Kulturë

Rinovime 2.7 milionëshe për Galeri e “Lumbardh” pa planifikim buxhetor

Me Ligjin mbi ndarjet buxhetore të këtij viti, si projekt kapital figuron “Renovimi i Galerisë Kombëtare” me 500 mijë euro. Kurse nga 700 mijë janë paraparë për dy vjetët pasues

Me Ligjin mbi ndarjet buxhetore të këtij viti, si projekt kapital figuron “Renovimi i Galerisë Kombëtare” me 500 mijë euro. Kurse nga 700 mijë janë paraparë për dy vjetët pasues

Nëpërmjet thirrjes së hapur, Ministria e Kulturës deri në ditën e 6-të të këtij muaji ka kërkuar kompani për të kryer punët që me tender titullohen “Punë për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor] të arkitekturës dhe të inxhinierisë për renovimin e ‘Galerisë Kombëtare të Kosovës’ në Prishtinë dhe Punë për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor] të arkitekturës dhe të inxhinierisë për rivitalizimin e ‘Kinemasë Lumbardhi’ në Prizren’. Vlera e parashikuar për këto ndërhyrje është fiks 2.7 milionë euro. Por edhe këto projekte kanë shpërputhje me shifrat në Ligjin mbi ndarjet buxhetore të këtij viti. Për Galerinë janë 500 mijë euro për sivjet, e “Lumbardhi” nuk figuron si projekt i ndarë

Planet e Ministrisë së Kulturës për renovimet e restaurimet e ndërtesave kulturore kanë mospërputhje midis çmimeve, me të cilat tenderohen dhe planeve që i ka bërë vetë ky institucion në Ligjin mbi ndarjet buxhetore për këtë vit.

Mospërputhjet janë të vërejtshme në shumë projekte. Përderisa janë veç 500 mijë euro të parapara për këtë vit për kinematë e Prishtinës, Pejës e Prizrenit, Ministria e Kulturës synon që ta kalojë disa herë këtë shumë veç në kinemanë “Lumbardhi” në Prizren.  Për këtë projekt është në procedurë të prokurimit, e për “Jusuf Gërvallën” në Pejë pritet të nisë procesi. Te renovimi i Galerisë Kombëtare të Kosovës situata është e njëjtë.

Nëpërmjet thirrjes së hapur, Ministria e Kulturës deri në ditën e 6-të të këtij muaji ka kërkuar kompani për të kryer punët që me tender titullohen “Punë për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor] të arkitekturës dhe të inxhinierisë për renovimin e ‘Galerisë Kombëtare të Kosovës’ në Prishtinë dhe Punë për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor] të arkitekturës dhe të inxhinierisë për rivitalizimin e kinemasë ‘Lumbardhi’ në Prizren”. Vlera e parashikuar për këto ndërhyrje është fiks 2.7 milionë euro.

Por me Ligjin mbi ndarjet buxhetore të këtij viti si projekt kapital figuron “Renovimi i Galerisë Kombëtare” me 500 mijë euro. Kurse nga 700 mijë janë paraparë për dy vitet pasuese.

Për dallim prej Galerisë Kombëtare të Kosovës, kinemaja “Lumbardhi” në Prizren nuk figuron fare si projekt i veçantë kapital. Në Ligjin mbi ndarjet buxhetore të këtij viti, për 2025-tën figuron projekti “Revitalizimi i Kinemave Publike në regjionin e Prishtinës, Prizrenit dhe Pejës” me 500 mijë euro. Për dy vitet pasuese janë paraparë 1.5 milion euro të tjera. Po nëpërmjet këtij kodi buxhetor, MKRS-ja planifikon që shumë shpejt të hapë edhe thirrje për renovimin e tërësishëm të kinemasë, “Jusuf Gërvalla” në Pejë me projekt që llogaritet të kushtojë 1.4 milion euro. Për këtë edhe është zotuar kryeministri Albin Kurti të hënën mbrëma në Pejë.

“Meqenëse ndodhemi këtu në kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’, le t’ia fillojmë me paralajmërimin tonë që në kuadër të renovimit të të gjitha kinemave anembanë Kosovës do ta bëjmë këtë edhe te kinemaja juaj këtu, ‘Jusuf Gërvalla’, me ç’rast kemi ndarë 1.4 milionë euro për renovimin e kësaj kinemaje dhe ky renovim jetësohet sivjet”, ka thënë kryeministri Albin Kurti. Deklarimi i tij bie në kundërshtim me planifikimet buxhetore të vetë kabinetit qeveritar që ai e udhëheq.

Ministria e Kulturës gjatë ditës së mërkurë nuk ka ofruar sqarime se si do të mbulohen shpenzimet e parapara, të cilat nuk korrespondojnë me planifikimet e bëra sa i përket buxhetit.

