Kulturë

“Reverie” me mozaikun operistik nëpër kryeveprat e Verdit

Reverie - koncert

Në koncertin “Reverie” libreti është shmangur, në qendër kanë qenë tingujt si zhytje nëpër copëzat e operave. Xhovana Marku në obo dhe Ardita Bufaj në piano janë dyshja që ka harmonizuar tingujt për ritmet e arieve të operave të Giuseppe Verdit

Interpretimi i arieve operistike në mungesë të produksioneve të plota është gjë e zakonshme në Prishtinë. Por të hënën mbrëma ka ndërruar situata  Në koncertin “Reverie” libreti është shmangur, në qendër kanë qenë tingujt si zhytje nëpër copëzat e operave. Xhovana Marku në obo dhe Ardita Bufaj në piano janë dyshja që ka harmonizuar tingujt për ritmet e arieve të operave të Giuseppe Verdit.

Pak ditë prej koncertit në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë më 9 prill, dyshja ka sjellë të njëjtin repertor në Prishtinë. Ishte organizuar në shënim të ditëlindjes së kompozitorit Verdi. Prandaj koncerti jehon me muzikën e tij dhe jo vetëm.

“Dielli ka prendue” e Prenk Jakovës ka qenë introja e koncertit të mbajtur në sallën koncertale të Fakultetit të Arteve në kryeqytet. Pjesë shumë melankolike që në nisje, që gjatë zhvillimit bëhet ritmike në përcjellje të motiveve tradicionale.

“Potpuri për obo dhe piano” e ka titulluar dyshja programin e veprave. Të tilla edhe janë pjesë të ndryshme të shkëputura nga literatura e operat që janë kryevepra botërore nga njëri prej kompozitorëve më të shquar të kësaj forme të artit.

Muzika e arieve nga opera “Un ballo di maschera” kanë qenë të parat që janë luajtur. Një intro intensive e pianos shkëputet shpejt dhe përqafon ata të lehtë në përcjellje të instrumentit të obosë që merr pozitë kryesore në lojë. Ngjall emocione. Të theksuara janë ndërprerjet, ndarjet e partiturave, tipike për pjesët instrumentale të arieve. Ato vizualizojnë me tinguj ngjarjet harmonike në operë. 
Pika solo në piano “Reverie” e kompozitorit italian Alfredo Catalani është domethënëse. Prej kësaj pjese edhe emërtohet koncerti.

“Lidhet me një titull të veprës së Alfredo Catalanit, kompozitor i njohur italian që ka dhënë kontribut në muzikën operistike. Por pjesën që do ta interpretoj është në fakt pjesë solo për piano të cilën kur e kam interpretuar për herë të parë kam përjetuar emocione të jashtëzakonshme. Mendova se pse të mos i lëmë titull të koncertit pasi jam e bindur që në momentin që do ta interpretojë, edhe publiku do të përjetojë të njëjtat emocione si unë”, ka thënë pianistja Ardita Bufaj.

Ka qenë lojë intime në piano. Tingujt e lehtë dalin prej kornizave me tendencë për të rritur tensionin. Koreografi më vete ka qenë loja e pianistes Bufaj. Secili tingull që e luante ishte përjetim i veçantë i veprës për të.

Ajo ka thënë se publiku në Prishtinë e njeh mirë muzikën klasike dhe se përherë ka emocione kur luan në skenat e kryeqytetit. Se ndjen përgjegjësi profesionale. Bufaj ka interpretuar në “Chopin Piano Fest”, në festivalin ndërkombëtar të operës “Ramë Lahaj”, në “ReMusica” dhe jo vetëm.

Mozaiku i arieve nga opera “Rigoletto” e Verdit ka qenë kapitulli i radhës. Harmonizimi i dyshes në tinguj që luhen njëkohësisht ka qenë njoftimi i publikut me botën e rrëfimit të veprës. Ritmike e tejet karakteristike kanë qenë ritmet e saj. Zhvillimet në interpretim prezantojnë ngjarje krejt të ndryshme nga skenat e operës “Rigoletto”.

Një lloj kontrasti vjen në mozaikun me arie nga opera “La Traviata”. Harmonik është interpretimi i pianos ndërsa melankolik ai i oboas.

Oboistja Xhovana Marku ka thënë se për shkak të natyrës së tingullit të instrumentit, kompozitorët shpesh e kanë vënë atë në qendër të veprave të tyre.

“Kompozitorët gjithmonë në orkestër i kushtojnë një vëmendje të veçantë për t’i dhënë melodi shumë të ndiera. Përshtatjet që janë bërë në këto tri vepra janë bërë nga një flautist dhe një oboist në të njëjtin shekull me Giuseppe Verdin. Jam e bindur se nga buja që patën veprat ata kanë marrë frymëzim që të gjitha temat e këngëtarëve t’i pështatin me obo dhe të kenë fatin të përjetojnë të gjithë emocionet që përjetojnë këngëtarët si personazh të veprave”, është shprehur  ajo duke thënë se tri operat janë drama të forta për fatet njerëzore dhe se vijnë si pjesë të bukura të përshtatura për obo dhe piano.

Vepra vjen si me një lloj qasje kontradiktore ndërmjet dy instrumenteve. Oboas i lihet hapësira e saj në një çast derisa gjen harmoninë dhe të dyja bashkohen në tingull në të njëjtën frymë. 
Sipas Markut, instrumenti i oboas është shumë melankolik e lirik. “Fuqia e oboas për të kënduar, aftësia shumë e madhe për të përcjellë emocione e bën shumë të përshtatshme dhe të veçantë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, meloditë e karakterizojnë pjesën interpretuese të oboas. Ajo luan me Filharmoninë e Kosovës, Operën e Kosovës, si dhe në grupe të muzikës së dhomës. Bashkë me pianisten Ardita Bufaj janë pedagoge në Universitetin e Arteve në Tiranë. Ato kanë plan që me koncertin “Reverie” të rrugëtojnë edhe nëpër disa qytete në Shqipëri.

“Liebesleid” nga Fritz Kreisler është interpretuar nga fagotisti Meriton Ferizi dhe pianisti Melos Buza. Tingujt karakteristikë të fagotit i kanë dhënë ngjyrë melankolike pjesës ndërsa ritmin e ka mbajtur pianoja.

Meriton Ferizi, që është edhe zëvendësues i drejtorit të Operës së Kosovës, që e ka organizuar ngjarjen në bashkëpunim me Fakultetin e Arteve, ka thënë se ngjarja ka ardhur si rrjedhojë e përshtatjes së repertorit me institucionin e Operës.

“Me iniciativën e dy artisteve të njohura që interpretojnë shpesh këtu dhe i kemi si të shtëpisë, kanë kërkuar që koncertin që e kanë mbajtur paraprakisht në Tiranë ta sjellin edhe në Prishtinë pasi lidhet me institucionin e Operës pasi që është repertor operistik. E kemi pranuar me kënaqësi, bashkë me Fakultetin e Arteve iu kemi përgjigjur pozitivisht”, ka thënë ai.