Ka arritur në pesë numri i organizatave e shoqatave të huaja që i kanë reaguar Qeverisë ndaj vendimit për shtyrjen e pagesave të tarifave për veprat audiovizuale me të drejta autoriale. Të gjitha, si kryefjalë kanë thirrjen për respektimin e Ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtave të përafërta. Por deri më tani ekzekutivi nuk ka dhënë ndonjë sinjal se do të heqë dorë nga vendimi që hodhi poshtë atë që në fund të tetorit e quajti “vendim historik” kur caktoi tarifa. Për producentë në Kosovë, qasja e tillë e ekzekutivit është dorëzim përballë keqpërdorimeve
Për më pak se dhjetë ditë, Qeverisë i janë grumbulluar pesë reagime të organizatave dhe shoqatave ndërkombëtare ndaj vendimit për shtyrjen e afatit të pagesave të tarifave për veprat audiovizuale me të drejta autoriale. Të gjitha, si kryefjalë kanë thirrjen për respektimin e Ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtave të përafërta. Por deri më tani ekzekutivi nuk ka dhënë ndonjë sinjal se do të heqë dorë nga vendimi që hodhi poshtë atë që në fund të tetorit e quajti “vendim historik” kur caktoi tarifat.
Në ditën e 24-të të muajit të kaluar Qeveria me propozim të ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi, ndryshoi vendimin që mori më 19 tetor sa u përket tarifave të përgjithshme mujore për shfrytëzimin e lëndës së mbrojtur me rastin e ritransmetimit. Në vendimin paraprak Qeveria kishte vendosur që vendimi të hynte në fuqi në ditën e publikimit, në Gazetën Zyrtare. Publikimi bëhet rreth dy javë pas miratimit të një vendimi. Por ekzekutivi ka vendosur që operatorët kabllorë të mos kenë kurrfarë detyrimi për pagesën e tarifave deri në ditën e parë të prillit të vitit që vjen.
Janë Shoqata Kolektive e Autorëve, Performuesve dhe Producentëve të Filmit, AIPA nga Sllovenia dhe Shoqëria e Autorëve Audiovizualë (SAA) me seli në Bruksel, organizatat e radhës që kanë reaguar në adresë të Qeverisë këtë javë. Këto reagime që u janë dërguar kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi, u janë bashkuar atyre të Asociacionit të Organizatave Evropiane të Performuesve, Këshillit të Shoqërive për Menaxhimin Kolektiv të të Drejtave të Performuesve dhe Shkrimtarëve dhe Regjisorëve në mbarë botën që kishin reaguar javën e kaluar.
SAA i ka shkruar kryeministrit Hoti se bashkë me organizata të tjera mbrojnë të drejtat për 160 mijë skenaristë dhe regjisorë. Në letër sqarohet se në Bashkimin Evropian të drejtat e ritransmetimit kabllor të menaxhuara në mënyrë kolektive janë një shtyllë e të ardhurave për autorët. Në vitin 2019 kishin mbledhur 142 milionë euro. Në këtë letër është përgëzuar Qeveria për vendosjen e tarifave. Por është kërkuar edhe zbatimi i vendimit.
“Sidoqoftë, kemi dëgjuar gjithashtu që operatorët kabllorë po ankohen se këto tarifa të aprovuara janë shumë të larta duke u përpjekur të zhbëjnë vendimin. Ne bindshëm besojmë se Qeveria e Kosovës duhet të rezistojë ndaj një presioni të tillë...”, shkruhet në letrën e nënshkruar nga Barbara Hayes, kryetare e Bordit të drejtorëve dhe Cécile Despringre, drejtore ekzekutive. Kanë kërkuar që pagesa e tarifave të nisë sa më shpejt.
E AIPA me seli në Slloveni ka sqaruar se vitin e kaluar kanë mbledhur 5 milionë euro. Kanë bërë të ditur se kanë njohuri për krejt procesin që ka ngjarë në Kosovë. Është përmendur se ankesat e operatorëve kabllorë janë të paqëndrueshme.
Tarifat kanë mbetur në vlera të njëjta edhe pas ndryshimit të vendimit dhe bazohen sipas grupimit të kanaleve televizive: deri në 70 kanale televizive – 0.30 euro për abonues; nga 71 deri në 100 kanale televizive – 0.35 euro për abonues; nga 101 deri në 150 kanale televizive – 0.40 euro për abonues; dhe mbi 151 kanale televizive – 0.45 euro për abonues. Duke pasur parasysh këtë AIPA, ka krahasuar këto tarifa me ato që paguajnë operatorët kabllorë në Slloveni. Janë 0.59 centë për operatorë deri në 100 kanale dhe 0.62 centë për ata që ofrojnë më shumë se 100 kanale.
“Unë po ju drejtohem me këtë letër, sepse si menaxher i përgjithshëm për një kohë të gjatë dhe anëtar i bordeve të disa organizatave ndërkombëtare, thjesht dua të theksoj disa pika thelbësore kur krahasoni tarifat e AIPA-s dhe VAPIK-ut”, ka shkruar drejtori menaxhues i AIPA-s, Gregor Shtibernik, derisa i ka kërkuar Qeverisë që të krahasojë tarifat në Kosovë me ato të Sllovenisë.
