Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Rekuiem për Etritin

Mëngjesi i 22 qershorit kishte aguar ndryshe për Kohavisionin. Në dhomën e tretë të montazhit, korniza me fotografitë e 13 montazherëve të televizionit më “foli” ndryshe. E kam parë shpesh atë fotografi. Pothuajse çdo ditë. Vendin qendror në atë kolazh fotosh e zë portreti i Etrit Mehmetit, apo “bossit” a “shefit”, siç e thërrisnin kolegët e punës, kryesisht ata të sektorit të montazhit, drejtues i të cilëve ishte. Etriti na la papritmas, mbrëmjen e 21 qershorit, e lajmi për humbjen ishte i pabesueshëm. Për kolegët e montazhit, humbje e papranueshme. Sikur u prish hallka e cila e mbante lidhjen dhe unitetin mes anëtarëve të sektorit të montazhit.

Ajo fotografi më “foli” e më bëri të reflektoj për kujtimet që na la një person i veçantë, i urtë e punëtor, që edhe pse fizikisht u nda shpejt, shumë shpejt nga kjo botë, la pas frymën e mirëkuptimit mes kolegësh e miqsh. Përtej punës, Etriti ishte personi i cili u jepte ngjyrë ambienteve të punës, korridoreve të ngushta, zyrave të vogla, ditëve gri e me shi, apo atyre me tension e të ngarkuara me punë, që janë të shpeshta në punën në televizion. Ai koordinonte ekipin e montazhit dhe paralelisht nuk u ndal asnjëherë së edituari, duke finalizuar qindra materiale të cilat pastaj përcilleshin te shikuesit e Kohavisionit. Në televizion, Etriti kishte nisur punën në vitin 2002, e para kësaj kishte punuar në televizionin AA në Prishtinë. Si parëndomtë për kohën, ishte ndër të rrallët që kishte krijuar përvojë në punën e një video-montazheri dhe atë kishte arritur ta bartte te bashkëmoshatarët dhe gjeneratat më të reja.

Në marsin e vitit 2005, kur kisha nisur punën në KTV si moderator e gazetar i emisionit “Express”, montazhin e emisionit kryesisht e realizonte Etriti. Ndonëse kisha ardhur me një “background” e përgatitje nga fakulteti, njohuritë e mia për montazhin ishin zero. Hapat e parë i mësova nga ai, që asnjëherë nuk përtoi t’u përgjigjej edhe pyetjeve më naive që mund t’ia bëja. Më kishte mësuar edhe si mund t’i fshihja kilogramët e tepërt tek isha në prezantim, pak me qëndrimin para kamerës e pak edhe me “trikat” e montazhit. Më vonë (2007), kur tashmë kishte marrë drejtimin e sektorit të montazhit, bashkëpunimi me të ishte i përditshëm.

Shumë konsulta, mesazhe e minuta i kemi kaluar bashkë. Nga menaxhimi i editimit të materialeve në baza ditore, emisionet javore, specialet për zhvillimet politike në vend e botë, programet e sezonit të verës, e deri te ditët e ngarkuara të çdo dhjetori me finalizimin e përmbajtjes programore të vitit të ri. Etriti nuk ishte imponues. Nuk fliste për veten. Ndoshta publiku i gjerë mund të mos e ketë njohur, por punën e tij e ka parë gjithsesi. Përveç qindra materialeve të edituara, nga “Expressi” tek “Automani”, nga Lajmet te shou-programet si “Oxygeni”, Etriti ka qenë dora finale edhe prapa serisë televizive “3 Gjermanët e Trashë”. Kjo një nga seritë televizive që në kohën kur nisi të prodhohej, i dha tjetër dimension realizimin të serive dhe përmbajtjeve programore televizive kosovare.

Përtej Kohavisionit, Etriti ka qenë edhe një prej shtyllave të teatrit “Oda”. Sikurse edhe në TV, ai ka qenë aty gjithmonë për të gjetur zgjidhjen për projektet e Teatrit, apo edhe programet mysafire. Në teatrin “Oda”, prej drejtuesve e deri tek i gjithë stafi, skena e pavarur ka gjetur mbështetjen. “Oda” ka qenë aty edhe kur janë mbyllur shumë dyer për shumë organizata e artistë të pavarur. Platformë e pazëvendësueshme për një skenë kulturore të pazhvilluar si kjo e jona, madje pavarësisht halleve me të cilat përballej, “Oda” për të tjerët vazhdonte të ishte mbështetja që nuk soset. Në rrafshin personal, në “Oda” jam ndier rehat e si i shtëpisë, sepse te banaku gjithmonë ka qenë Etriti. Kështu janë ndier edhe shumë miq, artistë e artdashës. Nga shfaqjet, koncertet, festivalet, e deri te konferencat e xhirimet për televizion – aty ka qenë Etriti. Si rëndom, as unë po as shumë prej nesh ndoshta nuk i kemi shprehur falënderimin për gjithçka që ka dhënë...

Edhe We shall never surrender! Shtojca për Kulturë 10 muaj më parë We shall never surrender!

Çiklizmi ka qenë pasioni i Etritit kohët e fundit. Mëngjesin e së dielës (21.06.2020), me shokët Enes Sahiti, Arben Sllovinja, Arbër Dinarama, Valon Bllacaku, Driton Mehmeti, Arben Sllovinja, Armend Shala dhe Meriton Lecaj, nga Prishtina destinacion e kishin Kushtovën. Gjatë ditës kisha parë postimet e tyre të shumta në rrjete sociale. Gjithçka dukej këndshëm, por jo edhe linja e fundit. Para se të ndaheshin, anëtarët e grupit gjithmonë përcaktonin destinacionin e radhës. Etrit, këtë herë t’i zgjodhe një destinacion tjetër: atë të përjetësisë. E shokët, në ditën e shtatë qëkur u ndave prej nesh, do ta bëjnë destinacionin e parë pa ty, në kujtimin tënd.

Autori është producent ekzekutiv i Kohavisionit