Pasionant dhe të ngrohtë e ka cilësuar interpretimin e Ramë Lahajt në skenën e Parisit revista njohur franceze “Forum Opera”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Tenori kosovar, të premten që shkoi u ngjit në skenën e teatrit “Opera Bastille” - njëri prej dy teatrove të “Opera National de Paris”, bashkë me “Palas Garnier” - i veshur në petkun e personazhit kryesor të operës “La Traviata”, Alfredo.
Interpretimin i tij në operën e njohur të Guiseppe Verdit, bashkë me atë të sopranos franceze Marina Rebeka në rolin e Violetta Valérys, “Forum Opera” i ka konsideruar si pjesa më e mirë e mbrëmjes, pas kritikave jo edhe aq të mira që ia ka bërë produksionit.
“Dy protagonistët kryesorë kanë rininë dhe fizikun për rolet e tyre. Prej fillimit e deri në fund ata krijojnë një çift të dashur dhe tërësisht kredibil. Tashmë i njohur për rolin e tij në vitin 2016 me ‘Lucia di Lammermoor’, Ramë Lahaj e ka këtë ngrohtësi që e karakterizon timbrin e tij. Tenori kosovar sjell një Alfredo pasionant dhe të ngrohtë. Timbri i tij është i ngrohtë dhe linja e këngës zbukurohet kur ai sjell gjysmëtone delikate”, ka shkruar “Forum Opera”.
Aty, po ashtu, është thënë se kasta e interpretuesve nuk ka qenë e përbërë me yje të muzikës lirike, por u është dhënë hapësirë këngëtarëve të rinj... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)