me fajin e paqenë. Kështu, modelimi që autori ia bën karakterit të Fatmires si personazh dramatik bazohet në premisën dramaturgjike, si një karakter që buron natyrshëm dhe i cili zhvillohet bindshëm dhe besueshëm, sipas rrjedhës logjike të situatave dramatike, në veprën dramaturgjike.

Shiriti i këputur dhe pasqyrat si memorie e pashlyer

Teksti dramaturgjik i Besim Rexhajt është konceptuar dhe mbarështruar me një strukturë rrëfimore, që përkon meritueshëm me konceptin e mundshëm skenik, për një shfaqje të realizuar teatrore. Pra, dua të them që kjo monodramë e autorit Rexhaj e përafron tekstin e shkruar me “tekstin e inskenuar” dhe në këtë mënyrë ky tekst e projekton vetë shfaqjen teatrore, sepse brenda vetes përmban në plotni informata të mjaftueshme dhe udhëzime skenike (didascalia) të shfrytëzueshme.

Autori, qysh në hyrje të tekstit, përmes udhëzimeve skenike ka bërë disa sqarime hyrëse, që ndihmojnë në realizimin skenik të tekstit. Në këndvështrimin tim, këto udhëzime skenike, më se të domosdoshme për një shfaqje teatrore, nuk duhen parë, lexuar e as kuptuar vetëm si “gjetje teknike” për një shfaqje, si lehtësim për punën regjisoriale e aktoreske, por më shumë sesa plotësim forme, këto udhëzime mishërohen edhe me përmbajtjen e idesë së monodramës. Megjithatë, ky konstatim nuk synon shpërfilljen e qëllimshme të parimit për mbindërtimin ideor, që mund të ketë regjisori/ja në rrafshin e autorësisë së tij/saj regjisoriale në të ardhmen. Përkundrazi, vlerësoj se ky tekst monodramë jep argumente më se të mjaftueshme për ta përfillur atë, si në formë, po ashtu edhe në përmbajtje.

Prandaj, udhëzimet skenike në këtë tekst dramatik, mendoj se duhet parë, vlerësuar e analizuar gjithmonë dhe gjithnjë në lidhshmëri me idenë dhe kuptimin e vetë monodramës. Kështu, ta zëmë, autori jo rastësisht ka sugjeruar (udhëzuar) që skenikisht duhet të jenë vendosur katër pasqyra të mëdha, të cilat, si të tilla, nuk shërbejnë vetëm për dekor skenik, por ato janë konceptuar për të qenë funksionale brenda vetë idesë në tekst. Secila prej këtyre pasqyrave funksionalitetin e vet e shfrytëzon në artikulimin, jo vetëm fizik dhe emocional të skenave dhe situatave dramatike, por edhe për të vizualizuar të kaluarën e kobshme, të ankthshme dhe të tmerrshme të Fatmires, qoftë si reminishencë skenike, qoftë si informacion që shpalos dhe nënvizon kuptueshëm çastet dhe momentet më dramatike të përjetimeve të personazhit në vepër. Në këtë vepër, pasqyrat, përveç si reflektim dhe pasqyrim i së kaluarës, funksionalizohen nga autori i tekstit edhe si mjet, pra si karrem për vetëreflektimin, vetëgjyqësinë dhe vetënjohjen e Fatmires, përkatësisht secila prej këtyre pasqyrave të mëdha pasqyron dhe zbulon nga një pjesë të rëndësishme të karakterit të saj shumëdimensional dhe shumështresor si protagoniste në vepër. Pasqyrat ndërrojnë përmbajtje dhe formë kuptimore dhe kur në to, përmes videoprojektorit, shfaqen figura a hije ushtarësh, që për publikun janë informacion, ndërsa Fatmirja këto i përjeton si ngjallje të ankthit, frikës dhe tmerrit për historitë e përjetuara. Për më shumë, ky funksionalitet i shumanshëm, që autori ua jep pasqyrave, e përplotëson motivimin e personazhit në skenë, pastaj e gjeneron edhe konfliktin e saj të brendshëm. Sepse, për dallim prej shumë teksteve të tjera dramatike, ku konflikti i jashtëm shenjëzohet më shumë dhe më fort, te monodrama e Rexhajt e kemi prezent dhe thuajse krejtësisht dominues llojin e konfliktit të brendshëm dramatik. Në këtë mënyrë Fatmirja, si protagoniste, ka konflikt të brendshëm, konflikt me ndjenjat e saj, me dilemën, me peshën e rëndë të fajit, me mungesën e gjatë të guximit për të folur dhe për të vepruar. Natyrisht, filli gjenetik i këtij konflikti me vetveten këtu është rezultat ose derivat i historisë së përjetimit të dhunës dhe dhunimit të saj, në një kohë dhe në një kontekst tjetër.

Në monodramën e Rexhajt element tjetër skenik, që merr përmasa përmbajtjesore, është edhe shiriti i kasetës së kasetofonit. Monodrama fillon me zërin e incizuar, përkatësisht dëshmisë së Fatmires për dhunimin e saj, por ky rrëfim nuk incizohet i plotë deri në fund të veprës, sepse disa herë Fatmirja në mungesë të guximit dhe vendosmërisë për të folur për përjetimet e saj, ndalon kasetofonin, nxjerr kasetën nga aty dhe e prish (këput) shiritin e kasetës. Përsëritja e disahershme e këtij veprimi për të këputur shiritin me dëshminë e saj të incizuar, më shumë sesa gjetje skenike, ka kuptimin e përshfaqjes së karakterit kompleks të Fatmires. Shiriti i këputur është simbol reflektues i gjendjes shpirtërore dhe psikologjike të Fatmires, e cila edhe përkundër përpëlitjeve, tundimeve e lëvizjeve emocionale e psikologjike, në fund vendos që ta japë dëshminë e plotë, duke e incizuar rrëfimin e saj në kasetën e kasetofonit. Dhe, pa dyshim, ai shirit dhe ajo kasetë, me zërin e incizuar të Fatmires, është dëshmia e plotë dhe e vërtetë e historisë së dhimbjeve të saj, dhunës dhe dhunimit në kohën e luftës.

