Kulturë

“Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989-1999” për kthesën historike

Është një ekspozitë ku secili mund ta konsiderojë veten si hisedar në ngjarjet e paraqitura. Fotografi, gazeta e burime të tjera janë bërë bashkë që copë-copë ta rindërtojnë në mënyrë kronologjike historinë që filloi me organizimet paqësore në fillim të viteve ’90, pasoi me luftën e armatosur të UÇK-së dhe kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe me njohjen nga shtetet e fuqishme perëndimore

Një vijë e hequr në formë patkoi mbi hartën e Kosovës nuk është instalacion dhe as nuk ka ndonjë simbolikë tjetër. Kur shikohet fotografia e Vojislav Sheshelit me fytyrë të hakërryer, sakaq merret vesh edhe historia e vërtetë e planit që synoi ta spastronte etnikisht Kosovën. Aty është edhe dëshmia e Ratomir Taniqit, dëshmitar në procesin gjyqësor të Hagës kundër Milosheviqit, se qarqet e larta në Beograd shestuan planin “Patkoi” që në Kosovë të mbeteshin më pak se një milion shqiptarë.

Kjo është vetëm një shumë dokumentesh e materialesh arkivore të historisë më të re të shpalosur në ekspozitën “Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989-1999”, që u hap pasditen e së mërkurës në mjediset e muzeut “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”.

Duke përkuar me 31-vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ekspozita ka renditur në mënyrë kronologjike historinë e një dekade.

Në shtëpinë njëkatëshe në rrugën “Enver Zymberi” në kryeqytet, që dikur kishte qenë selia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës e më vonë edhe e Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), kuratori Shkumbin Brestovci si pikënisje kishte pasur librin e Howard Clarkut “Civil Resistance in Kosovo”, i botuar në vitin 2000 në Londër nga “Pluto Press”.

Në katër ndarjet e hapësirës së muzeut janë shpalosur fotografi historike, shpjegime të kontekstit politik e social të viteve ’90, si dhe ngjarjet kryesore që përvijëzuan historinë e periudhës më përcaktuese të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

1990. Brenda një kornize të xhamtë është ngërthyer edhe periudha tragjike e helmimeve të nxënësve në shkollat e mesme gjithandej Kosovës.

“Në periudhën 19 mars - 6 dhjetor 1990 u helmuan rreth 7000 persona me helmin ushtarak sarin. Ky helmim filloi 3 ditë pas përfundimit të procesit të segregacionit të shkollave…”, thuhet brenda tekstit të shoqëruar edhe me një hartë të Kosovës që paraqet vendet ku ndodhen helmimet masive të nxënësve.

Të pranishëm në hapje të ekspozitës ishin edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, si dhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë në ikje.

Në një prononcim për media, Hoti e ka cilësuar 23-dhjetorin si datë të rëndësishme për pluralizmin dhe zhvillimin politik në Kosovë.

“Është një përmbledhje e gjithë historisë 31-vjeçare, duke filluar nga themelimi i LDK-së, Deklarata e Kaçanikut, organizimi paralel, vuajtjet e qytetarëve, vrasjet, eksodi, lufta çlirimtare dhe përpjekjet me partnerët tanë”, ka thënë Hoti.

Ndërsa ka falënderuar organizatorët, ai ka shtuar se kjo ekspozitë “mundëson që për dhjetë minuta të kesh para syve krejt historinë e popullit të Kosovës”.

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka thënë se detyra e institucioneve është që të ruajnë kujtesën kolektive.

“Është e rëndësishme që qytetarët të vijnë ta shohin punën e tyre, sepse në këtë histori kanë qenë pjesëmarrës të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Dumoshi.

Kuratori Shkumbin Brestovci ka treguar se ekspozita është fryt i librave të shumtë që janë shkruar për këtë periudhë historike. Sipas tij, vitet ’90 bashkë me kohën e Skënderbeut janë dy momentet më interesante të historisë shqiptare.

“Këto dy periudha nuk kanë nevojë aspak të zbukurohen për shkak se vetë faktet e tyre janë të bukura”, ka thënë Brestovci teksa ka falënderuar fotografët Enver dhe Ilaz Bylykbashi që e kishin dhuruar fondin e tyre të fotografive.

