Gjysmëshekull i krijimtarisë Violeta Xhaferit vjen me njëqind vepra dhe aty shpaloset një botë e pafundme e artit të saj shumëdimensional. Përvidhen edhe kujtimet në ato vepra ku artistja dokumenton – eksodin e shqiptarëve e luftën e Kosovës – e të tjerat janë edhe reagimet e saj ndaj fenomeneve sociale. Një kapitull është edhe veprimtaria e saj si kostumografe, por ekspozita “Rishikime” nuk ndalet me kaq
Krejt hapësira e Galerisë Kombëtare të Kosovës duket e ngushtë për të akomoduar veprat e artistes shumëdimensionale Violeta Xhaferi. Jo veç piktura, por edhe grafikë, material arkivor e skica kostumografie, krahas me sekuenca filmash si rezultat i punës finale janë dëshmi e një gjysmëshekulli veprimtari.
Ekspozita retrospektive “Rishikime” është vetëm një mostër e punës së Xhaferit, duke ndërlidhur mjetet dhe materialet me të cilat kthehet në mendje 20 vjet pas prej kur kishte ekspozuar për të fundit herë në Galeri. Madje arti i saj kishte qenë i pari i një gruaje që kishte ekspozuar aty.

Ngjyra plot, shumica e veprave janë të dimensioneve të njëjta në dhomën e parë ekspozuese në hyrje të Galerisë. Duket horizont i pafund, derisa dëgjohen edhe zëra nga një pjesë tjetër. Është dokumentar i një televizioni norvegjez kushtuar artistes Xhaferi. Pikërisht në atë hapësirë janë veprat e artistes të punuara në vitet ’90 sa ishte në Norvegji. Eksplorojnë ndërthurjen e përvojave personale, por edhe të shoqërisë. Janë imazhe nga eksodi masiv në Shqipëri pas rënies së komunizmit, kohët e trazuara të luftës në Kosovë si dhe figura e simbole kombëtare që gërshetohen me paraqitjet e garës së bukurisë.
Thuret realja me imagjinatën në veprën e saj, edhe duke paraqitur heroin e versionin tjetër të tij. Në vepra trajtohen çështjet sociale e politike siç është jeta mes kaosit në vend.
Është “Click” që vjen si kritikë ndaj medias dhe vjen si ekspozitë brenda ekspozitës. Veprat e këtij cikli janë realizuar mes viteve 2000 dhe 2002. Muret e Galerisë kësisoj mbulohen me satirë politike. Bazohen në realitetin e përditshëm. Veprat janë të punuara me ngjyra të ndezura me kontraste të theksuara dhe pikërisht ajo çfarë bie më në sy është një reklamë për higjienën, me lojën e futbollit, me pikturën nudo dhe një pikturë nëpërmjet së cilës shprehet dashuria. Gjithashtu paraqiten edhe viktimat e kaosit në Palestinë. Njëra pikturë paraqet dhimbjen fizike e shpirtërore të një gruaje tek mban një fëmijë në duar.
Artistja Xhaferi ka thënë se veprat e këtij cikli i ka punuar duke qenë për të si terapi për të ndaj situatës së krijuar në Kosovë.
“Këto i kam punuar pasi e kam pasur një ndjenjë shumë të rëndë. Kur filloi lufta kam filluar të bëj piktura, janë në mënyrë klasike këto, me tema nga eksodi. Më ka shërbyer si terapi për ta hequr mallin e dhimbjen. Mirëpo mandej e kam kompletuar me një instalacion pikturash. Kur them instalacion, njerëzit janë mësuar të shohin sende në mes të galerisë. Në të vërtetë, ky ka qenë një lloj instalacioni me piktura”, ka thënë Xhaferi për një pjesë të ekspozitës. Në përgjithësi aty përfshihen vepra qëkur ishte studente.

