Kulturë

“Qielli është i kaltër” midis nostalgjisë dhe ëndrrave

Kur Gani Llalloshi kishte përfunduar studimet në drejtimin e pikturës në Fakultetin e Arteve në Prishtinë më 1989, nuk ishte përshëndetur vetëm me këtë institucion. Ai do ta linte Kosovën për të shkuar në Slloveni, ku ndoqi studimet postdiplomike. Shpejt do të bënte emër të saje të punës prej artisti, shkruan sot Koha Ditore.

Veprat e tij janë parë në më se 40 ekspozita personale gjithandej Evropës. Kishte ikur nga Kosova duke “fluturuar”. Ëndërronte të kishte krahë që të fluturonte. E pikërisht me qiell e krahë i është rikthyer Prishtinës. Ekspozita personale e Llalloshit “Qielli është i kaltër”, që është hapur të enjten mbrëma në Galerinë Kombëtare të Kosovës dominohet nga kaltërsia. Pikturat që vijnë edhe në formë instalacioni, kaltërsinë e kanë kryefjalë. Personazhet e tij duket sikur janë futur në ëndrra. Pavarësisht se në ekspozitën me kurator sllovenin Andrej Medved, veprat janë fort intime, gjuha e tyre është aq interaktive sa komunikon me secilin.

Prek mozaikun e intimes së secilit. Dritaret e hapura përballë qiellit, e peizazhi i “Katunit të babës” që në prapavijë ka të kaltrën e fortë hapin horizonte që rrumbullakohen vetëm nëse arrihet të zbulohet fundi i universit. “Duart e saj t’bardha” paraqet nënën shamibardhë në një tryezë të varfër. Gjendja e saj emocionale del të jetë goxha e ngarkuar. Por afër ka edhe dritaren si një simbolikë shprese. Një tjetër tablo paraqet poetin Ali Podrimja të shtrirë në një aso karrige për dy a tre persona që zakonisht gjenden shesheve. Prapa tij ecën ujku. E “Kush do ta vrasë ujkun” mban titullin një poezi e Podrimes që Llalloshi e sjell midis së kaltrës. Rrëfimi personal i vizualizuar për poetin plotësohet edhe me interaktivitetin ku në murin krahas punimit vizitorët mund të shkruajnë mesazhet e veta.

[Më gjerësisht mund të lexoni në gazetën Koha Ditore]