Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Represioni i Putinit po luftohet edhe me art

Në vitin 2020 bota po dëshmonte para një vale të re të kreativitetit “queer” në Rusi, një shtet që kishte ndaluar shumëçka nga jeta kulturore e komunitetit LGBTQ. “Zhvillimet në muzikën dhe jetën e natës LGBTQ+ në vend po ndryshojnë mënyrën se si bota shikon rininë ruse”, shkruante revista I-D në prill të vitit 2020. Artisti, modeli dhe muzikanti homoseksual Angel Ulyanov përfaqësonte këtë ide dhe videoja e tij më e re shërben për “shkëputjen e homofobisë” në ish-Bashkimin Sovjetik.

I themeluar vetëm pesë vjet pasi ligji i famshëm “propaganda gay” i presidentit Vladimir Putin miratohet në vitin 2013, publikimi i bazuar në Moskë, “O-Zine” ishte atëherë një magazinë avangarde e kulturës “queer”.

Por kjo dukuri e dukshme e tolerancës u avullua që prej fillimit të sulmeve të Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022-s. “O-Zine” duket se është në një status në pritje dhe shumë artistë “queer” kanë shkuar në mërgim qysh atëherë.

Në nëntor të vitit 2022, parlamenti i Rusisë nxori ligjin për propagandën “gay”, që në thelb ndalon raportet e personave të të njëjtës gjini, ose sipas fjalëve në ligj, promovimin e “marrëdhënieve seksuale jotradicionale” te minorenët. Ligji i ri tani ndalon çdo material pozitiv në lidhje me stilin e jetesës LGBTQ në libra, filma, reklama dhe në internet.

Ligjbërësit thonë se ata po mbrojnë vlerat “tradicionale” ruse kundër “Perëndimit” liberal, një argument që është përdorur për të justifikuar sulmet kundër Ukrainës.

Për ligjvënësin rus Alexander Khinshtein, LGBTQ “është një element i luftës hibride dhe në këtë luftë hibride ne duhet të mbrojmë vlerat tona, shoqërinë tonë dhe fëmijët tanë”, ka thënë politikani në tetor të vitit 2022, kur po propozonte ligjin e ri për propagandën LGBTQ. Një muaj pas miratimit të tij, shtëpisë botuese ruse e pavarur “Popcorn Books” iu ndalua të shiste libra për LGBTQ.

Sipas faqes së pavarur të lajmeve “Meduza”, shtëpia botuese ka zhvendosur biznesin në vende të tjera si Bjellorusia dhe Kazakistani.

Ligji gjithashtu krahasonte jetën LGBTQ me pedofilinë, theksoi muzikanti homoseksual Angel Ulyanov në një postim në Instagram.

“Autoritetet planifikuan një luftë jo vetëm në Ukrainë, por edhe në shoqërinë e tyre, duke zgjedhur një 'objektiv të ri' për këtë luftë - komunitetin LGBTQ”, shkroi ai.

“Nuk jam më i zemëruar dhe i shqetësuar nga kjo luftë kundër 'vlerave jotradicionale',” vijoi ai. “Thjesht dua të harroj ekzistencën e këtij shteti”.

Ulyanov tani është larguar nga Rusia dhe jeton në SHBA. Shumë artistë të tjerë “queer” kanë ndjekur fatin e tij, përfshirë aktivistin e të drejtave LGBTQ dhe kuratorin e muzeut Pyotr Voskresensky.

Ky artist ka qenë mbrojtës i të drejtave LGBTQ në Rusi që nga viti 2007, “kur protestat ishin ende të mundshme”, ka thënë ai për DW pas largimit në Gjermani në maj të vitit 2023.

Para se të ikte, Voskresensky ishte detyruar të mbyllte një ekspozitë private në Shën Petersburg që festonte figurat LGBTQ ruse duke përfshirë kompozitorin rus Pyotr Tchaikonsky pasi merrte kërcënime.

“Që nga fillimi i invazionit, u bë e qartë për mua se një përndjekje e re ishte e pashmangshme”, ka treguar ai. ai. “Muajt e parë madje kisha frikë të dilja nga apartamenti im”.

Nëse ligji për propagandën arriti të shkatërronte jetën kulturore “queer” në Rusi, kjo përpjekje u përforcua më tej në nëntor të vitit 2023, kur Gjykata Supreme e Rusisë tha se komuniteti LGBTQ ndërkombëtar ishte pjesë e një “lëvizjeje ekstremiste”. Aktivitetet e tyre do të ndalohen nga viti 2024, tha gjykata.

Disa ditë më pas raportohet se policia ruse ka filluar të bëjë bastisje në klube dhe bare ku mblidhen persona lezbike, “gay”, biseksual, transgjinor, “queer” dhe të tjerë që nuk identifikohen me binaritetin gjinor.

Me mbështetjen e Kishës Ortodokse Ruse, riorientimi i Putinit drejt “vlerave tradicionale” joperëndimore është përforcuar nga dekreti i tij që viti 2024 do të jetë “viti i familjes”.

Gena Marvin, një “aktiviste drag” në moshën e saj të hershme 20-vjeçare, vazhdoi të sfidonte autoritetet në Moskë me artin e saj “queer” gjatë fillimvitit 2020.

Subjekt i dokumentarit të vlerësuar “Queendom”, artistja krijon kostume shumë ekspresive që shpesh sjellin një mesazh përfshirë për luftën e komunitetit LGBTQ në Rusi.

Filmi dokumenton krijimin e një veshjeje nga tela me gjemba nga Marvin, një protestë kundër luftës, që ajo shpalosi nëpër rrugët e Moskës disa ditë pas invazionit të Rusisë në Ukrainë.

Të dy u ndalën më pas nga policia. Më pas u vendos që artistja, e rritur në Siberinë lindore të largët, duhet të largohej nga Rusia. Tani ajo jeton në Paris, ku puna e saj vazhdon së bashku me protestën e saj.

“Kjo nuk është një histori unike e një personi,” shkroi Marvin në një postim në Instagram pas publikimit të “Queendom” në fillim të dhjetorit.

“Ai është një dokumentar për lirinë njerëzore”, vijoi ajo. “Një rrugë e bashkimit, një rrugë e luftës për mundësinë e të qenit vetvetja. Queendom është një nga shumë historitë e komunitetit ‘queer’”.

Në fund të postimit në media sociale, Gena sugjeroi mënyra për të gjetur strehim në Paris “nëse po mendoni të largoheni nga Rusia”. Ndërmjet trazirave në vend, krijuesit “queer” rusë po gjejnë mënyra për t’u dëgjuar edhe nëse gjithnjë e më shumë nga jashtë vendit.

(Marrë Nga DW, përktheu Enis Bytyqi)

Artikuj të ngjashëm