Muzika nuk ishte pika e vetme që bashkonte një grusht muzikantësh, në vitet e para të pasluftës në Kosovë: ishte edhe vullneti e ngulmimi për themelimin e ngritjen e një festivali. Për vendin, bashkë me lirinë po vinin edhe ditë të reja e bashkë me të edhe një festival i ri: “ReMusica”. Tash, kur ky festival vjen me edicionin e 20-të përballë pandemisë si sfidë parësore, ata që dikur e themeluan, u kthehen kujtimeve tek shpalosin sfidat e dikurshme që shuheshin kundrejt vullnetit për ngritjen e skenës muzikore të vendit
Pianistja nga Japonia, Aki Takahashi, bashkë me artistë të shquar japonezë, në kohën kur Kosova ishte kryelajm botëror, në Tokio do të mbanin një koncert dedikuar vendit. S’kishte vonuar shumë dhe do të interesohej për vendin e sapodalë nga lufta. Për këtë e kishte kontaktuar kompozitorin Rafet Rudi. Ishte shprehur e gatshme t’i ndihmonte ndonjërit prej institucioneve të Kosovës. Rudi do t’i propozonte të vinte dhe ta hapte edicionin e parë të një festivali që s’kishte as skenë të denjë për një pianiste të nivelit siç ishte Takahashi. Por kishte shumë vullnet që buronte nga një grup miqsh muzikantë i përbërë nga Rudi, Ilir Bajri, Zana Shuteriqi, Mendi Mengjiqi, Baki Jashari dhe Valton Beqiri, të cilët zgjodhën një rrugë të njohur por jo të lehtë: të organizonin festival. Pianistja e njohur nga Japonia erdhi me lojën e saj pianistike, dha tingujt e parë të një festivali të ri në një vend që sapo kishte fituar lirinë.
“Kontakti i saj i parë me skenën ka qenë përmes atyre skenave të tmerrshme të eksodit të popullatës sonë dhe ajo është befasuar që dikush nga Kosova po interesohet për një festival të muzikës, bile një festival të muzikës bashkëkohore”, e ka përshkruar Rudi koncertin e saj të parë në Prishtinë. Sipas tij, prania e saj kishte ndikuar edhe në strukturën e festivalit. Vetë Takahashi ishte shumë e emocionuar për ardhjen në Kosovë.
“Kjo është një vizitë e mrekullueshme në festival dhe ndihem shumë e prekur që jam e ftuar”, kishte thënë ajo në konferencën për media, që ishte mbajtur në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, në prillin e vitit 2002. Mbrëmja ishte përcjellë me plot emocione e entuziazëm.
“Ajo që më së shumti më kujtohet ka qenë entuziazmi që po bëjmë diçka, po e rikthejmë jetën muzikore në Kosovë”, ka thënë drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari.
Organizatorët që ballafaqoheshin me një organizim të ri kujtojnë të kenë punuar në rrethana shumë të vështira.
“Kemi pasur probleme teknike, nuk kishte rrymë siç duhet”, kujton multiinstrumentisti Ilir Bajri. “Mbi krejt këto ajo që më pastër më ka mbetur në mendje ka qenë ai momenti që edhe përkundër të gjitha pengesave arrinim ta organizonim një koncert të mirë dhe u mbushte salla plot”, ka thënë Bajri.
Po ata që dikur u bënë tok për ta ngritur një festival – bashkë me figura të tjera të njohura vendore e ndërkombëtare që bashkëpunuan me festivalin – janë personazhe të dokumentarit “20 Vjet ‘ReMusica’, që erdhi premierë në hapjen e edicionit jubilar, të 20-it, të hënën mbrëma.
“Rikthim para” në dy kohë
Pianistja nga Japonia, Aki Takahashi, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, në edicionin e parë të “ReMusicas”, më 23 prill të vitit 2002. Skenë nga dokumentari “20 Vjet ‘ReMusica”
Por dy dekada pas “ReMusica” përballët me vështirësi të reja për ta mbushur sallën plot. Koncertet e edicionit të sivjetme po mbahen nga salla boshe.
Në përvjetorin e themelimit, Festivali i Ndërkombëtar i Muzikës, dikur i njohur edhe si Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Re, besonte në një rrugëtim të gjatë muzikor të artistëve me publikun. Dy dekada pas, takimi fizik me artdashësit është i pamundur, sado që organizatorët deri para pak javësh besonin që mund ta realizonin. Por masat e reja kundër përhapjes së pandemisë përmbysën planet e sivjetme. Të gjitha koncertet janë zhvendosur në format “online”.
