Kulturë

Regjisorja që përmes filmit mëton ta gjejë vendin e vet në botë

Regjisorja e re nga Peja, Aulona Fetahaj, që me filmin e saj të parë ia arriti që të shpërblehet. Filmi i shkurtër “She asked me ëhere I was from” u zgjodh më i miri në garën “Kombëtare” në edicionin e sivjetmë të “DokuFestit”. Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër mbajti edicionin e tij të 19-të online për shkak të pandemisë. Gjatë periudhës se karantinës përfundoi edhe projekti i regjisores.

Puna për të ishte nisur në vitin 2018, si një dëshirë për të realizuar një film për Kosovën. Vepra 25-minutëshe u kthye në një reflektim mbi identitetin. Regjisorja duke vendosur veten dhe emocionet e saj në qendër, eksploron se çfarë do të thotë të jetosh në mes të dy botëve dhe të kesh brenda vetes të gërshetuara dy kultura e identitete.

“She asked me where I was from” (2020) reflekton mbi atë sesi është të jesh nga Kosova, por të jetosh në një vend tjetër gjithë jetën tënde. Filmi që nis me imazhe nga “Google Maps” përfundon me fotografi familjare dhe me një video-lidhje ku shihet regjisorja gjersa ndan në kohë reale, përmes shënimeve, ndjenjat e saj dhe mendimet. Fetahaj, veçse i ka hyrë botës së kinematografisë. Akoma nuk e ka të qartë se çfarë dëshiron të theksojë përmes filmave të saj. Është në rrugën ku po përpiqet që të kuptojë se cilat janë interesat e saj, si të realizojë filma dhe cilat mënyra funksionojnë më mirë për të.

Gjenerata e tregimtarëve përmes imazheve

“Nuk mendoj se kam menduar ndonjëherë që dëshiroj të bëhem regjisore”, thotë Fetahaj, përmes një komunikimi elektronik nga Brukseli, ku është duke jetuar. Familja e saj ishte larguar nga Kosova në fillim të vitit 1999 për shkak të luftës dhe ishte vendosur në Bruges të Belgjikës. Si fëmijë i kishte në qejf tregimet dhe hidhte në letër rrëfime të shkurtra, të cilat i shkruante për motrat e saj. Ishte nxënëse e mirë në shkollë. Vëmendjen e kishte drejt shkencave dhe larg shkrimit apo artit. Kur kujton fëmijërinë, tregon se ishte e opsesionuar edhe me televizorin dhe kompjuterin dhe e vinte në punë trurin e saj për të kuptuar sesi operojnë këto dy pajisje. Si “mjeshtre” e tyre shpeshherë i kishte çmontuar pajisjet teknologjike që i kishin në shtëpi. Fatkeqësisht, shpeshherë rezultati, pas intervenimit të saj, ishte se ato nuk mund të riparoheshin. Më vonë, në vitet e fundit të adoleshencës, u dha pas muzikës, por u përvodh shumë shpejt brenda kinemasë. Kjo hapësirë po ia lejon që të gërshetojë tri opsesionet e saj... (Më gjerësisht lexoni në KOHA Ditore)