Ani pse edhe në fillimvit buxheti prej 262 mijë eurosh për sivjet ishte vlerësuar tepër i vogël për ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës, tash Ekzekutivi ka projektuar që për këtë të lihen në dispozicion hiç më shumë se 75 mijë euro. Punimet janë bllokuar qysh në dhjetor e kostoja totale llogaritet të jetë 2.4 milionë euro
Qeveria e Kosovës ka vendosur që t’ia shkurtojë buxhetin edhe projektit më të madh kapital në trashëgimi kulturore. Megjithëse, edhe në fillim të vitit, për ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës ishte përcaktuar buxhet i paktë, Qeveria me miratimin e rishikimit të buxhetit para dhjetë ditësh e ka zbritur atë edhe më. Me Ligjin për ndarjet buxhetore të këtij viti ishin përcaktuar 100 mijë euro nga buxheti i konsoliduar, kurse nga të hyrat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit edhe 162 mijë të tjera. E nëse deputetët miratojnë Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për ndarjet buxhetore, për Muzeun e Historisë së Natyrës do të jenë veç 75 mijë euro. Projekti në total kushton 2.4 milionë euro. Kësisoj i bie që nëse Ministria e Kulturës vazhdon me këtë ritëm duhen së paku nja tri dekada që të përfundojnë punimet që ishin llogaritur të përmbylleshin për tre vjet, raporton KOHA.
Punimet që kishin nisur në maj të vitit të kaluar ishin ndërprerë në dhjetor. Nuk kanë nisur më dhe nuk dihet se kur do të vazhdojë ndërtimi.
Edhe gjatë vitit të kaluar kishte probleme me buxhetin. Madje punimet ishin ndalur edhe për shkak të vonesës së pagesave.
Por tash del edhe një problem tjetër. Duhet harmonizuar projekti në raport me punën në terren. Janë paraqitur probleme me statikën të paktën në një pjesë. Adem Musa, inxhinier i kompanisë që ka nisur ndërtimin, ka thënë se punimet planifikohet të rinisin shpejt. Sipas tij, për shkak të zhvillimit të punimeve është paraqitur nevoja e ofrimit të një zgjidhjeje teknike për disa detaje dhe projektuesi është duke u marrë me këtë çështje në mënyrë që t’i hapet rruga vazhdimit të punimeve.
“Punimet pritet që të rifillojnë së shpejti dhe planifikohet që të punohet aq sa ka parashikuar Ministria e Kulturës”, ka thënë Musa, duke aluduar në buxhetin e ndarë. Ka shtuar se, siç dihet, edhe problemet në raport me pandeminë janë duke vazhduar. Zyrtaret e Ministrisë së Kulturës, Ardiana Qorraj dhe Merita AugustiniNdrecaj janë organ mbikëqyrës në këtë projekt. Arkitektja Qorraj ka thënë se në disa pozicione ka mospërputhje midis fazës së statikës dhe arkitekturës. Sipas saj, për shumicën e rasteve janë arritur pajtime për harmonizim të projektit midis projektuesve dhe punëkryerësit.
Sipas saj, përjashtim në këtë aspekt bën një pllakë që në gjuhën e arkitekturës është konzollë, me katër metra gjatësi. Është pllakë betoni që në formë ballkoni zgjatet katër metra, gjë që paraqet problem për statikën pasi nuk janë paraparë shtylla mbajtëse apo ndonjë formë tjetër që do të siguronte qëndrimin. “Zgjidhja e ofruar nga projektuesit nuk është pranuar nga punëkryerësi e me këtë të fundit jemi pajtuar edhe ne organet mbikëqyrëse”, ka thënë ajo. Sipas saj, kanë propozuar që të angazhohen njohës të pavarur të statikës për të dhënë një mendim të pavarur. “Fakt është që në formën që është vizatuar nuk mund të ekzekutohet ai pozicion pasi mund të rrënohet”, ka thënë ajo. Për pasojë edhe kanë kërkuar inicim të procedurës për angazhim të njohësve të statikës. Deri tash nuk është ndërtuar as një e treta e krejt kompleksit.
Qorraj ka treguar se si mundësi është prezantuar edhe nisja e objektit tjetër derisa të bëhet zgjidhja për statikën. “Nuk kemi pranuar pasi nëse vazhdohet me ndërtesën B ose C mund të neglizhohet problemi i pllakës dhe të mbetet si gërmadhë”, ka thënë ajo. Kurse sa i përket zbritjes së buxhetit për këtë vit, gazeta i ka adresuar pyetje ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi, por ajo nuk është përgjigjur. Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS, Vjollca Aliu, problemin e buxhetit e kishte ngritur qysh në prill të këtij viti. Edhe 100 mijë eurot e buxhetit të konsoliduar dhe 162 mijë të të hyrave të AKP-së kishte thënë se janë shumë e vogël.