Me qasjen e Qeverisë kur pezulloi nisjen e pagesës së tarifave nuk janë pajtuar as producentët vendorë.
Producenti Shkumbin Istrefi ka thënë se vendimi për shtyrjen e afatit të pagesës është “injorim i Qeverisë për autorët e veprave audiovizuale dhe lëshim pe ndaj keqpërdorimit dhe abuzimit të shfaqësve me veprat autoriale audiovizuale”. “Për mua si producent, vendimi i mëhershëm ishte një shpresë që tregu audiovizual, i cili është i dëmtuar shumë edhe nga pirateria online, do të fillojë të përmirësohet. Shtyrja e këtij vendimi është dorëzim i ligjit ndaj hajnisë”, ka thënë ai.
Producentja Valmira Hyseni ka thënë se operatorët e dinë që nuk mund të përdoret një vepër autoriale vendore ose e huaj, pa e kompensuar, por po vazhdojnë ta bëjnë këtë dhe me vetëdije po vazhdon të shkelet ligji.
“Përveç që ndikon materialisht, pronaret/krijuesit nuk kompensohen për pronën/veprën e tyre, ndikon edhe si imazh. Jemi shteti ku ilegalisht shfrytëzohen veprat autoriale vendore e të huaja”, ka thënë ajo sa i përket shtyrjes së afatit të pagesave deri në prill.
KOHA javën e kaluar kishte adresuar pyetje edhe në Zyrën e kryeministrit Avdullah Hoti.
“Ju lutem që për këto çështje t’i drejtoheni kabinetit të ministres së Kulturës, zonjës Vlora Dumoshi. Kjo çështje është pjesë e përgjegjësive të kësaj ministrie”, kishte thënë në një përgjigje me shkrim Antigona Baxhaku, këshilltare politike e kryeministrit Hoti. E njëjta pyetje i është adresuar edhe të enjten. S’ka pasur përgjigje.
Ministrja Dumoshi po të enjten e javës së kaluar e as pas një jave nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS për reagimet ndërkombëtare për këtë çështje, përderisa paraprakisht nuk e kishte qartësuar procesin e ndryshimit të vendimit. Pasi që kishte thënë se kjo është bërë me vendim të kryeministrit, ajo i kishte rekomanduar KOHËS që për këtë çështje të kontaktohet Valon Kashtanjeva, drejtor i Zyrës për mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta.
E Valon Kashtanjeva nuk i kishte komentuar reagimet e organizatave të huaja, ani pse disa prej tyre i adresohen edhe Zyrës që ai drejton.
“Vendi duhet patjetër të ketë tarifa të aplikueshme. Vetëm me tarifa të aplikuara për ritransmetimin e lëndës që mbrohet me të drejtën e autorit zbatohet ligji. Tarifat janë obligim kushtetues e ligjor për vendin tonë, si dhe obligim i paraparë në kuadër të zbatimit të MSA-së”, kishte thënë ai.
Deri te vendimi që u ndryshua nga Qeveria, ka qenë një rrugëtim disavjeçar.
Shoqata për menaxhim kolektiv të të drejtave autoriale të veprave audiovizuale në Kosovë, VAPIK, ka qenë në negociata që nga viti 2013 me operatoret kabllorë për mbledhjen e të ardhurave për të drejtën e autorit të parapara me ligj. Pas gjashtë vjetësh, më 2019, me vendim të Qeverisë, MKRS-ja themeloi një komision ndërministror, i cili angazhoi një ekspert të huaj që në mënyrë të paanshme të sugjerojë tarifat me të cilat operatorët kabllorë u detyrohen artistëve vendorë dhe të huaj pasi që shfrytëzojnë veprat e tyre në ritransmetim. Shoqata kishte reaguar pas ndryshimit të vendimit, duke thënë se vendimi i ri i Qeverisë është marrë pa konsultuar të gjitha palët.
“Ky vendim u mor pa pjesëmarrjen dhe pa u konsultuar me Shoqatën për Menaxhimin Kolektiv të të Drejtave të Autorit, si pala tjetër në këtë marrëveshje; dhe pa prezencën e Zyrës për të Drejtën e Autorit, si pala neutrale përfaqësuese e Qeverisë dhe propozuese e tarifës”, shkruhet në atë që VAPIK e kishte titulluar “Reagim ndaj pishman-fermanit për të drejtën e autorit”.
Janë Shoqata Kolektive e Autorëve, Performuesve dhe Producentëve të Filmit, AIPA nga Sllovenia dhe Shoqëria e Autorëve Audiovizualë (SAA) me seli në Bruksel, organizatat e radhës që kanë reaguar në adresë të Qeverisë ndaj vendimit për shtyrjen e pagesës së tarifave për vepra audiovizuale
{gallery}