Kulturë

Regjisorja shqiptare që dokumenton edhe prapaskenat e rënda

Është regjisore me fokus te filmat dokumentarë. Elena Avdija me prejardhje nga Kosova, por që jeton dhe vepron në Zvicër, është e diplomuar në sociologji, në Shkollën për Studime të Avancuara në Shkenca Sociale në Paris. Ka punuar për disa vjet si asistente regjisore në dokumentarë, veçanërisht për Point du Jour në Paris, ku zhvilloi skenarë për seritë e dokumentarëve historikë. Ajo gjithashtu drejtoi dy dokumentarë të shkurtër të punuar vetë. Në kthimin e saj në Zvicër, ajo filloi të punonte si asistente regjisore edhe në filma artistikë.

Interesimin që ka për t’i trajtuar çështjet sociale e ka gërshetuar me pasionin për filmbërje. Ndërthurjen midis profesionit të saj primar si sociologe me krijimin e dokumentarëve, Avdija ka thënë se e sheh si krejt të natyrshme.

“Kam studiuar sociologji dhe më në fund kam vendosur të provoj të bëj dokumentarë, sepse më duket një mënyrë e mirë edhe për të bërë hulumtime sociologjike, por në një medium që është më i hapur te publiku. E ka njëfarë logjike, sepse sociologjia të mëson si ta shohim botën, si t’i analizojmë shoqërinë e dokumentari të jep edhe një gjë tjetër të rëndësishme, që është imazhi, edhe të jep mundësi për të komunikuar me njerëzit”, ka thënë Avdija.

Kur ajo ishte fëmijë, bashkë me familjen e saj kanë marrë rrugën e mërgimit në kërkim të një jete më të mirë. Përjetimet e saj dhe jetën në mërgim ajo e ka paraqitur në projektin e saj të parë dokumentar “A më mirë këtu apo atje?”. Në këtë projekt paraqiten 5 intervista me të rinj e të reja që jetojnë në diasporë dhe se si ata e përjetojnë këtë. Secili me pikëpamjet e veta. Në “A më mirë këtu apo atje?” shfaqet një tjetër këndvështrim për jetën midis vendlindjes dhe mërgimit.

Dokumentari e ka pasur premierën para gati 10 vjetësh, pikërisht në Kosovë, në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest”. Me shikuesit e filmit ka ndarë edhe pjesë të arkivit personal të familjes së saj.

“Projekti im i parë titullohet ‘A është më mirë këtu, a atje?’. Ka qenë film 29 minuta që ka folur për të rinjtë që janë rritur në diasporë dhe kthimin në vendlindje verës. Kam intervistuar 5 persona, të cilët njësoj si unë janë rritur në mërgim dhe e kam bërë një dokumentar të vogël, e kam përzier me arkiva personale të familjes sime kur kemi ardhur këtu para luftës”, ka thënë Avdija.

Një dekadë më pas, sërish në “DokuFest,” Avdija ka ardhur me një tjetër dokumentar të metrazhit të gjatë e që sjell një portretizim të tri grave, por në fakt trajton edhe raportin e tyre në film e me pushtetin.

Rrokullisjet poshtë shkallëve, goditjet nga makina ose përleshjet brutale janë copëza nga jeta e përditshme e Virginie Arnaud, Petra Spercher dhe Estelle Piget. Ato luajnë në skenat e rrezikshme të filmave në vend të aktoreve kryesore. Në dokumentarin “Stuntwomen” të Elena Avdijajt flasin për punën e tyre të jashtëzakonshme, derisa ajo i ndjek me kamerë gjatë seancave stërvitore, në sheshxhirime e edhe në vizita familjare.

Për projektin e saj ka thënë se ka rrjedhur më shumë nga interesimi për rolin e gruas në film. Derisa ka treguar se nga ideja deri te finalizimi i dokumentarit i ka marrë 10 vjet.

“Ideja në fillim ka qenë se kur shohim filma fiksion na duket sikur jemi duke parë diçka reale, sepse këta filma janë të punuar në atë mënyrë që të duket ashtu. Mua më ka lindur pyetja se si fabrikohet edhe rreziku, edhe dhuna dhe ato kaskaderet që e bëjnë këtë punë, kur mendojmë për ta, mendojmë për superheronj dhe gjëra të tilla, por e kam kuptuar kur ka skena me rrezik dhe ka gra në ato skena që zakonisht ato e marrin atë dhunë dhe nuk e japin”, ka thënë Avdija.

“Stuntwomen” erdhi premierë në Kosovë në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, ku ajo pati rastin të takohej me një numër të madh të shikuesve nga të cilët ka marrë shumë komente rreth punës së saj. Ajo ka thënë se kjo është një traditë që të paraqesë punën e saj në festival dhe se shpreson se do të vazhdojë kësisoj.