Me temën “Kthim para”, edicioni i sivjetmë sjell një format hibrid, ku krahas koncerteve virtuale përfshin edhe masterklasa e punëtori me studentët. Tash e dy dekada “ReMusica” këmbëngul në muzikën bashkëkohore. Veç kësaj, edhe në promovimin e veprave të kompozitorëve shqiptarë.
“Re do të thotë muzika e re, muzika moderne, por, në anën tjetër, ‘ReMusica’ është edhe një rieditim, rindërtim, rigjenerim”, thotë themeluesi i festivalit Rafet Rudi në dokumentarin “20 Vjet ‘ReMusica”, që i ka paraprirë hapjes së edicionit të 20-të. Dokumentari i realizuar nga Hana Agimi përmbledh përvojat e kujtimet nga ata që kryesisht punuan në fillet e festivalit.
Për disa nga bashkëpunëtorët, kaq vjet të “ReMusicas” dëshmojnë për një konsistencë e këmbëngulje që përfshin edhe shumë elemente të tjera për ta mbajtur një festival në hap.
“’ReMusica” është shembull i qëndrueshmërisë, i këmbënguljes në strategjinë e vet, i kreativitetit në programim dhe shkathtësisë në menaxhim komunikues dhe besnik i kredos së vet”, thotë në dokumentar kompozitori i njohur nga Shqipëria, Zhani Ciko.
Dritare e re për muzikantët e rinj
Nga perspektiva e muzikantëve të rinj në atë kohë, “ReMusica” ishte një dritare e re ku mund të njiheshin me emra të njohur të muzikës klasike.
Sopranos së njohur Elbenita Kajtazi e kitaristit virtuoz Petrit Çeku ky festival u ka shërbyer që të njoftohen në një nivel tjetër me muzikën bashkëkohore.
“Festivali ‘ReMusica’ për herë të parë me njoftoi me konceptin e muzikës së re. Për sa i përket asaj bote të muzikës klasike unë kam qenë i njoftuar vetëm me atë të asaj që ka qenë e shkruar deri në shekullin XX. Por krejt ajo pas kësaj ka qenë një pikëpyetje e jashtëzakonshme”, thotë kitaristi Çeku në një pjesë të dokumentarit 37-minutësh që sjell edhe materiale arkivore.
“Një rast i mirë për muzikën bashkëkohore kosovare” kishte qenë titulli i artikullit të “Kohës Ditore” të 5 majit të vitit 2004, që paralajmëronte edicionin e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Re. Ky kishte qenë edhe misioni i përvitshëm i festivalit.
Donika Rudi e ka filluar angazhimin më të madh në festival në dekadën e dytë të tij, kur edhe ndërron fizionomia e festivalit dhe shtrihet edhe në epoka të tjera stilistike duke futur repertorin e vjetër të muzikës së barokut, renesancës por gjithmonë duke pasur në fokus muzikën bashkëkohore. Por qëllimi i organizatorëve ka qenë që veprat e autorëve shqiptarë të promovohen dhe të luhen edhe nga artistët e huaj.
“Qëllimi ynë ndër vite ka qenë promovimi i autorëve të vendit përmes artistëve dhe ansambleve ndërkombëtare që çdo vit në ‘ReMusica’ kanë interpretuar veprat e tyre. Shpeshherë kjo ka ndikuar në futjen e këtyre veprave në repertorët e tyre”, thotë Rudi në ”20 Vjet ‘ReMusica”.
Sipas saj, të gjitha veprat nga edicioni i parë deri tek i fundit janë incizuar dhe për këta njëzet vjet “ReMusica” ka krijuar një arkiv të pasur me 400 vepra të autorëve shqiptarë, të cilat janë kryesisht vepra porosi të festivalit. Dhe këtë thotë se do ta bëjnë vit pas viti.
Themeluesi i festivalit, Rafet Rudi, thotë se besojnë që festivali “ReMusica” së bashku me festivalet e tjera të muzikës klasike kanë kontribuar në rafinimin e muzikës klasike në vend.
Donika Rudi nënvizon se me programe alternative gjatë njëzet vjetëve kanë fituar një publik divers.
“Ky edhe ka qenë qëllimi që muzika të jetë për të gjithë”, shprehet drejtoresha e tanishme e festivalit Donika Rudi.
“ReMusica” e sivjetme deri më 22 shtator do të sjellë një seri koncertesh me muzikantë vendorë e të huaj. I pari ka qenë koncerti recital i sopranos Elbenita Kajtazi, që u rrit bashkë me festivalin e tash shkel skena botërore.