Kulturë

Qendra Kinematografike katër muaj pa drejtor, Ministria “fikson detajet”

Iu deshën gjashtë muaj që t’i binte në fije shkarkimit të Arben Zharkut nga pozita e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, por tash e katër muaj po e shqyrton hapjen e konkursit për drejtorin e ri të këtij institucioni. Aktualisht, Ministria e Kulturës është duke “fiksuar të gjitha detajet përmbajtjesore” për një procedurë të re rekrutimi. Nga komuniteti artistik përflitet edhe një përzgjedhje me skenar, dhe se MKRS-ja u frikësohet reagimeve sapo ta hapë konkursin

Praktikisht, prej korrikut të vitit të kaluar kur qe pezulluar nga detyra Arben Zharku, Qendra Kinematografike e Kosovës është pa drejtor. Në muajin dhjetor të vitit të kaluar Zharku mori vendimin përfundimtar të Ministrisë së Kulturës për shkarkimin e tij. Prej atëherë Ministria e Kulturës nuk ka hapur konkurs për këtë pozitë. Pos kësaj, ende nuk ka afat se kur do të shpallet thirrja publike.

Për një pjesë të kinematografëve, MKRS-ja është dashur të veprojë në këtë drejtim deri më tash. E institucioni më i lartë kulturor në vend deklarativisht është duke “fiksuar të gjitha detajet përmbajtjesore” për një procedurë të re rekrutimi.

Për dallim të disa institucioneve të tjera ku MKRS-ja e kishte vështirë të “gjente” udhëheqës ekzekutiv, për QKK-në as që ka provuar tash e më shumë se katër muaj.

Sipas Ministrisë së Kulturës, Këshilli Drejtues i QKK-së ka hartuar kriteret e konkursit dhe ka proceduar kërkesën për hapjen e procedurës së rekrutimit për pozitën e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës. Sipas përgjigjes së përcjellë nga Zana Fetiu, këshilltare e ministrit Hajrulla Çeku, aktualisht këto kritere po vlerësohen nga administrata e MKRS-së dhe pritet që të ketë një përfundim me vlerësimet administrative të konkursit me qëllim që i njëjti të mos përmbajë çfarëdo boshllëku të kërkesave dhe kritereve e po ashtu të jetë brenda dispozitave të Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe Ligjit për Kinematografinë.

“Konkursi do të shpallet në momentin që fiksohen të gjitha detajet përmbajtjesore dhe procedurale që e bëjnë konkursin e rekrutimit plotësisht të pajtueshëm me kërkesat ligjore”, shkruhet në përgjigje.

Por disa kinematografë e konsiderojnë si shumë të rëndësishme që institucioni të mos qëndrojë gjatë pa drejtor. Zëvendësues i drejtorit është zyrtari i QKK-së, Lum Çitaku.

Regjisori Besim Ugzmajli, i cili prej dhjetorit të vitit të kaluar ka dhënë dorëheqje nga Këshilli Drejtues i QKK-së, ka thënë se institucionet kryesore kulturore janë kryesisht me ushtrues detyre të drejtorëve, ndërsa përzgjedhja e drejtoreve të rinj është urgjente në të gjitha institucionet, e sidomos në QKK.

“Përzgjedhja e drejtorëve të rinj është bërë problem serioz për shume arsye. Fillimisht fakti se është bërë e pamundur të gjenden personalitete kredibile për t’i zgjedhur në krye të institucioneve ngase institucionet janë degraduar thellësisht, si dhe ndalesat banale që shkakton Ligji antikorrupsion kanë shkaktuar mosinteresim të artistëve të mirëfilltë të udhëheqin institucione”, ka thënë Ugzmajli.

Ai ka numëruar edhe një arsye shtesë që lidhet pikërisht me QKK-në.

“Njëra nga arsyet që QKK-ja nuk ka hapur konkurs për pozitën e drejtorit është fakti se komuniteti ka dyshime se personi që është ushtrues detyre i drejtorit do të zgjidhet në pozitë të drejtorit dhe formaliteti i hapjes së konkursit do të shkaktojë shumë zhurmë në komunitetin e kineastëve”, ka thënë Ugzmajli.

Producenti Yll Uka ka thënë se konkursi gjithsesi duhet hapur sa më shpejt dhe të përfundojnë procedurat deri në zgjedhjen e drejtorit.

“Të gjithë jemi dëshmitarë me të arriturat e kinematografisë viteve te fundit. Kështu që nuk duhet të humbet kohë në asnjë aspekt dhe kinematografisë i duhet vazhdimësi në suksese dhe prodhim. Drejtori luan një rol të rëndësishëm në politikat dhe udhëheqjen e QKK-së. Shkurt nuk është mirë që asnjë institucion të mbetet pa drejtor”, ka thënë ai.

Meqenëse MKRS-ja nuk ka ndonjë afat për hapje të konkursit, në raport me pozitën e drejtorit të QKK-së e saktë mbetet vetëm dita e shkarkimit të Arben Zharkut nga kjo pozitë. Ai qe shkarkuar më 10 dhjetor. Në atë vendim nuk jepet tjetër sqarim, por i kishte dhënë fund një sage shkarkimesh, pezullimesh, paralajmërimesh për shkarkim e që në fakt ishte si një “kronikë shkarkimi të paralajmëruar”.

Episodi i parafundit i kësaj serie qe ai i fillimit të nëntorit të vitit të kaluar, kur Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Kulturës sërish do të vendoste se ishin përmbushur kushtet që Zharku të shkarkohej nga pozita që e mbante. Për dallim nga vendimi i gushtit, kur Komisioni kishte nxjerrë vendim për “largim nga shërbimi civil”, tash ky komision kishte vepruar pak më ndryshe, duke nxjerrë vendim se janë përmbushur kushtet për shqiptimin e masës disiplinore “largim nga shërbimi publik”. Me këtë, Ministria e Kulturës e kishte rikonfirmuar se ia kishte mësyrë që me çdo kusht Zharkun ta shkarkonte nga pozita e drejtorit të Qendrës Kinematografike. Duke shkelur procedurat e duke dalë jashtë kompetencave, dështoi ta bëjë këtë në fund të verës së kaluar, por Komisioni Disiplinor i MKRS-së tek atëherë do ta kuptonte që ministri është kompetent për shkarkim. Do t’i rekomandonte atij që të bënte një gjë të tillë, pasi “janë përmbushur kushtet për shqiptimin e masës disiplinore largim nga shërbimi publik”. Për gjashtë muaj, Zharku ishte pezulluar, shkarkuar, kthyer, për të ardhur deri te shkarkimi përfundimtar, katër muaj para se të përfundonte mandatin e dytë, në mars të këtij viti.

Aktualisht MKRS-ja ka në procedurë zgjedhjen e udhëheqësit artistik të Tetarit Kombëtar të Kosovës. Kjo pozitë ka mbetur bosh tash e gati tre vjet. Në procedurë është edhe zgjedhja e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, institucion ky që është pa udhëheqës ekzekutiv prej gushtit të vitit 2020.