Tiranë, 13 korrik − Qindra qytetarë pasditen e së enjtes kanë marshuar nga Teatri Kombëtar i Shqipërisë në drejtim të Kryeministrisë dhe Presidencës, me thirrjet në mbrojtje të objektit të institucionit teatror. Protesta vjen një javë pas miratimit në Kuvendin e Shqipërisë vetëm me votat e mazhorancës të Projektligjit, që i hap rrugë shembjes së objektit. Protestuesit kanë mbajtur në duar pankarta ku shkruhej: “Pa teatër nuk ka Europë”, tek kanë brohoritur edhe: “Eja mblidhuni këtu-këtu!”
Regjisori Robert Budina i ka bërë thirrje presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, që të mos e dekretojë ligjin pasi, siç ka thënë ai, vendi është në prag diktature.
“Ftoj presidentin e Republikës të kthejë ligjin mbrapsht, pasi kështu i bën nder vetes dhe bashkon shqiptarët. Jemi në prag të diktaturës…Ftoj ata dhe të gjithë të bëhemi bashkë t’i themi jo këtij ligji, t’i themi po kulturës, t’i themi po Evropës”, ka thënë Budina.
Çështja e godinës së Teatrit Kombëtar të Shqipërisë ka nisur qysh prej shkurtit të këtij viti. Artistëve asokohe iu kërkua ta braktisnin ndërtesën historike për t’u zhvendosur në një ndërtesë ende të papërfunduar. Kërkuan transparencë, ndërkaq autoritetet mbajtën përkohësisht të fshehtë planin e tyre për objektin e ri të Teatrit (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).