Galeria Kombëtare e Kosovës e themeluar më 1979 prej vitit 1999 funksionon në ndërtesën ku institucioni gjendet aktualisht. Prej kohësh, zyrtarët e këtij institucioni kanë pasur kërkesa për ndërhyrje sidomos sa u përket hapësirave ku mbahen veprat e koleksionit të përhershëm të institucionit.

Shkamb Jaka, koordinator për medie dhe marrëdhënie me publikun në GKK ka thënë se institucioni do t’i nënshtrohet renovimit të tërësishëm.

“Disa prej ekspozitave do të mbahen në ambientet e Galerisë së Ministrisë së Kulturës”, ka thënë ai.

Ndërsa kinemaja “Lumbardhi” në Prizren është ndërtuar më 1948 duke i hapur rrugë zhvillimit të kinemave në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore. Shquhet për hapësirën e jashtme apo “Kino Bahçen” ku ofrohet mundësia e shikimit të filmave në ambient të hapur, ambient ky ku tradicionalisht hapet festivali i filmit të shkurtër dhe dokumentarëve “DokuFest”. Kjo kinema është rrezikuar nga procesi i privatizimit dhe reagimi i shoqërisë civile ka dhënë efekt. Prej vitit 2015, nën menaxhimin e fondacionit “Lumbardhi” funksionon në hapësirën e jashtme dhe të brendshme.

Ares Shporta, i cili udhëheq me Fondacionin ka thënë se restaurimi do të jetë i plotë duke përjashtuar “Kino Bahçen”, që s’ka nevojë për ndërhyrje shkaku i intervenimeve të mëhershme.  

“Restaurimi përfshin drenazhin, forcimin strukturor, instalimet e krejt të tjerat. Është infrastrukturë ku duhet ndërhyrë në të gjitha anët”, ka thënë ai. Procesi për restaurimin e kësaj ndërtese është një histori e vjetër. Ka dështuar disa herë si nismë edhe nga mekanizma e donatorë ndërkombëtarë.

Shporta ka thënë se presin që punimet të nisin sivjet.

“Presim që sivjet të nisin punimet dhe realizimi të bëhet deri më 2027”, ka thënë ai. Sipas tij, përgjatë kësaj kohe aktivitet planifikohet të mbahen në hapësira të tjera dhe të punohet për programin që do të ketë kinemaja pas restaurimit të tërësishëm.

Vala e restaurimeve dhe renovimeve të ndërtesave të institucioneve të kulturës, ku shumica janë edhe monumente ka bërë që MKRS-ja të hyjë në obligime financiare, të cilat nuk korrespondojnë me planifikimet.

Sipas planifikimit zyrtar, shteti deri më 2027 synon të shpenzojë 2 milionë euro për kinematë e të tria qyteteve. Këtë e kishte konfirmuar edhe Ministria e Kulturës të martën. Institucioni që në shumicën e rasteve nuk kthen përgjigje, kishte vepruar ndryshe kur ishte pyetur për deklarimet e kryeministrit Albin Kurti në Pejë.

Në pyetjen për dallimin midis deklarimeve të kryeministrit dhe planifikimeve zyrtare, Ministria e Kulturës është përgjigjur se zotimi bëhet me Ligjin e buxhetit për vitin 2025, “ku planifikohet sipas kornizës afatmesme të shpenzimit (KASH) për 3 vjet”.

“Kur hapet procedura, disponueshmëria e mjeteve merret me periudhë 3-vjeçare, të gjitha sa janë të planifikuara sipas Ligjit të buxhetit të sivjetmë. Në kodin kapital të MKRS-së janë të ndara 2 milionë për rrjetin e kinemave. 2025: 500,000; 2026: 500,000; 2027: 1,000,000”, shkruhej në përgjigje.

Kurse në pyetjen nëse rinovimi do të zgjasë tre vjet, MKRS-ja kishte treguar se mund të përfundojë edhe brenda vitit, megjithëse pritet që renovimi të kushtojë 1.4 milionë euro.

“Sipas planit dinamik të operatorit për zbatim vendoset kohëzgjatja. Ne hapim procedurën me disponueshmëri të mjeteve sipas ligjit, që përmban 3 vjet planifikim. Në anën tjetër, kontrata që lidhet me operatorin fitues harton edhe planin e vet dinamik bashkë me planin e menaxhimit të kontratës. Nëse ka kapacitet të përfundohet punë më tepër sesa janë të planifikuara brenda vitit me Ligj të buxhetit, mjetet pa problem shtohen në kodin kapital edhe mbështetet puna që zbatohet mirë”, shkruhej në përgjigjet e MKRS-së.

Por në pyetjen e KOHËS se ku ose nga cili projekt do të merren mjetet që të shtohet buxheti për kinemanë “Jusuf Gërvalla”, MKRS-ja nuk ishte përgjigjur.

Ministria e Kulturës prej vitesh ka realizim të dobët të projekteve kapitale, sikurse bartje mjetesh nga njëri projekt në tjetrin. Për këtë kritikohet çdo vit nga Zyra Kombëtare e Auditimit.