Kulturë

Qeveria rikthen nismat e vjetra për ligje të reja në fushën e kulturës

Sipas Programit legjislativ të Qeverisë për këtë vit, Ministria e Kulturës deri në fund të nëntorit, duhet të dërgojë në kabinetin qeveritar draftligjet për filarmoninë, operën dhe baletin, atë për trashëgimi kulturore dhe atë për kinematografi. Pos tyre, në Qeveri duhet të shkojë i draftuar edhe Ligji për arkivat shtetërore. Por, në fakt këso nisma kanë histori mbi njëdekadëshe, e me to janë marrë disa ministra Kulture

Qeveria e re ia ka mësyrë që të rregullojë çështje të vjetra sa i përket legjislacionit në fushën e kulturës. Ministria e Kulturës synon që të çojë përpara ndryshime ligjore të cilat kanë ngelur veç nisma, shkaku i vetë komunitetit artistik, por edhe sherri i politikës.

Sipas Programit legjislativ të Qeverisë për këtë vit, të miratuar në fund të javës së kaluar, Ministria e Kulturës deri në fund të nëntorit duhet të dërgojë në kabinetin qeveritar draft-ligjet për filarmoninë, operën dhe baletin, atë për trashëgimi kulturore dhe atë për kinematografi. Pos tyre, në Qeveri duhet të shkojë i draftuar edhe Ligji për arkivat shtetërore. Por, ato mund të dërgohen edhe më herët. Në bazë të Programit legjislativ, zor se ndonjë nga projektligjet që do të dorëzohen mund të miratohet nga Kuvendi sivjet. Shkuarja e ish-kabinetit qeveritar dhe votimi i Qeverisë së re në mars ka bërë që nismat për ndryshimin e ligjeve të kthen në pikën zero. Ky rregull përfshin edhe Projektligjin për filharmoninë, operën dhe baletin që ishte miratuar në Qeveria në dhjetor të vitit të kaluar për të zëvendësuar Ligjin e miratuar më 2006.

Ministrisë së Kulturës i duhet që për secilin projektligj të emërojë grup të ri punues. Proceduralisht si hap i parë duhet të bëhet miratimi i koncept-dokumenteve në Qeveri. Por mund të ketë përjashtime.

“Nëse kabineti aktual i ministrit të Kulturës nuk parasheh politika të tjera sa i përket plotësim-ndryshimit të një ligji, atëherë ne nuk kemi nevojë për miratim të koncept-dokumentit, por shkojmë drejt e në emërim të grupit punues”, ka thënë Feim Hoxha, drejtor i Departamentit ligjor në Ministrinë e Kulturës.

Sa i përket Ligjit për trashëgimi kulturore, historia e dekadës së fundit është përplot me përpjekje të dështuara për ndryshim të atij që ishte miratuar më 2006. Katër ish-ministra të Kulturës ia kishin mësyrë ndryshimit, por nuk ia kishin dalë. Dy vjet më parë ishte e fundit përpjekje e Ministrisë së Kulturës për hartimin e rregullave të reja në lidhje me menaxhimin e trashëgimisë kulture. Një grup punues ishte marrë me Projektligjin në fjalë për t’i përmirësuar, siç ishte thënë, “lëshimet” e bëra nga dy komisionet paraprake, njëri i emëruar nga ish-ministri Memli Krasniqi, e tjetri i formuar nga pasuesi i tij në MKRS, Kujtim Shala.

Ligji për trashëgimi hyn në pakon e ligjeve me interes vital. Kësisoj, për miratim duhen dy të tretat e dyfishta, që nënkupton se duhet të marrë edhe votat e dy të tretave të deputetëve të pakicave. Pra, varet nga 20 vendet e rezervuara për pakica në Kuvendin e Kosovës. Gazeta kishte marrë vesh që po në ditën që Projektligji do të nxirrej në votim më 2015 autoritetet e Kishës Ortodokse Serbe kishin takuar me asokohe kryeministrin Isa Mustafa. Ia kishin bërë të ditur se deputetët serbë nuk do ta votonin atë, meqenëse në asnjë nen nuk përmendej trashëgimia kulturore e Kishës Ortodokse Serbe, por Projektligji përcaktonte se bëhet fjalë për trashëgimi kulturore të shtetit të Kosovës. Më pas, MKRS-ja nuk ia ka dalë që të dorëzojë ndonjë draft në Qeveri. Pengesë ishte edhe jetëshkurtësia e kabineteve qeveritare.

