Kulturë

“Rinoqeronti” midis realitetit të zymtë dhe shpresës për ndryshim

“Mallkuar qoftë ai që përpiqet ta ruajë origjinalitetin e vet. Sidoqoftë, të bëhet si të bëhet, unë do të ngeli këtu duke luftuar që ta ndryshoj botën. Kundër gjithë botës do të luftoj”, janë fjalët e Beranzhës (Njomza Tmava).

Pas tyre, ajo nis atë që e quan revolucion. Synim e ka t’i vrasë të gjithë rinoqerontët. Nuk tregohet se a e arrin këtë pasi që me këto fjalë përfundon shfaqja “Rinoqeronti”. E kritikuar në fillim për përdorimin e alkoolit dhe për mënyrën e çrregullt të jetesës, Beranzha mbetet e vetmja qenie njerëzore brenda shfaqjes “Rinoqeronti” që i reziston procesit të metamorfozës. Bashkëvendësit e saj shndërrohen, shkruan KOHA.

Për Gëzim Hasanin, regjisor i shfaqjes, Beranzha – si portretizim i një shpirti revolucionar – mbetet pika e bardhë në errësirë. Pas premierës së shfaqjes, të martën në atë që njihet si “Skena e Vogël e Vogël” e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka thënë se me gjithë pesimizmin, shfaqja nëpërmjet këtij personazhi shfaq besimin në optimizëm. “Me një duhet të fillohet”, ka thënë ai.

Për realizimin e shfaqjes së tij të parë teatrale në TKK ai ka përzgjedhur tekstin e Eugène Ionesco, një nga figurat kryesore të teatrit avangard. E kishte në duar këtë vepër tre vjet më parë, pasi pikërisht me të diplomoi.

“Teksti është shkruar në vitin 1959 dhe flet për llojet e diktaturave, shpëlarjen e trurit prej diktaturës, qoftë edhe prej asaj që unë e quaj diktaturë demokratike. Ne kemi dashur që të nxjerrim në pah Kosovën e pasluftës, duke filluar nga viti 1999 e deri në ditët e sotme”, ka thënë ai. Ka shtuar se kjo nuk ishte punë e lehtë. Në mesin e çështjeve që ngrihen janë korrupsioni, servilizmi, racizmi, moraliteti, kultura, logjika, përgjegjësitë shoqërore e të tjera.

“Është dashur që shumë gjëra t’i themi konkretisht nëse jo me fjalë, me gjetje skenike”, ka thënë regjisori. Ai e ka ndërtuar shfaqjen në atë mënyrë që secili personazh brenda saj shpërfaq një pjesë të shoqërisë. E nis me një bisedë të Beranzhës dhe Zhanës (Qëndresa Jashari), që ishte pasqyrim i elitës intelektuale të pasluftës e që shndërrohet në rinoqeront. Dy miket takohen në një kafe dhe bisedat e tyre për mënyrën e jetesës dhe qëndrimet e tyre tregojnë këndvështrimet e ndryshme që kanë, por edhe pikat e përbashkëta. Miqësia e tyre prishet kur pranë kafenesë kalon një rinoqeront dhe pastaj një tjetër me dy brirë, ose më një bri, ose ishte rinoqeronti i njëjtë...Ky debat shërben si shkëndijë që njerëzit të hulumtojnë më shumë për rinoqerontët, se nga po vijnë ata. Mediat vërshohen nga lajmet që bëhen me tituj bombastikë për të fituar klikime. Z. Papijon i vë detyrë pikërisht Beranzhës që të shkruajë për rinoqerontët dhe ajo obsesionohet pas tyre, sidomos kur humb miken e saj Zhanën dhe kupton se njerëzit janë ata që po shndërrohen në këto gjallesash.