Arsyeja pse e ka quajtur ekspozitën “Click”, ka thënë se ka qenë simbolikë me shtypjen e butonave të telepilotit teksa ndërron kanalet dhe sheh lajme tragjike nga të gjitha anët. Në atë mënyrë, sipas saj, “njerëzit po bëhen pa ndjenja”.
Në dy dhoma të vogla në katin e sipërm, vend ka zënë një tjetër etapë e veprimtarisë së artistes – kostumografia. Violeta Xhaferi kishte qenë e para kostumografe në vend.
“Që në moshë të re Xhaferi aktivisht është marrë me kostumografi. Pas përfundimit të studimeve në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Degën e Arteve te profesor Gjelosh Gjokaj, ajo fitoi bursë për të vazhduar studimet për bachelor në degën e Kostumografisë në Akademinë e Arteve të Bukura në Beograd”, shkruan kuratorja e ekspozitës, Hana Halilaj, për Xhaferin.
Në dhomën pesë, siç është ndarë me numra secila pjesë e hapësirës ekspozuese, të gjitha veprat sillen rreth shfaqjes “Ana Karenina” të vitit 1983. Xhaferi kishte dizajnuar kostumet, si dhe kishte punuar edhe posterin e shfaqjes, e aty janë dy të tilla, krejt të ndryshme mes tyre.
Në dy dhoma të tjera, kontributi i Xhaferit për Teatrin duket i pafund. Pikturat janë sikur mozaik i shfaqjeve teatrale e filmave. Pikturat mbajnë mbishkrimet e filmave “Proka”, “Kur pranvera vonohet”. “Trimi” e “Migjeni”.
Kuratorja e ekspozitës “Rishikime”, Hana Halilaj, ka thënë se ekspozita prezanton opusin e artistes Xhaferi në etapa të caktuara.
“Janë diku rreth 100 vepra që i përfshijnë punët e Violetës prej kur ka qenë studente në Akademi, më pas edhe si kostumografja e parë e trajnuar akademikisht dhe kontributin në Teatrin Kombëtar të Kosovës, por gjithashtu si artiste e arteve aplikative. Më pas kalimin në mediumin e pikturën në vitet ’90 e deri tek këto dhjetë vjetët e fundit kur ka qenë duke punuar me pëlhura, që e bëjnë njëfarë miksi me tekstil, edhe si piktore”, ka thënë Halilaj.

Violeta Xhaferi e lindur në vitin 1947 për kostumografi ka diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Beograd në vitin 1972. Si kostumografe ka punuar në mbi njëqind shfaqje në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe në një numër filmash të prodhuar nga “KosovaFilmi”. Të prezantuara në shumë ekspozita, vizatimet e Xhaferit me dizajne të përpikta të kostumeve vënë theks të barabartë në tiparet e fytyrave të personazheve. Një seri e këtyre veprave janë pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare te Kosovës.
Siç shkruhet në biografinë e saj pas mërgimit në Norvegji në vitet 1990, puna e saj u përqendrua në pikturë dhe grafikë. Në fillim të viteve 2000, ajo u kthye në Kosovë për dy vjet, për t’u angazhuar si profesoreshë në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Së fundi, ajo ka zhvilluar një pasion të ri për instalacione në pëlhurë duke ndërlidhur punën e saj artistike me pikturën dhe tekstilet. Aktualisht jeton dhe punon në Prishtinë dhe Kristiansand.
Ekspozita retrospektive është kompletuar me materiale arkivore ku në një numër të tavolinave ekspozuese janë vendosur edhe materiale si dorëshkrime e kontrata të veprimtarisë si kostumografe, çmime të fituara, katalogë, tituj gazetash të shkruara për të e dokumente të tjera personale. “Videot dhe materialet arkivore janë pjesë integrale e krejt punës, që njerëzit të mund të kuptojnë jo vetëm pikturën, por edhe jetën e praktikën, të jenë edhe detajet e prapaskenës”, ka treguar kuratorja e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Hana Halilaj.
Në njërën prej tetë hapësirave ekspozuese kanë qenë edhe punimet në tekstil, të veshura me lloj-lloj ngjyrash. Dhe pikërisht aty e shkrin rrugëtimin e saj si kostumografe e piktore.
Violeta Xhaferi në fillim të këtij muaji ishte shpallur laureate e Çmimit vjetor për Arte Pamore për Vitin 2022 nga Ministria e Kulturës. Ministri Hajrulla Çeku e kishte vlerësuar artiste të veçantë me krijimtari të jashtëzakonshme. “Këtu brenda e kemi një përmbledhje të 50 vjetëve krijimtari në rreth 100 vepra të ndryshme nga piktura në grafikë, kostumografi, video, instalacion e të tjera. Violeta Xhaferi sivjet është shpallur edhe lauretate e Çmimit vjetor për Arte Pamore për Vitin 2022. Unë e përgëzoj edhe njëherë publikisht sepse kur i ndamë çmimet nuk pata rastin ta takoj fizikisht”, ka thënë Çeku.
Artistja Zake Prelvukaj ka thënë se Xhaferi është ndër artistet më të mira për të dhe se në artin e saj sheh edhe inteligjencën e artistes.
“Gjithmonë do të them dhe deklarohem se s’ka asgjë më të mirë në botë sesa të të prijë dikush mbarë. Violeta Xhaferi përndryshe është një aset kombëtar, jo vetëm kosovar dhe mund të them se koha e artistit të mirë, pa marrë parasysh se e kam njohur e jam rritur me të, kalojnë vitet dhe ajo do të jetë një artiste që do të jetë edhe muzeale dhe puna e saj dhe do t’i shërbejë secilit artist si një studim i posaçëm”, ka thënë Prelvukaj.
Ekspozita është hapur në ditën e vdekjes së drejtorit të parë të GKK-së, Shyqri Nimanit. Pikërisht artistit të shquar i është kushtuar ekspozita që do të qëndrojë e hapur deri më 15 gusht.