“Kam qenë shumë kureshtare ta kuptoj se si bëhen filmat dhe si krijohet magjia e filmave. Jam e interesuar edhe për problemet gjinore edhe po ashtu profesionin e ‘stunt’ që cilësohet si profesion mashkullor dhe për këtë jam interesuar dhe kam shkuar të bisedoj me personazhet në filmin tonë dhe se çfarë pyetjeje mund të gjejmë bashkë me to”, ka bërë të ditur Avdija.

Personazhet në dokumentar e kanë marrë guximin të flasin për sfidat që i hasin në profesionin të cilin shoqëria e kategorizon se është për meshkuj. Por, për Virginie, Petra dhe Estelle gjithmonë ka një shkëmbim midis dëshirës për të performuar sa më realisht që të jetë e mundur dhe përtej kufijve të tyre. Skenat me makina të djegura apo përplasje janë spektakolare, por rolet në të cilat ato përleshen fizikisht janë shumë më të vështira për t'u parë. Avdija ka treguar se përse pikërisht këto 3 personazhe janë pjesë e projektit të saj.

“Virgine është një protagoniste franceze dhe ajo është “stuntwoman” më e njohura në Francë. Ka qenë shumë e natyrshme për mua që të shkoj dhe ta xhiroj atë, po ashtu kam dashur që ta kem një kaskadere më të re në mënyrë që të mund ta krijoj një perspektivë në film. Petra është kaskadere zvicerane, por jeton në Hollywood, kështu e ka hapur edhe derën e Hollywoodit për neve dhe disa pyetje të tjera që vijnë në film”, ka thënë Avdija.

Prapaskenat e botës së kinematografisë pasqyrohen qartë në “Stuntwomen”. Flet hapur për diskriminimet në bazë të gjinisë pasi që dokumentari vjen si një realizim tronditës dhe magjepsës. Gratë punësohen për të duruar dhunën, ndërsa detyra e kolegëve të tyre meshkuj është ta shkaktojnë atë. Emily Shin Jie Lee, një shikuese e filmit, ka thënë se kjo është një mënyrë e veçantë për ta trajtuar një temë të tillë.

“Mendoj se ky është një film shumë i fuqishëm që portretizon këto gra të fuqishme në këtë profesion dhe nëpërmjet përvojave të tyre ato me të vërtetë i shpalosin problemet e botës kinematografike. Ne jo domosdo e dimë se si funksionon kinematografia prapa kamerave dhe në këtë film ti me të vërtetë i kupton pabarazitë që ndodhin dhe mendoj se ky dokumentar me të vërtetë e përdor një gjuhë të butë për të folur për këto probleme në një mënyrë shumë më ndryshe”, ka thënë Jie Lee.

Me dokumentarin “Stuntwomen”, Avdija e ka fituar çmimin “Syri i Artë” në Festivalin e Filmit në Cyrih.

Ndërsa Avdija njihet edhe për filmat ku ka punuar si asistente e regjisores, ndër ta “Chroma”, që sjell përballjen me të kaluarën e rëndë të një gruaje, e cila me një personalitet kufitar përpiqet të joshë fqinjin e saj të çuditshëm. Një histori e vetme dashurie mes këtyre dy shpirtrave të vetmuar dhe të plagosur ka lindur, por filmi e zbulon se a do të mjaftojë për t'i shpëtuar ata nga vetja.

“Those Who Work” është një tjetër film ku ajo ka punuar, që e shpalos historinë e Frankut, një njeri shumë ambicioz që krejt jetën ia ka kushtuar punës. Pavarësisht nga vendi apo rrethanat, qoftë ditën apo natën, ai është në telefon, duke u kujdesur për anijet e mallrave që ai merr me qira për kompanitë e mëdha. Por, kur i duhet të përballet me një situatë krize, Frenk merr një vendim brutal dhe pushohet nga puna. I tronditur thellësisht, i tradhtuar nga një sistem të cilit i dha gjithçka, ai duhet të pyesë veten në mënyrë progresive për të shpëtuar të vetmen lidhje që ende ka rëndësi për të: lidhjen që ka arritur të mbajë me vajzën e tij më të vogël, Matildën.

E filmi i vitit 2020, “My Little Sister”, e portretizon Lisan e cila u ka thënë lamtumirë ambicieve të saj si dramaturge dhe skenës së artit të Berlinit dhe tani jeton në Zvicër me burrin e saj, i cili drejton një shkollë ndërkombëtare. Kur vëllai i saj binjak sëmuret, ajo kthehet në Berlin.

Aktualisht Elena Avdija është duke punuar në projekte të tjera me qëllimin e prodhimit të dokumentarëve që prekin tema sociale e që preokupojnë komunitete të ndryshme.