Kulturë

Qeveria nuk heq dorë nga komunikimi direkt me Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë

Edhe pasi indirekt Dioqeza e Rashkë-Prizrenit javën e kaluar ka refuzuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ta vizitojë Manastirin e Deçanit, Qeveria nuk do ta ndërrojë qasjen: dialogu i drejtpërdrejtë është plani i vetëm. “Qasja e Qeverisë do të jetë e njëjtë. Ne do të vazhdojmë të insistojmë për dialog dhe komunikim të drejtpërdrejtë, të hapur dhe të sinqertë, si e vetmja mënyrë për t’i zgjidhur sfidat e përbashkëta që i kemi”, ka thënë Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, pas përgjigjes që Qeveria ka marrë nga Kisha Ortodokse Serbe

Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga dialogu i drejtpërdrejtë me klerikët ortodoksë serbë në Kosovë. Edhe pasi indirekt Dioqeza e Rashkë-Prizrenit javën e kaluar ka refuzuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ta vizitojë Manastirin e Deçanit, Qeveria nuk do ta ndërrojë qasjen: dialogu i drejtpërdrejtë është plani i vetëm.

Pos refuzimit që kryeministri Albin Kurti të vizitojë Manastirin, Dioqeza nëpërmjet një përgjigjeje publike ndaj kërkesës së Kurtit kishte akuzuar institucionet e shtetit të Kosovës se nuk po respektojnë ligjet dhe vendimet. Por Qeveria insiston se komunikimi do të jetë zgjidhja e të gjitha sfidave të përbashkëta.

“Qasja e Qeverisë do të jetë e njëjtë. Ne do të vazhdojmë të insistojmë për dialog dhe komunikim të drejtpërdrejtë, të hapur dhe të sinqertë, si e vetmja mënyrë për t’i zgjidhur sfidat e përbashkëta që i kemi”, ka thënë Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, pas përgjigjes që Qeveria ka marrë nga Kisha Ortodokse Serbe.

Në ditën e 20-të të këtij muaji kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i kishte shkruar kryemurgut Sava Janiq se konfirmon përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të të gjitha komuniteteve. Kurti kishte shkruar se të gjitha asetet e trashëgimisë kulturore në Kosovë pa përjashtim janë burim krenarie, identiteti e edukimi për shtetin dhe popullin.

“Institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë veprime të panumërta për mbrojtjen e të drejtave kulturore të komuniteteve joshumicë”, shkruhet në letër. Midis të tjerash, ai kishte shkruar se do të jetë në pritje të përgjigjes për të përcaktuar detajet e vizitës.

E shtatë ditë më vonë ai kishte marrë një përgjigje publike. Dioqeza nëpërmjet një komunikate kishte shkruar se lidhur me letrën e Kurtit ata mbesin në qëndrimin e deklaruar qartësisht më herët se “nëse institucionet shqiptare të Kosovës dëshirojnë të tregojnë minimumin e vullnetit të mirë për respektimin e të drejtave të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe Metohi, ata janë të detyruar të zbatojnë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016, e cila njohu pronën e Manastirit”. Sipas komunikatës së Dioqezës, ky vendim është injoruar vazhdimisht për pesë vjet me gjithë kërkesat për zbatimin e tij nga Manastiri dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë.

“Përveç kësaj, ministri i Planifikimit Hapësinor nga Qeveria e z. Kurti publikisht refuzoi vendimin e Këshillit të Monitorimit të Zbatimit të nëntorit 2020 për ndërtimin e rrugës anashkaluese rreth zonës së mbrojtur të Manastirit. Minimi i këtij vendimi, që është miratuar me ndërmjetësim ndërkombëtar, i bie që po bëhet thirrje për shkelje të Ligjit për zonat e veçanta të mbrojtura.

këtë rast Dioqeza i është referuar fjalimit të ministrit Liburn Aliu në Kuvendin e Kosovës.

Aliu në ditën e 17-të të këtij muaji në Kuvendnin e Kosovës, në një përballje me opozitën, kishte thënë se është gabim që të ndërtohet një rrugë 18 kilometrash në vend të 6 kilometrave duke iu referuar rrugës Deçan-Plavë.

“Në këtë situatë përgjigjja në letra të tilla pa respektimin e mëparshëm të vendimeve gjyqësore dhe sundimit të ligjit është absolutisht e pakuptimtë”, shkruhet në komunikatë.

Por ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se bllokadat nuk çojnë në përmirësim të situatës.

“Ne nuk besojmë që bllokada, mbyllja, kushtëzimi ose retorika e urrejtjes na ndihmojnë në mirëmbajtjen e paqes dhe zhvillimin e bashkëpunimin midis popujve dhe grupeve të komuniteteve në Kosovë”, ka thënë ai. Sipas Çekut, Kosova është serioze në projektin për t’u kujdesur për të gjithë trashëgiminë kulturore brenda shtetit dhe posaçërisht për kishat ortodokse që janë në territorin e shtetit të Kosovës.