Zëri i Fatmires nuk është zë i vetmuar në shkretëtirë, sepse përmes rrëfimit të saj ajo, jo vetëm që dëshmon për të vërtetën e ngjarjeve, por edhe artikulon revoltën, pakënaqësinë dhe mllefin me aktualitetin politik dhe shoqëror në vendin tonë. Aktualitet dhe realitet ky që nuk ka bërë sa duhet, për të dënuar përgjegjësit e krimeve, dhunës dhe dhunimit, prandaj qëndron e vërteta se edhe dy dekada pas mbarimit të luftës ende nuk ka drejtësi për viktimat e dhunës në Kosovë. Në kulmin e mllefit të saj, Fatmirja shprehet se: pushtetarët dhe horrat e tyre valojnë flamurin e mburrjes për luftëtarët e lirisë, vetëm në përvjetorët e rënies së tyre heroike. Por askush nuk e valon flamurin e mburrjes për viktimat e dhunës dhe dhunimit. Nuk ka mllef dhe pakënaqësi më e artikuluar dhe më pasqyruese e realitetit, sesa ky reagim i Fatmires, e cila dëshminë e saj nuk e sheh vetëm si detyrim dhe angazhim për drejtësi personale, por edhe si mision për të artikuluar dhe promovuar zëshëm nevojën për drejtësi të barabartë për të gjithë, në mënyrë që krimet dhe kriminelët të dënohen. Sepse, vetëm atëherë shpirtrat dhe trupat e dhunuar do të mund të lehtësoheshin sadopak, edhe pse shenjat, vragat dhe lëndimet, bashkë me kujtimet e pashlyeshme, do të mbesin përjetësisht në trupin dhe shpirtin e viktimave të dhunës dhe dhunimit.

Kur jemi te struktura dramaturgjike e monodramës së Rexhajt, me këtë rast do theksuar dhe veçuar edhe natyrën e monologut të Fatmires, rrëfimit të saj artistik. Kjo natyrë e monologut të saj përmban gjuhën e pastër skenike. Po ashtu, në këtë vepër, monologu vende-vende është i dialogëzuar, ku Fatmirja nuk u flet personave të tjerë, por në vetën e dytë ajo i flet vetes së saj. Pra, qenies së saj të dyzuar. Kjo më së miri mund të ilustrohet me shembullin në vijim: Ti e guximshmja, nuk trembeshe para askujt, besoje se e keqja dhe dhuna e kishin një kufi!...Ti e guximshmja, që u përballe para luftës me rreshtin e policisë e të agjentëve, që nuk doje t’ia dish as për kërbaçin e as për plumbin…Por gabove, sepse lufta ishte diçka tjetër, një lojë me shumë të panjohura, s’kishte rregulla, s’kishte asnjë grimë njerëzie…Kështu, Fatmirja i drejtohet vetes së saj, e cila, megjithatë, më pastaj mbledh forcat, guximin dhe vendos që rrëfimin e saj ta incizojë deri në fund, siç e përshkruan autori në udhëzimet e tij skenike: Kur përfundon rrëfimin, me një ndjesi sigurie dhe vendosmërie si kurrë më parë nxjerr kasetën nga kasetofoni, kasetën e fut në pliko, e mbyll plikon dhe niset drejt daljes për ta dërguar rrëfimin e saj në “Shtëpinë, qendrën e rrëfimit”. Pra, tashmë Fatmirja brenda vetes së saj gjen atë që e ka humbur për më se njëzet vjet, guximin për të folur dhe vepruar. Prandaj, akti përmbyllës i rrëfimit të saj, që shënon edhe fundin e monodramës, është edhe akt i heroizmit të saj, të fshehur e të heshtur prej vitesh, brenda personazhit të saj kompleks. Dhe, fare në fund, nuk kam se si të mos e them edhe faktin se “Vetëharrimi” në vlerësimin tim është vepra më e realizuar gjithanshëm në opusin dramaturgjik të Besim Rexhajt, prandaj, si e tillë, kjo monodramë gjithsesi shënon një arritje domethënëse për dramën dhe teatrin shqiptar në përgjithësi.

Në thelb, “Vetëharrimi” duhet lexuar, kuptuar, analizuar e interpretuar si një rrëfim për kobin, frikën dhe trajtat e habisë, elemente e situata këto që gërshetohen brenda individit si qenie njerëzore. Rrëfimi i Fatmires është rrëfim për luftën dhe pasojat e saj, për dhunën dhe dhunimin, që më shumë sesa vragë e shenja në trup, lë shenja të pashlyeshme në shpirtin e njeriut të mbijetuar. Ky është fatum-i i zi i Fatmires së bardhë.

Image

Skenë nga inskenimi i dramës “Vetëharrimi” në regji të Fadil Hysajt, me Sheqerie Buqajn në rolin e Fatmires dhe Gresa Broqin në violonçel, e dhënë premierë të hënën e kaluar në teatrin “Dodona”