Por ekspozita nuk është mjaftuar vetëm me paraqitjen dokumentare të viteve ’90: në kthinën në të majtë të muzeut janë afishuar edhe fotografi e dokumente që kronikojnë lindjen e shtetit të Kosovës dhe njohjen e tij prej demokracive perëndimore.

Në sfondin e ngjarjes së shënuar historike të 17 shkurtit 2008 janë vënë në spikamë edhe zhvillimet dramatike të mëparshme. Kështu, një kornizë e tërë i është kushtuar 3 prillit të vitit 2007, kur Marti Ahtisaari paraqiti në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pakon e tij të fundit të propozimeve, ku një nga rekomandimet kryesore ishte që Kosova të bëhej e pavarur, por me një mbikëqyrje ndërkombëtare.

“Përveç refuzimit të Beogradit, plani i Ahtisaarit hasi në rezistencë edhe në Prishtinë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Adem Demaçi. Demaçi pohon se Propozimi i Ahtisaarit është një përpjekje për ta liruar Kosovën nga sovraniteti i Serbisë, por propozimi bën të mundshëm sovranitetin e pakicës serbe mbi shumicën shqiptare, sepse dy të tretat e deputetëve serbë mund të bllokojnë nxjerrjen e çfarëdo ligji”, është shënimi poshtë faksimileve të faqeve të gazetave.

Një vizitë e bërë para disa vjetësh në hapësirat e “Shtëpisë së Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”, Brestovcit so t’i shkrepte ideja e një ekspozite fillimisht për historinë e ngjarjeve që ndodhen brenda kësaj shtëpie.

“Ideja ishte që të studioheshin librat, gazetat e burimet e kohës e të përmblidheshin në një ekspozitë që ka koherencë faktike e kronologjike”, ka thënë Brestovci për KOHËN.

Kurse ministrja në detyrë, Vlora Dumoshi, ka thënë se kjo ekspozitë domethënëse ka pasuruar muzeun me një pjesë të historisë më të re të Kosovës.

“Meqë këtu është edhe një ekspozitë e përhershme, ne po e mendojmë që t’i lidhim bashkë të dy ekspozitat”, ka thënë ajo.

Ndryshe, muzeu “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”, sipas nenit 21 të Statutit të Muzeut Kombëtar të Kosovës, konsiderohet pjesë e Ministrisë së Kulturës.

Në fakt, historia e tij 12-vjeçare e “Shtëpisë së Pavarësisë” është e mbushur me probleme të njëpasnjëshme.

Në tetor të vitit 2014, gazeta ka raportuar se për dy vjet radhazi salla kryesore e ekspozitave kishte qenë në terr për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Hiç më mirë “Shtëpia...” nuk i kishte pasur punët as me stafin e punëtorëve të angazhuar. Një marrëveshje mirëkuptimi mes punëtorëve të Sektorit të Etnologjisë kishte bërë që secili prej tyre të shërbente vullnetarisht nga një muaj në këtë shtëpi.

Ndërkaq dy vjet më vonë, më 2016, MKRS përmes një projekti kishte rregulluar banjën e objektit, si dhe kishte bërë lyerjen e enterierit të tij.

Drejtori i asokohshëm i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, kishte thënë për gazetën se do të hapej edhe një platformë e re për fëmijë dhe të rinj.

Shalli i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, syzet, makina e shkrimit e dorëshkrime të shumta kishin qenë disa nga eksponatet e shpalosura në një ekspozitë të hapur në janar të vitit 2016 brenda “Shtëpisë…”. Ndërkaq, disa eksponate ishin marrë prej saj me rastin e ekspozitës së organizuar nga Sektori i Historisë në MKK me titull “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova” me bashkautorë Sadik Krasniqin dhe Besnik Rracin. Plot 70 eksponate dhe mbi 500 fotografi, dokumente e gazeta kishin qenë pjesë e ekspozitës së mbajtur më 24 maj 2018 në Muzeun e Kosovës.