“Ky është një proces që mbase merr kohë, por jemi të përkushtuar dhe besojmë në dialogun e drejtpërdrejtë me klerikët ortodoksë që shërbejnë në Kosovë. Herët a vonë kjo do të ndodhë, pasi dialogu nuk ka alternativë dhe nuk duhet të ketë alternativë”, ka thënë ai.

Në të njëjtën ditë me Dioqezën e Rashkë-Prizrenit kishte reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pas një dreke që kishte pasur me patriarkun Porfirije dhe episkopët e Kishës Ortodokse Serbe të enjten e javës së kaluar në Beograd, vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është marrë me letrën e Kurtit.

“Kurti nuk flet për trashëgiminë kulturore serbe, por për atë kosovare, se Manastiri i Deçanit është trashëgimi kulturore e shtetit të Kosovës. Krejt loja është aty që ai të dalë sikur i do serbët, se do që të bisedojë me ta, se jetojnë mirë në Kosovën e pavarur, por nuk do që të flasë me Serbinë, se ajo s’ka çfarë të kërkojë në Kosovë”, kishte thënë Vuçiqi. Kishte konstatuar se nuk habitet kur lojën e Kurtit s’e kuptojnë disa politikanë, por jo edhe mediat e Serbisë.

Por shkëmbimi i letrave dhe situata e krijuar, për Arsim Canollin, profesor i antropologjisë dhe trashëgimisë kulturore në Fakultetin Filozofik, është njëfarë loje. Ai kishte thënë se nuk merret me komunikimet ditore të Qeverisë.

“Por duket se Qeveria e Republikës së Kosovës po luan ‘pingpong’ me topa ‘pink’ para se të shkojë në dialog me Serbinë. Ndoshta kjo është udha e duhur, ndoshta udhë e gabuar. Por, tema e kishave dhe manastireve që menaxhohen nga Kisha Ortodokse Serbe duket se do të jetë temë e dialogut”, kishte thënë Canolli të enjten. Sipas tij, synimi i Serbisë dihet dhe është sigurimi i një statusi special për zonat e veçanta të mbrojtura, në tipologji të Malit Atos apo të Vatikanit.

“Kjo do ta rrezikonte shtetin e Kosovës. Dialogu për kisha e manastire duhet të bëhet vetëm brenda logut të Ahtisaarit”, kishte thënë Canolli. Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të përgatitet për dialog, duke bindur miqtë ndërkombëtarë se gjithçka që del jashtë Ahtisaarit mund të shkatërrojë trashëgiminë kulturore dhe paqen e qëndrueshme që del nga diversiteti kulturor, sepse cenon shtetin e Kosovës.

Sali Shoshi, i cili është drejtor ekzekutiv i fondacionit kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, (CHWB Kosova), kishte thënë se letra e kryeministrit Kurti është krejt normale. Sipas tij, toni i letrës është pozitiv dhe kryeministri Kurti ofron përkrahje për trashëgiminë kulturore.

“Është një gjest tepër i mirë, por edhe obligim ligjor. Është shumë mirë që është intensifikuar përpjekja e Qeverisë që të vendoset kontakt me institucionet ndërkombëtare dhe lokale”, kishte thënë ai.

Sipas tij, përgjigjja që ka dhënë Dioqeza e Rashkë-Prizrenit është pak a shumë reflektim i rolit që Sava Janjiq e ka marrë kohëve të fundit.

“Ka filluar t’i shërbejë politikës dhe të bëhet instrument i saj. Kjo tregon se duhet të bëhet shumë punë që KOS-i të kuptojë që po jeton në Kosovë dhe e ardhmja e trashëgimisë kulturore është në Kosovë. Rruga e vetme për ata është që t’i kthehen realitetit. Çdo rrugë tjetër është e gabuar dhe nuk jep rezultat të mirë”, kishte thënë Shoshi.

Trashëgimia kulturore kohëve të fundit është bërë shkas për alamet propagande nga Serbia. Është trashëgimia kulturore që u bë kryetemë muajve të fundit qëkur Manastiri i Deçanit u përfshi nga organizata “Europa Nostra” në listën e shtatë monumenteve evropiane në rrezik. Më pas, shkas për këtë u bënë edhe letrat e institucioneve të Kosovës drejtuar atyre të Serbisë për kthimin e artefakteve të vendit që mban në Beograd që prej vitit 1998-99. Pasoi edhe letra që kryeministri, presidentja dhe kryeparlamentari ia dërguan UNESCO-s me kërkesën që katër monumentet e Kosovës të nxirren nga lista e monumenteve të rrezikuara.