Në anën tjetër, katër vjet punë kishte marrë hartimi i Projektligjit për kinematografinë që u tërhoq nga leximi i dytë në Kuvend, më 4 gusht 2016. Me gjithë emërimin e dy komisioneve, një nga ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, e një tjetër nga pasardhësi i tij në këtë pozitë, ish-ministri Kujtim Shala, pas serisë së përplasjeve e reagimeve midis komunitetit të kineastëve dhe angazhimit të ekspertëve ndërkombëtarë, puna s’ishte finalizuar me sukses.

Ishin 39 kineastë që kishin firmosur kërkesën për tërheqjen e projektligjit nga Kuvendi. Ndër arsyet e shumta që ishin përmendur në reagimin e Shoqatës së Producentëve të Kosovës ishte edhe afati për realizimin e projektit që, sipas tyre, është plotësisht i gabuar dhe i pamundshëm që të arrihet. E një prej pikave më të diskutueshme të projektligjit ishte përbërja e jurisë që do të vlerësojë projektet kinematografike që subvencionohen nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Kjo çështje kaherë e ka ndarë në dysh komunitetin artistik, duke bërë që disa të përkrahin idenë që juria duhet të përbëhet nga shtetas të Kosovës e disa të tjerë që kërkojnë edhe anëtarë me shtetësi të huaj. Një tjetër pikë e nxehtë ka qenë edhe çështja e “KosovaFilmit”. Sipas Projektligjit, ish-shtëpia për prodhimin e filmave transformohet në Arkiv të Filmit, përderisa pronat e “KosovaFilmit” do të kalojnë në pronësi të Kuvendit të Kosovës. Përderisa me Ligjin aktual përkrahja e shtetit për një projekt kinematografik nuk shkon përtej 49 për qind të buxhetit total, me Projektligjin e ri parashihej që përkrahja të shkojë deri në 79 për qind te filmat debutantë.

Menaxhmenti aktual i Ministrisë së Kulturës nuk ia ka mësyrë fare hartimit të një ligji për muzetë. Shteti nuk posedon fare ligj të tille. Qeveritë e kaluara qysh para më shumë se një dekade kishin bërë hapa për të hartuar projektligjin për muze. Një draft i këtij projektligji ishte punuar më 2014. Për atë, asokohe “Koha Ditore” kishte raportuar se është gati qysh në shkurt të vitit 2014. Në vitin 2010, hartimi i këtij projektligji ishte përfshirë në strategjinë legjislative të Ministrisë së Kulturës. Ndonëse kishte kaluar në parim në një mbledhje të Qeverisë së Kosovës të mbajtur në gusht të atij viti, ligji nuk kishte kaluar miratimin në Kuvend. Atëkohë, Ministria e Financave ishte ankuar se ligji ka implikime të mëdha buxhetore, të papërballueshme për buxhetin e Kosovës. Në ditën e 11-të shkurtit të vitit 2014, gazeta kishte raportuar se një draftligj për muzetë u ishte prezantuar punonjësve të trashëgimisë kulturore nga Ministria e Kulturës e Këshilli i Evropës. Draftligji ishte shoqëruar me fusnotën për Kosovën. Deri në dhjetor të vitit 2019 edhe vetë Muzeu i Kosovës kishte funksionuar me Statut të ish-sistemit. E prej asaj kohe, institucioni më i lartë muzeor në Kosovë ishte bërë me statut, që këtij institucioni ia dha emrin Muzeu Kombëtar i Kosovës.